Politike13 Nëntor 2018, 14:54

Intervista/ Ambasadori i BE i prerë, s’lë vend për komente: Luftoni me themel krimin dhe korrupsionin, ndryshe s’

Shkruar nga Pamfleti
Intervista/ Ambasadori i BE i prerë, s’lë vend për komente:

Intervista/ Ambasadori i BE i prerë, s'lë vend për komente: Luftoni me themel krimin dhe korrupsionin, ndryshe s'ka BE!

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka dhënë një intervistë për European Western Balkans gjatë Tirana Connectivity Forum, ku ai ishte një prej folësve. Soreca flet për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe hapat që janë hedhur e duhet të hidhen në të ardhmen.

European Western Balkans: Sa la kontribuar Procesi i Berlinit sipas jush në zhvillimin infrastrukturor në Ballkanin Perëndimor?

Luigi Soreca: Siç e kam thënë edhe këtu në Tirana Connectivity Forum, Procesi i Berlinit ka qenë thelbësor në fushën e lidhjes në transport, energji, tregti, por sidomos në lidhjen e njerëzve, në veçanti të rinjtë. Dhe një nga arritjet më të rëndësishme të Procesit të Berlinit është krijimi i Zyrës Rajonale të Rinisë, këtu në Tiranë, për të cilën besoj se përfaqëson zemrën e projektit.

EWB: Pritet që Shqipëria të nisë bisedimet me BE vitin e ardhshëm. E konsideroni Shqipërinë si plotësisht të gatshme për këtë hap?

SORECA: Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në vitet e muajt e fundit, por ka ende shumë për të bërë. Sidomos në fushat e identifikuara nga Konkluzionet e Këshillit qershorin e kaluar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është thelbësore dhe nuk ka kohë për të humbur. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë dhe secili duhet të punojë për të njëjtin objektiv.

EWB: Mendoni se Këshilli i Evropës duhej t’i kishte hapur negociatat me Shqipërinë në qershor të këtij viti për t’i motivuar më shumë për reforma të mëtejshme, në vend që ta shtynte për në qershor 2019?

SORECA: Pozicioni i shprehur nga Komisioni Evropian ishte rekomandimi i hapjes së negociatave në qershor. Por Bashkimi Evropian përbëhet nga disa institucione dhe Këshilli, brenda të drejtës së tij, nuk arriti konsensus për këtë. E respektojmë shumë pozitën e atyre vendeve anëtare që nuk ishin dakord. Po punojmë me ta dhe mbi të gjitha po punojmë me Shqipërinë me qëllim që të sigurohemi që problemet e vërejtura në qershorin e kaluar do të trajtohen siç duhet dhe mundësisht të zgjidhen me qëllim arritjen e një konkluzioni pozitiv vitin e ardhshëm.

EWB: Nga leximi i Raportit të vitit Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2018, të krijohet përshtypja se Shqipëria është në rrugën e duhur për sa i përket reformës në drejtësi. Megjithatë, ka kritikë që thonë se reformat kanë paralizuar punën e instancave më të larta të gjyqësorit e për pasojë ka ulur efikasitetin dhe pavarësinë e gjithë sistemit. Mendoni se është kështu?

SORECA: Reforma në drejtësi është shumë komplekse. Ajo ka ndryshuar një të tretën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe po hyn vërtet thellë në fuqitë kushtetuese të vendit. Pra, është komplekse dhe prandaj duhet të kemi durim me qëllim që të lejojmë autoritetet e pavarura që bëjnë vettingun të bëjnë punën e tyre. Sigurisht, kjo duhet bërë me një ritëm që t’i lejojë Shqipërisë arritjen e pikëtakimit të rëndësishëm në qershorin e ardhshëm.

Mendoj se tani është çështje e përqendrimit në thelbin e reformës në drejtësi për të vënë në vend të gjitha institucionet që parashikon Kushtetuta dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar të ndihmojmë e përkrahim institucionet shqiptare për ta arritur këtë.

EWB: Një nga pesë Prioritetet Kyç të Raportit të lartpërmendur është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pak ditë më parë pati arrestime dhe midis tyre ishte edhe një ish-deputet. Cilat janë sfidat kryesore që Shqipëria përball aktualisht në këtë aspekt?

SORECA: Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE. Në javët e muajt e fundit, Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit kanë kryer operacione të rëndësishme kundër krimit të organizar. E mirëpresim këtë, kjo është ajo çka vendet e BE presin nga Shqipëria dhe është diçka që duhet të vazhdojë. Për këtë arsye është thelbësore të kemi një Ministër të Brendshëm krejtësisht funksional që do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar, për të garantuar që Shqipëria qëndron në kursin drejt Bashkimit Evropian.

Politike integrimi lufta ndaj krimit Luigi Soreca Shqipëria