Aktualitet19 Maj 2018, 11:05

Ish-sekretari i Mehmet Shehut tregon se çfarë e shtangu ambasadorin shqiptar gjatë vizitës në Shqipëri në vitin ’90

Shkruar nga Pamfleti

Ish-sekretari i Mehmet Shehut tregon se çfarë e shtangu ambasadorin shqiptar gjatë vizitës në Shqipëri në vitin '90

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Në vitin 1990, kur ambasadori amerikan Rajerson, erdhi për vizitë në Shkodër dhe shfaqi dëshirën të shikonte një repart ushtarak, ai mbeti i shtangur nga përballja me të. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, Hysen Qendro, ish-sekretari i ish-kryeministrit në kohën e komunizmit, Mehmet Shehu.

“Ambasadori u bë kureshtar se ku ishte strehuar gjithë ajo teknikë e brigadës, që s’dukej gjëkundi. I thanë që teknika dhe çdo gjë ishte në tunelet nëntokësorë”, pohon ai. Duke shtuar se më pas, Rajerson buzëqeshi dhe tregoi se mori përshtypje të mira për ç’ka pa, sikur të ishte një ekspert ushtarak i përkryer.

Në jetën tënde kur e ke parë më të vlerësuar fortifikimin e vendit tonë në sistemin komunist?

Në vitin 1990, kur ambasadori amerikan Rajerson, erdhi për vizitë në Shkodër dhe shfaqi dëshirën të shikonte një repart ushtarak. Komanda e Divizionit e solli në Brigadën  e Tankeve, në Megush, fshat pranë rrugës automobilistike, që të çon në Shkodër. (Sot ajo rrugë quhet e vjetër, sepse është ndërtuar e reja).

Brigada ishte e vendosur në një vend të zgjedhur nga pikëpamja ushtarake dhe pranë detyrave luftarake të caktuara; në rrëzë të kodrave që zbresin valë-valë, nga maja më e lartë dhe më karakteristike e asaj ultësire, siç është maja e Zefjanës, që ngjan me një piramidë madhështore, sikur natyra ta kishte falur, në atë vend, për ushtrinë e për atë njësi tankiste të ushtrisë sonë.

Ambasadori, pasi u takua me kuadrot dhe efektivin që e pritën, kërkoi të shikonte teknikën luftarake, se nuk po shihte park tankesh në territorin e njësisë, dhe u bë kurioz se ku ishte strehuar gjithë ajo teknikë e brigadës, që s’dukej gjëkundi. I thanë që teknika dhe çdo gjë ishte në tunelet nëntokësorë.

Në rrëzë të kodrës që përmenda, vinin në radhë 4-5 tunele grykëmëdhenj të maskuar. Në ballin e tyre dalloheshin disa tabela me shkrime udhëzuese për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përdorimin e teknikës luftarake.

Tanket, brenda tuneleve, ishin të rreshtuar si qenie të gjalla dhe, si për të nderuar vizitorin, “rrinin në drejtqëndrim me vështrimin” nga hyrja e tunelit. Të gjithë të veshur me “uniformën e blertë e me pelerinën mbi supe”, tregonin madhështinë e tyre, që nga hyrja e deri 100-120 metra në zemër të kodrës.

I zbuluam një tank “T-59”. me topin 100 m/m, me grykën e shtrirë në pozicion horizontal. Ishte i pastër si qelqi, me zinxhirët të lyer me bojë të zezë; gjithë ajo kështjellë prej çeliku, qëndronte mbi takot e drunjta, si një “zotëri mbi karrigen e vet”.  Si ky vinin me radhë edhe tanket e tjerë. Si për të provuar gatishmërinë, ambasadori kërkoi të ndizej  motori i një tanku, ndoshta edhe si provokim në mendjen e tij.

Ushtari tankist, një djalosh i vitit të dytë, me trup mesatar dhe muskuloz, i veshur me uniformën e veçantë që kishin ekuipazhet e asaj arme, u vërvit si atlet mbi tank dhe për dy sekonda u fut në kullën e çeliktë. Në çast u dëgjua zhurma metalike e motorit. Kur motori u ngroh, tanku lëvizi sikur donte të dilte nga vendi i vet. Ambasadori buzëqeshi, uli kokën dhe tregoi se mori përshtypje të mira për ç’ka pa, sikur të ishte një ekspert ushtarak i përkryer.

Ambasadori vërtet mund të jetë çuditur, sepse vendet e mëdha që kanë ushtri të mëdha, me karakter mësymës, fortifikimin permanent nuk e kanë përparësi në luftimet dhe operacionet që zhvillojnë. Mendoj se është veprim i duhur puna që filloi për restaurimin dhe kthimin në një objekt turistik i vendkomandës  (Bunk’art-1) në Tiranë, për t’u vizituar nga qytetarët tanë dhe nga turistët e huaj.

Asnjë gjë nuk i prish punë fshatarit në rast se në parcelën e vet private ka një garnizon me tri qendra zjarri ose ka një strehim tip-tunel, të kujdeset, e t’i përdorë për qëllimet e veta familjare, pa i shkatërruar. Le ta mbulojë edhe me dhè qendrën e zjarrit e të mbjellë diçka mbi të. Ajo le të jetë atje për çdo rast.

Në kohën e kaluar ne gjetëm shumë objekte fortifikuese të Luftës së Dytë Botërore e të luftës italo-greke, por nuk i prishëm. Ato janë edhe sot. Pse të mos i ruajmë e mirëmbajmë këto që kemi ndërtuar me duart tona? Ka mjaft qytetarë që në mënyrë rastësore kanë ruajtur dhe mirëmbajtur disa objekte fortifikuese, të cilët duhen përkrahur, për nismën e mire të tyre.

I lavdërueshëm është shembulli i kompleksit te Shkëmbi i Kavajës, i cili në anë të shëtitores që kalon buzë detit, ka ruajtur dhe ekspozuar dy qendra zjarri origjinale, që tërheqin vëmendjen e turistëve. Ose shembulli i zotit Fatos Lubonja, i cili, nisur nga këndvështrimi i tij real-historik, në anë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, midis objekteve të tjera, ka paraqitur edhe një qendër zjarri të asaj kohe.

Flitet shumë për vendkomandën e Shtabit të Përgjithshëm në Bunk Art. Si do t’i cilësoje komentet e ndryshme?

Si kuadër ushtarak, jam ndjerë i çuditur dhe shumë i fyer kur, pasi u rikonstruktua vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë të asaj kohe, qarqet e caktuara të politikës, por jo vetëm, e përbuzën dhe e komentuan sikur aty brenda të ishte vetë emërtesa e lartë e socializmit dhe familjet e tyre. Këtë koment e përcollën edhe disa media të shkruara dhe televizive. Si dëshmitar konkret, i hedh poshtë këto shpifje, sepse kam qenë një nga kuadrot që në atë kohë, punoja në Ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Jam habitur kur dëgjova se ai objekt i madh ishte ndërtuar për kastën e lartë politike dhe familjet e tyre, gjë që është e pavërtetë.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu kanë ardhur atje vetëm kur objekti mbaroi dhe u përurua. Vetëm atëherë Enveri është ulur në zyrën e vet si Komandant i Përgjithshëm. Ndërsa Mehmet Shehu mund të ketë shkelur aty një ose dy herë të tjera si Ministër i Mbrojtjes, kur janë zhvilluar dhe drejtuar stërvitjet e mëdha të ushtrisë në atë kohë.

Ndaj, e them me bindje se ai objekt u ndërtua për të funksionuar si vendkomandë për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë për kohë lufte. Ne, kuadrot e atij shtabi, kemi zhvilluar e drejtuar me dhjetëra stërvitje nga ajo vendkomandë. Kuptohet, komentet që bëhen janë shpifje dhe propagandë kundër fortifikimit e më tej. Fortifikimi edhe në pikëpamje teknologjike është studiuar dhe eksperimentuar për cilësinë e ndërtimit të objekteve të tij.

Përpara se të kalohej në prodhimin në masë të qendrave të zjarrit, për të parë qëndrueshmërinë ndaj goditjeve të artilerisë, të raketave dhe të efektit të zjarrit mbi efektivin, që do të luftonte brenda dhe jashtë tij, në vitin 1976, në rajonin e Rrëzomave të Delvinës u kryen qitje të drejtpërdrejta mbi qendrat e zjarrit të një garnizoni pesësh.

Si do ta vlerësoje idenë e fortifikimit?

Kur u hartua plani i fortifikimit më 1976-tën, nën drejtimin e Mehmet Shehut, u ndje një përgjegjësi e veçantë, për faktin se ai plan kërkonte saktësi të lartë. Kjo sepse, plani i fortifikimit do të zbatohej konkretisht në terren, sipas drejtimeve të caktuara, dhe do të përfundonte brenda një 5-vjeçari.

Në atë plan, pasqyrimi në hartë i objekteve fortifikuese duhej të bëhej me qendra zjarri të drejtuara saktë me frëngji andej nga mbyllej drejtimi me zjarr. Prandaj nga kjo pikëpamje duhej gjetur edhe shenja konvencionale e veçantë. Shenja që u zgjodh përbën një risi në historinë e artit tonë ushtarak. Veç kësaj, saktësia e paraqitjes së objekteve në atë plan ishte me përgjegjësi, sepse mbi atë që piketohej në hartën topografike do të vendoseshin objektet konkrete në terren.

Komandat dhe shtabet e korpuseve dhe të grupimeve operative përballuan një punë të madhe mendore dhe fizike për realizimin e asaj detyre. Mbi këto komanda dhe shtabe ishte drejtimi nga afër i Drejtorisë Operative, i Drejtorisë së Fortifikimit dhe në përgjithësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Shehu. Ishin idetë e tij që fortifikimi të merrte ato përmasa që kërkonte mbrojtja operative-strategjike e vendit tonë.

Mehmet Shehu, mbi bazën e informacioneve që merrte, në çdo pesëmbëdhjetë ditë për ecurinë e planit të fortifikimit, vinte detyra konkrete për vijimësinë e punës. Në të njëjtën kohë dërgonte herë pas here grupe specialistësh për të kontrolluar cilësinë e ndërtimit dhe të vendosjes taktike të objekteve në terren. Kujdesi i shtuar i tij u duk që në hartimin e planit të mbrojtjes kur, midis kreve të atij plani, fortifikimi cilësohej një masë e rëndësishme e forcimit të mbrojtjes sonë.

Kur komandave të korpuseve u caktohej detyra konkrete për piketimin dhe vendosjen e objekteve në terren, ai, duke njohur mjaft mire drejtimet dhe mënyrën e fortifikimit, shkonte edhe vetë në terren. Kur po bëhej ky planifikim, vinte shpesh në zyrat e planëzimit luftarak për të parë ecurinë e tij. Më kujtohet një rast: kur nga zyra e punës në Kryeministri erdhi me merakun për të parë mënyrën e fortifikimit të rajonit të Bërdicës në Shkodër. Kodrat e Bërdicës bashkë me Kalanë e Rozafës, në pikëpamje të mbrojtjes nga ai drejtim, janë portat natyrore të qytetit të Shkodrës. Fortifikimi i bënte ato edhe më të pakapërcyeshme.

Ai erdhi  dhe u përkul mbi hartë.

– Ku jemi këtu? -pyeti, duke parë hartën e fortifikimit, dhe gishtin e madh e kishte vendosur tek ura e Bahçallëkut.

– Aty është ura e Bahçallëkut, shoku Mehmet, -i thamë.

– Ku janë këtu kodrat e Bërdicës?, -vazhdoi.

– Aty, ku kini vënë ju gishtin, -iu përgjigjëm.

Ai e kaloi gishtin e madh të dorës në të gjithë kodrat e atij rajoni, sikur të kërkonte ndonjë send të humbur, e vazhdoi.

– Mirë e paskemi parashikuar për t’i fortifikuar, se për këtë merak erdha që nga zyra. M’u fiksua sikur nuk i kishim planifikuar për t’i fortifikuar kështu siç është në këtë hartë.

Pastaj, u largua duke na përshëndetur, i qetë në vetvete për mënyrën se si duheshin fortifikuar kodrat e bukura të Bërdicës. Raste të tilla pati edhe për drejtime të tjera gjatë kohës që ndërtohej fortifikimi.

HISTORI

Çfarë tankesh kishte Shqipëria në atë kohë?

Nisja e zhvillimit të armës të tankeve në vite, ashtu si e përshkruan veterani Petrit Fico në librin e tij “Biografia e Armës së Tankeve të Ushtrisë Shqiptare” filloi me tanket trofe të zëna armikut gjatë luftimeve të UNÇSH-së, u shtua me ardhjen e tankeve fillimisht nga Jugosllavia të tipit SPA dhe më vonë nga ish-Bashkimi Sovjetik, me teknikë të kohës, tanke T-34-85, AVL-76, autoblinda BA-64. Zhvillimin më të madh në sasi e cilësi të tankeve dhe mjeteve të blinduara mori, me ardhjen e teknikës nga Republika Popullore e Kinës mbas vitit 1962.

Kuadrot e përgatitur në vendet e lartpërmendura, njohës të teknikës së ardhur, fillimisht u bënë promotorët në drejtimin e reparteve, përgatitjen e efektivave si dhe në mësimdhënie në shkollat tona ushtarake. Kuadrot tankistë komandues e teknikë me arsim të lartë e të mesëm të shkolluar jashtë vendit numëroheshin rreth njëqind vetë.

Me krijimin e shkollave tona ushtarake, në specialitetin për tanke, nga kurset, shkollat e mesme teknike, shkollat e larta, akademi e inxhinieri, kuadrot e shkolluar janë me qindra vete.

codramol
smile

Dossier Hysen qendro ish-sekretari i Mehmet Shehut