Aktualitet11 Gusht 2018, 07:48

Ish-të prëndjekurve u kërkohet numri i llogarisë bankare për të marrë dëmshpërblimin, dokumentat që duhet të dorëzoj

Shkruar nga Pamfleti
Ish-të prëndjekurve u kërkohet numri i llogarisë bankare

Ish-të prëndjekurve u kërkohet numri i llogarisë bankare për të marrë dëmshpërblimin, dokumentat që duhet të dorëzojnë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se janë disa qindra vetë, ish-të përndjekur apo trashëgimtarë të tyre që duhet të trajtohen me dëmshpërblim, por të cilëve, sipas këtij dikasteri, u mungon llogaria bankare, e cila rezulton të jetë e mbyllur. Kështu, Ministria e Financave u kërkon përfituesve të dorëzojnë në Drejtorinë e Pagesave numrin e llogarisë funksionale për të marrë dëmshpërblimin.

Listat e mëposhtme emërore janë të atyre personave, të cilëve u ka kaluar pagesa në bankë në harkun kohor 2009-2013 dhe 2018, por numrat e tyre të llogarisë kanë qenë të mbyllur. Përfituesit duhet të dorëzojnë numra të rinj të llogarive bankare (aktivë) brenda një afatit 30 ditor, nga data 8.10.2018. Siç raporton ”SOT”, kalimi i dëmshpërblimit tek përfituesit e tij nuk mund të bëhet kur nuk plotësohen disa kushte. Kështu, të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarve duhet të sigurohen pranë bankës, në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive.

Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet, duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Kur kemi ndryshim të identitetit, (emër/mbiemër), apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një shkronjë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emri të jetë i njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.

Në rast se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës, apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.

Ligji i ri

Ministria e Financave ka bërë gati një draft për ndryshime në ligjin për kompensimin e ish të përndjekurve politikë. Nëpërmjet këtij projekt akti synohet edhe përshpejtimi i procesit të dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të burgosura, ekzekutuara dhe të internuara. Objektiv i ndryshimeve është përmbyllja përfundimtare e procesit të dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist, ende në jetë.

Së dyti heqja e raportit të përcaktuar të fondit të miratuar, ku 70% i vihej në dispozicion kategorisë parësore dhe pjesa tjetër i shpërndahej kategorisë së trashëgimtarëve. Po kështu do të bëhet dëmshpërblimi i plotë, për të gjithë ata ish të dënuar, të cilët janë ende në jetë, por që për shkak të kufizimeve aktuale të kuadrit ligjor në fuqi, ku përcaktohet ndarja e shumës së dëmshpërblimit në 8 këste, me vlerë maksimale 1 000 000 lekë, nuk kanë marrë gjithë shumën e miratuar të dëmshpërblimit.

Ndërkohë që, ekzistojnë subjekte parësore, të cilat e superojnë këtë vlerë (8 x 1 000 000 lekë). Gjithashtu, ky projektligj synon të trajtojë ato subjekte përfituese, vlera totale e miratuar për të cilët është deri në 1.000.000 lekë, duke krijuar mundësinë që të likuidohen në një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit.

Dokumentacioni

Të gjithë subjektet përfituese duhet të dërgojnë në strukturën përgjegjëse të Ministrisë së Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore. Kur një ish i dënuar politik ose trashëgimtari /trashëgimtarët e ish të dënuarit politik refuzon të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të parashikuara, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim.

Dokumentacioni që duhet të dërgohen në Ministrinë e Financave janë: Numrat e llogarisë bankare në Lekë për çdo trashëgimtar, ose për personin e autorizuar që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit (dokumenti bankar i vitit 2015). Dokument identiteti (kopje Letërnjoftimi, Pasaportë) të çdo trashëgimtari ose të personit që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit.

Sociale ish-të përndjekurit ministria e Financave