Aktualitet19 Qershor 2018, 12:01

ISUV-i, “tenxherja ku ziejnë” analizat false të ushqimeve kancerogjene që hanë shqiptarët, çdo alarm ka dalë “pa gj

Shkruar nga Pamfleti
ISUV-i, “tenxherja ku ziejnë” analizat false të ushqimeve

LSI ka “bunkerin” e kontrollit ushqimor,  po na dëndin me shiringa

Sikur shqiptarët ta dinim realisht se çfarë hanë, se me çfarë produktesh false, kalbësira, sëmundje e kimikate ushqejnë veten dhe fëmjët, do shkonin të kapnin “për fyti”, ata që nxjerrin në treg ushqime vrasëse, së pari “bluzë-bardhët” laborantë shtetëror ushqimor të nxirë nga korrupsioni, që certifikojnë këto ushqime me analiza false, me logon zyrtare “ISUV”.

Për shkak të mos kontrollit dhe kontrollit fiktiv, që bëjnë në treg pazarxhinjt e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të “Gimes” në shkëmbim të rryshfeteve dhe biznesve të njeri-tjetrit në sektorin ushqimor, në organizmin tonë po futet përditë krimi ushqimor që na ofrojnë prodhuesit, importuesit dhe AKU, në bashkëpunim me Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), që ka për detyrë parësore të garantoj gjithë zinxhirin e sigurisë dhe cilësisë ushqimore, por që e bën me klientelizëm, institucion që vazhdon ta komandojë akoma “banda” LSI, nëpërmjet një juristi që më shumë bën “analizat se më cilën parti duhet të shkojë” para e pas çdo palë zgjedhjeve poltike, sesa analizat e produkteve ushqimore.

Ky shërbim qendror kontrolli laboratorik, vazhdon të funksionojë si “bunker” i analizave të ushqimeve që konsumojnë njerëzit dhe kafshët, e që janë të lidhura, mbasi sëmundjet dhe falsitetet në ushqimet e kafshëve, përcillen tek ushqimi njerëzor nëpërmjet mishit, qumështit, bulmetarve, shpendëve, vezëve, prodhimeve të detit e vaskave, gjë të cilën drejtori i ISUV Taulant Kalo e di mirë, sepse ka edhe vetë biznes me rrjet tregu e restorantesh prodhime deti e vaskash.

Kjo qendër kombëtare laboratori, që ka nën kontroll edhe laboratorët veterinar në mbarë vendin, që verifikon kontrollet e analizon edhe analizat e AKU së “Gimes”, po lejon të futen në treg ushqime që “vrasin” shëndetin dhe jetën e konusmatorit, lejon të përdoren në ferma bagëtish ushqime kimkisht të përpunuara e kancerogjene, lejon të futen e të shiten në treg farëra e pesticide që helmojnë perimet, zarzavatet, frutat, bazën ushqimore të bagëtive.

Ky ISUV-i “bunker” i LSI, lejon të importohen dhe shiten në farmacitë bujësore e veterinare, barna dhe medikamente që stimulojnë fiktivisht pjekjen e përshpejtuar, peshën, sasinë, formën dhe “zbukurimin” e produktit, fakte që ndeshen në peshën e bagëtive të trasha e të imëta, perimeve, zarzavateve frutave,
peshkut, derrave, pulave, shumica e të cilave ushqehen me vitamina të hedhura në ushqim.

Në Shqipëri, lejohen falsitetet dhe përbërësit kimikë në fabrikat e bulmetrave, të ëmbëlsirave, fabrikat e miellit, bukës, prodhimeve të brumit ushqimeve për fëmijë, cokollatat, akulloret, “Fast-Food”, byrektoret, biskotat e sidomos fabrikat e sallamrave, të cilat sipas analizave të ISUV-it të LSI-së, hedhin në treg sallamra “me mish viçi vendi të freskët” me çmim 300-500 lekë kilogrami, kur mishi i viçit në treg është minimalisht… 800 lekë/kg!

Ka shumë produkte vendi e importi, që jo vetëm prodhohen, ambalazhohen, certfikohen e tregtohen me etiketa, marka, letra kontrolli e importi, analiza false në dogana e në laboratorët e AKU dhe të Shëndetit Publik, por çuditërisht marrin edhe nga ISUV-i i LSI, “vulën” zyrtare: “Ka siguri dhe cilësi sipas standardeve të lejuara prej BE”. A është realiteti i sigurisë dhe cilësië ushqimore në Shqipëri, siç deklaron ky “bunker” kontrolli e analizash? (Vijon)./Pamfleti

Aktualitet