Kosova20 Dhjetor 2022, 22:19

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Nëntë zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës të cilët kanë patrulluar në pjesët e barrikaduara në veri, janë transportuar nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, për shkak të gjendjes së tyre jo të mirë shëndetësore.

Nga zyra për informim e KFOR-it, kanë bërë të ditur për Pamfletin se transportimi i këtyre policëve ka ndodhur prej kur janë vendosur barrikadat në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

“KFOR-i është në kontakt të ngushtë me PK-në dhe për t’i përkrahur ata kemi transportuar me tokë 9 policë të cilët janë ndjerë të sëmurë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Teksa u njoftua se këta policë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, nuk është bërë e ditur se nga çfarë probleme vuajnë.

Nëntë barrikada të vendosura në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, janë duke mbajtur të mbyllura për qarkullim të dyja pikat kufitare për 11 ditë me radhë.

Në ditën e 11-të, Policia e Kosovës ka thënë se situata e krijuar si pasojë e bllokimit të rrugëve janë krijuar rrethana të reja pune dhe ka ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të zonës, që nuk mund të lëvizin lirshëm e të kenë qasje në shërbimet e nevojshme.

“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë të martën.

Bllokadat në veri janë ngritur qëkur Policia arrestoi ish-policin serb, Dejan Pantiç, si të dyshuar për sulmet ndaj Policisë dhe KQZ-së në tentimin për t’i organizuar zgjedhjet në mes të dhjetorit.

Prishtine Bërnjak Jarinjë KFOR Policia e Kosovës

Kosova