Kosova17 Dhjetor 2022, 13:40

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se greva e pezulluar në tetor, mund të rikthehet pas përfundimit të gjysmëvjetorit të parë.

Ai ka adresuar kritika për Qeverinë, duke thënë se përfundimi i gjysmëvjetorit të parë shkollor është në mjegull, derisa kërkon dialog nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në mënyrë që të qartësohet se kur do të mbyllet saktë.

Jasharaj nuk e ka mohuar mundësinë për rikthimin e grevës, pasi sipas tij, ajo nuk është e mbyllur. Ai tha se nëse qeveria nuk i mban fjalët për ligjin e pagave do të bisedojnë me anëtarësinë se si duhet të veprojnë.

“Kur pezullohet greva nuk është e mbyllur dhe si e tillë mbetet si mundësi të rikthehet. Ne edhe opinionit ja kemi bërë të ditur se janari është muaji i cili do të vendoset ku tutje. Lajmet që i marrim e që nuk janë zyrtare për Ligjin e pagave, sepse ishte edhe ky ligj në të kaluarën, jo vetëm SBASHK-u, por veçmas SBASHK-u dhe sindikatat e tjera i dërgoi në grevë. Unë besoj se greva ka ndikuar që qeveria ta shpejtojë procesin, ngase fillimisht kishte premtuar në mars, pastaj qershor. Po u bë një ligj me këto paga që janë, nuk na duhet asgjë, pra çdo gjë varet nga Qeveria dhe ne janarin do ta presim me entuziazëm, por edhe me atë sfidën që nëse nuk ndodhin gjërat si duhen”, theksoi Jasharaj për KSP.

Më 22 dhjetor Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare, për të shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik. SBASHK-u ka kërkuar që të merren parasysh kërkesat e tyre.

Prishtine Albin Kurti Greva në arsim Rrahman Jasharaj SBAShK

Kosova