Sport17 Prill 2018, 20:11

Kamer Qaka merr ofertë 500 mijë euro nga Gimnastic, Panuci i jep ultimatum të mos largohet nga Rumania

Shkruar nga Pamfleti
Kamer Qaka merr ofertë 500 mijë euro nga Gimnastic, Panuci i jep

Kamer Qaka merr ofertë 500 mijë euro nga Gimnastic, Panuci i jep ultimatum të mos largohet nga Rumania

Kombëtarja zhgënjeu në miqësoren e fundit ndaj Norvegjisë, por lojtarët po marrin oferta të shumta në këtë periudhë, duke dëshmuar se lojtarët kuqezi janë rritur ndjeshëm në këtë periudhë dhe kanë shanse të mira të lëvizin në treg. Mesfushori shqiptar kërkohet nga skuadra e Club Gimnastic Tarragona, që militon në Segunda Division në Spanjë. Gimnastic renditet në vendin e 16-të në kategorinë e dytë spanjolle. Gimnastic ofron 500 mijë euro për kartonin e Qakës.

Sipas mediave rumune, trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi e ka këshilluar Qakën që të qëndrojë deri në verë te rumunët e Politehnica Iasi dhe më pas të transferohet në Spanjë. Emisarët e klubit të Gimnastic e kanë vëzhguar Qakën në takimin kundër Steaua Bukuresht në Rumani dhe në sfidën Shqipëri-Norvegji, në miqësoren ku mesfushori luajti vetëm 44 minuta dhe u largua për shkak dëmtimi.

Presidenti i klubit rumun të Politehnica Iasi, Adrian Ambrose ka konfirmuar interesimin e spanjollëve për Qakën. “Qaka dëshiron të qëndrojë në Iasi dhe në verë do të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet. Por, fakti është se kryetari i bashkisë nuk ka çelur fonde për klubin dhe jemi në vështirësi financiare”, tha presidenti i klubit rumun ku bën pjesë mesfushori shqiptar, duke konfirmuar se shitja e Qakës është një mundësi për të shtuar buxhetin.

Për mesfushorin 23-vjeçar kuqezi kanë shprehur interes edhe skuadrat e CSU Craiova, Steau Bukuresht, Getafe, Las Palmas, Girona dhe Sporting Braga. Klubi rumun i Politehnica Iasi ka caktuar çmimin për Kamer Qakën: 1 milion euro! Dhe ka bërë të qartë se dëshiron ta shesë për shkak se i nevojiten paratë. Orët në vijim janë vendimtare. /Pamfleti Sport

Sport