Aktualitet24 Prill 2019, 11:41

Kandidatët presidencialë në Maqedoninë e Veriut konkurrojnë për votat e shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti
Kandidatët presidencialë në Maqedoninë e Veriut

Kandidatët presidencialë në Maqedoninë e Veriut konkurrojnë për votat e shqiptarëve

Shkruan Goce Trpkovski 

Rezultatet nga raundi i parë i votimit tregojnë se Social Demokratët në pushtet nuk kanë marrë të njëjtën mbështetje nga shqiptarët etnikë të vendit, siç bënë gjatë dy zgjedhjeve të mëparshme në vitin 2017 dhe 2016.

Në të njëjtën kohë, partnerët më të vegjël të social demokratëve në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, që ende konsiderohet si partia më e madhe etnike shqiptare në vend, gjithashtu nuk arriti “të siguronte” mjaftueshëm vota për kandidatin e përbashkët presidencial të koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski.

Pendarovski e kaloi me shumë pak vota kundërshtaren e tij kryesore, Gordana Siljanovska nga partia e krahut të djathtë VMRO DPMNE, në votimin e së dielës, që u shënua me një pjesëmarrje të ulët prej rreth 41 për qind.

Pjesëmarrja në 15 komunat me shumicë shqiptare në vend ishte e ulët, pasi rreth 110,000 më pak votues shkuan për të hedhur votat e tyre në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017. Krahasuar me referendumin e emrit  të mbajtur në shtator, votuan rreth 80,000 më pak votues.

Shqiptarët etnikë përbëjnë afërsisht një të katërtën e popullsisë së vendit prej 2.1 milionë banorësh.

Të vetëdijshëm për këtë, Pendarovski dhe Siljanovska, dy kandidatët që do të konkurrojnë në raundin e dytë më 5 maj, nuk kanë humbur kohë për të kërkuar mbështetje nga shqiptarët që votuan në raundin e parë dhe të cilët më së shumti votuan në favor të kandidatit shqiptar etnik Blerim Reka, i cili doli i treti dhe kështu nuk do të garojë në raundin e dytë.

Siljanovska dërgoi një mesazh se votuesit që zgjodhën Rekën, që ishte kandidati i dy partive më të vogla opozitare shqiptare, duhet ta mbështesin atë në raundin e dytë, pasi ajo është gjithashtu një kandidate e opozitës.

Kryeministri Zoran Zaev, i cili kryeson socialdemokratët, këmbënguli se mbështetësit e Rekës “e dinë ç‘është më e mira”, duke argumentuar se ka pak dallim midis platformës së Rekës dhe asaj të Pendarovskit.

Por Reka dhe partitë që e mbështetën atë këmbëngulën se nuk do t’i bëjnë thirrje votuesve të tyre të mbështesin ndonjë kandidat të veçantë në balotazh, duke i lënë zgjedhësit të lirë të vendosin vetë.

E gjithë kjo tregon një luftë të ashpër në raundin e dytë për çdo votë individuale. Pa marrëveshje ndërpartiake midis dy raundeve, dy kandidatët e mbetur do të përpiqen të tërheqin jo vetëm shqiptarët që kanë votuar për Rekën, por edhe ata që abstenuan në raundin e parë.

Pjesëmarrja në disa zona arriti rreth 20 për qind

Armend Nuhiu, një përkthyes i cili jeton në qytetin veriperëndimor të Tetovës me shumicë shqiptare, ishte midis atyre që vendosën të mos votonin të dielën.

Nuhiu është i njohur në rrjetet sociale si një nga komentatorët më aktivë për ngjarjet politike dhe konsiderohet si një njeri që nuk ka kufij etnik kur është fjala për politikën dhe sferën publike.

Këtë herë ai zgjodhi të shprehte pikëpamjet e tij politike duke mos marrë pjesë: “Për herë të parë në jetën time nuk do të votoj në zgjedhje dhe kjo ndjenjë është e veçantë dhe sublime. Fenomenale,” shkroi Nuhiu në Facebook.

Ashtu si Nuhiu, 70 për qind e votuesve në Tetovë gjithashtu nuk morën pjesë në votime. Por me 30 për qind të njerëzve që shkuan të votonin, Tetova aktualisht kishte një nga pjesëmarrjet më të mëdha në mesin e komunave të dominuara nga shqiptarët etnikë të vendit.

Vetëm komunat e Strugës, Çairit dhe Kërçovës shënuan një pjesëmarrje të ngjashme ose pak më të lartë. Qyteti i Dibrës i kryesoi këto komuna me një pjesëmarrje prej 44 për qind, pak më shumë se mesatarja kombëtare e mbi 41 për qind.

Nga ana tjetër, komuna rurale e Araçinovës pranë Shkupit, pavarësisht se drejtohet nga një kryetar shqiptar etnik nga radhët e Social Demokratëve, kishte një pjesëmarrje prej vetëm 25 për qind. Saraj shënoi një pjesëmarrje prej 23 për qind dhe Likova me vetëm 19 për qind.

Komente në rrjetet sociale nxorën në pah shkaqe të ndryshme për këtë pjesëmarrje të ulët mes shqiptarëve, nga shkaqet subjektive si zhgënjimi nga situata aktuale dhe mungesa e një oferte më të mirë politike, deri tek ato më objektivet si niveli i lartë i migrimit, që do të thotë se shumë votues janë të listuar në listat zgjedhore, por në të vërtetë jetojnë në Europën Perëndimore.

Për Nuhiun, arsyet janë mjaft të thjeshta.

“Pjesëmarrja e shqiptarëve etnikë është e ulët, sepse ata, si maqedonasit, po prisnin përmirësim ekonomik dhe të sundimit të ligjit nën qeverinë e udhëhequr nga Social Demokratët pasi ata erdhën në pushtet në vitin 2017. Shumë shqiptarë që votuan për social demokratët në zgjedhjet e kaluara për të ndëshkuar BDI-në u zhgënjyen kur Social Demokratët bënë një aleancë me BDI-në,” tha ai.

“Kjo doli në pah kur kryeministri Zaev mori PDSH-në e Menduh Thaçit që të ishte pjesë e aleancës. Midis shqiptarëve, kjo parti është sinonim për sundimin despotik dhe vëllazërinë me ish-partinë në pushtet e tashmë në opozitë, VMRO DPMNE,” shtoi ai.

BDI ishte një partner i vogël qeverisës i partisë së djathtë VMRO DPMNE gjatë sundimit të saj autoritar nën drejtimin ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Kur VMRO DPMNE, e cila, ndër të tjerash akuzohet për shtyrje të politikave anti-shqiptare, më në fund u rrëzua nga pushteti në mes të vitit 2017, BDI ndërroi anë dhe iu bashkua qeverisë së re të Zaevit. Pa të, Zaev nuk do të kishte shumicën në parlament.

PDSH-ja e Thaçit zyrtarisht nuk ishte pjesë e qeverisë së Gruevskit, por u pa si shumë pranë rrethit të ish-kryeministrit. PDSH-ja vitin e kaluar gjithashtu iu bashkua qeverisë së Zaevit si pjesë e përpjekjes së tij për të forcuar shumicën e tij të vogël në parlament.

Raundi i dytë mund të shohë një pjesëmarrje më të madhe

Analisti politik Sefer Tahiri identifikoi tre arsye kryesore për pjesëmarrjen e ulët në mesin e shqiptarëve. Arsyeja kryesore, tha ai, ishte emigrimi, pasojat e të cilave po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Arsyeja e dytë, sipas Tahirit, ishte se disa shqiptarë nuk donin të votonin për Rekën, por nguruan të votonin për një kandidat presidencial etnik maqedonas dhe kështu zgjodhën të mos votonin fare.

Arsyeja e tretë, tha ai, ishte apatia dhe pakënaqësia për dështimet ekonomike, nepotizmin dhe korrupsionin.

“Unë mendoj se kjo pengesë psikologjike do të tejkalohet në raundin e dytë dhe se më shumë qytetarë do të marrin pjesë në votime,” tha Tahiri.

“Edhe pse disa votues kontrollohen nga partitë politike, kryesisht votues punësuar në administratën publike, mendoj se shumica e shqiptarëve do të bëjnë një zgjedhje që do të jetë e pavarur nga thirrjet e partive politike. Unë pres që ata do të zgjedhin të votojnë në shifra më të mëdha,” parashikoi ai./BIRN

Forum Goce Trpkovski kandidatët presidencialë në Maqedoninë e Veriut votat e shqiptarëve