Kreu i Vetvendosjes Albin Kurti gjatë një vizite në qytetin e Drenasit ka folur për zgjedhjet e 14 shkurtit.
I pyetur nga gazetarët ai tha se është informuar për të rejat e fundit për zgjedhjet, pasi ka qenë i zënë duke takuar qytetarët. Ai gjithashtu tha se siç ka dorëzuar listat e emrave ashtu duhet që të mbahen zgjedhjet pasi është e drejtë njerëzore dhe civile. Në fund të fjalës së tij Kurti tha se duhet që ta bëjnë 14 shkurtin ditë të demokracisë përveç të dashurisë që është.
“Për besë nuk i kam përcjellë lajmet, sepse jam duke takuar qytetarët. Besoj që është e drejtë elementare, njerëzore dhe civile që siç i kemi dorëzuar listat edhe të garojmë dhe 14 shkurtin që është festë e dashurisë ta bëjmë edhe të demokracisë,” tha ai.
Në 20 janar KQZ nuk e çertifikoi Kurtin për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentarë të 14 shkurtit.
Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, pasi ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.