Kaq pa mend po sillet Voltana Ademi sa edhe ministri i Ramës, Sandër Lleshaj, sot dukej si ëngjëll përpara saj.
COVID19
Shifrat zyrtare: 377 të prekur, 22 vdekje të regjistruara
Karantina po kthehet në politikë. Nuk është fjala vetëm për deklaratat e Sali Berishës apo Ilir Metës për dhjetra personat e mbetur në tokën neutrale, në kufi me Greqinë. Për këta qeveria vendosi: rezidentët shqiptarë do të karantinohen për 14 ditë në hotel, me shpenzimet e tyre, ndërsa rezidentët grekë do të kthehen mbrapsh.
Molla e sherrit tani është Shkodra. Në kryeqendrën e veriut COVID19 nuk po merret seriozisht pavarësisht rasteve të konstatuara dhe vdekjeve. Kryetarja e kësaj bashkie, Voltana Ademi, ka ditë që lëshon deklarata kundër qeverisë, duke kërkuar testime për popullatën dhe dizenfektimin e ambjenteve publike edhe në Shkodër. Me pak fjalë, kryetarja në detyrë e përjashton veten nga çdo përgjegjësi, qoftë edhe atë të pastrimit dhe dezinfektimin, punë që në fakt është përgjegjësi e pushtetit lokal dhe jo atij qëndror. Më keq akoma, Ademi nuk është parë deri tani të mbajë anën e mbrojtjes së popullatës nga virusi i panjohur, që, si për gjithë botën, është mbyllja në shtëpi dhe distancimi fizik.
Deklaratat kanë pasuar njëra-tjetrën, ndërsa sot, puna ka shkuar në një konfrontim më të ashpër. Ministri i Rendit, Sandër Lleshaj ka inspektuar sot Shkodrën. Pamjet e transmetuara gjatë vizitës së tij, tregonin çuditërisht një qytet, thuajse në jetë normale. Tregu plot, njerëzit në rrugë dhe as që diskutohej për distancim fizik e aq më pak për karantinim. Shkodra nuk duket se dëgjon nga ai vesh, ndërsa kryetarja e bashkisë zor se e ka syrin për bashkëpunim.
Madje vizitën e Lleshajt ajo e ktheu në akuzë për Ramën duke thënë se të dy po “sulmon shkodranët”. Në deklaratën e saj të gjatë, Voltana është ankuar për testet, për pagesat financiare nga Fondi i akorduar nga qeveria që, sipas saj, nuk kanë mbërritur në Shkodër ende, për ndihmën ushqimore – vetëm me 200 pako – për shëndetësinë që nuk po funksionon.
Si përfundim, Voltana ka zgjedhur të bëjë politikanen në ditën e gabuar dhe në kohën e gabuar. Sepse aq gjatë sa foli, nuk u dëgjua asnjëherë ti drejtohej bashkëqytetarëve të saj të respektonin masat e vendosura nga qeveria dhe të ruanin jetën e tyre dhe njerëzve të afërt. Fundja siç i takon të kujdeset një kryetari bashkie. Mund të bëjë politikë natyrisht, nga mëngjesi në mbrëmje, por pasi të ketë kryer detyrat e veta funksionale, siç ia kërkon posti por edhe situata e jashtëzakonshme.
Kaq pa mend po sillet Voltana Ademi sa edhe ministri i Ramës, Sandër Lleshaj, sot dukej si ëngjëll përpara saj. Në përgjigje të lumit të derdhur nga Voltana, Lleshaj u përgjigj urtë e butë, pa akuza, por thjeshtë duke përshkruar atë që gjeti në Shkodër./Pamfleti