Aktualitet25 Prill 2018, 15:42

Kardiokirurgu: Kjo është gjëja e parë që duhet të bëni menjëherë kur dyshoni për infarkt! Shpëtoni jetën

Shkruar nga Pamfleti
Kardiokirurgu: Kjo është gjëja e parë që duhet të

Kjo është ndihma e parë që jepet kur dyshohet për infarkt

Nga Sabjan Memishaj, kardiokirurg

Veprimi i parë është lajmërimi i ambulancës. Duhet t’ia bëni të ditur qendrës së emergjencës se dyshoni për një infarkt, në mënyrë që të niset një ekip i specializuar i kardiologjisë së bashku me ambulancë.

Gjithsesi, nëse dyshoni për infarkt, ju duhet të jepni ndihmën e parë ndërkohë që prisni për ambulancën, pasi nuk ka kohë për të humbur.

Duhet t’i jepni të sëmurit pozicionin e duhur: i sëmuri shtrihet në shpinë dhe i vendoset diçka nën kokë, në mënyrë që koka të qëndrojë më lart se trupi. Sipërfaqja në të cilën shtrihet i sëmuri duhet të jetë e sheshtë dhe e fortë. Këmbët duhet të mbahen të përthyera në gju. Ky lloj qëndrimi lehtëson punën e zemrës dhe ju jep kohë për të marrë veprime të tjera.

Më pas duhet të merreni me qetësimin e të sëmurit, në mënyrë që të mos ndryshojë pozicionin për shkak të ankthit. Një nga shenjat e tjera të infarktit të miokardit është frika nga vdekja, e cila i nxit të sëmurët të mos mbajnë pozicionin e lartpërmendur. Duhet me fjalë ta qetësoni të sëmurin.

Një nga shenjat e infarktit akut të miokardit është vështirësia në frymëmarrje, duhet të merren masa për të shtuar sasinë e oksigjenit. Nëse ndodhet në shtëpi, hapet kondicioneri për ajrosje ose dhe hapen dritaret për të përmirësuar oksigjenin në dhomë. Lehtësohet pjesa e sipërme e të sëmurit, duke hequr gjërat rreth qafës dhe duke hapur rrobat në pjesën e sipërme të trupit.

Për qetësimin e dhimbjes vendoset nitroglycerine (trinitrin një tablet) nën gjuhë dhe jepet analgin ose ndonjë ilaç tjetër antinflamator për qetësimin e dhimbjes. Jepet një tabletë aspirinë 500 mg tab nga goja.

Nëse me gjithë masat e marra nuk ka përmirësim të gjendjes klinike, duhet të ndiqet gjendja e të sëmurit me kujdes. Kontrollohet frymëmarrja, pulsi, rrahjet e zemrës. Nëse është e mundur, matet tensioni, i cili mund të zvogëlohet së bashku me dobësimin e muskulit të zemrës.

Nëse i sëmuri humbet vetëdijen, pulsi bëhet i dobët, nëse nuk dëgjohen të rrahurat e zemrës, atëherë ekziston një mundësi shumë e madhe që zemra ka ndaluar së rrahuri. Ky është një moment kritik në dhënien e ndihmës së parë. Në këto kushte bëhet një goditje me grusht në qendër të gjoksit. Ky veprim mund të rikthejë ritmin e zemrës. Nëse edhe pas kësaj i sëmuri nuk ka puls, duhet filluar asistenca zemër –mushkëri.

Indikacionet për fillimin e ndihmës zemër-mushkëri përfshijnë mungesën e dy apo tre shenjave vitale:

1)mungesa e frymëmarrjes;

2)mosdëgjimi i rrahjeve të zemrës;

3)humbja e vetëdijes;

4)mungesa e pulsit.

Ndihma zemër –mushkëri përfshin:

1. Masazhin kardiak. Dora e djathtë vendoset mbi të majtën dhe bëhet shtypja ritmike në mes të gjoksit. Kjo shtypje duhet të jetë dy herë në sekondë dhe thellësia e shtypjes duhet të jetë të paktën 5 cm, në mënyrë që kjo procedurë të jetë efikase. Krahët e të sëmurit duhet të hapen anash në mënyrë që i sëmuri të mos lëvizë gjatë procedurës. Ndalimi i shtypjes bëhet për të parë rikthimin e pulsit apo jo në qafë apo në dorë ose për të bërë frymëmarrjen artificiale.

2. Frymëmarrja artificiale. Kjo lloj frymëmarrje bëhet gojë në gojë. Merret frymë thellë dhe ajri fryhet me presion në gojën e të sëmurit, ngritja e kraharorit tregon për efikasitet të procedurës. Për çdo 5 shtypje të gjoksit bëhet një frymëmarrje artificiale. Ndërkohë ndiqet nëse është rikthyer pulsi apo jo. Nëse pulsi kthehet, ndihma zemër –mushkëri ndalon, nëse nuk kthehet, atëherë ndihma vazhdon deri në arritjen e ambulancës.

Shendeti