Politike18 Gusht 2019, 21:59

“Këmbanë alarmi!”, kur Ilir Meta sillet si ati i kombit: Palët të reflektojnë urgjentisht, Shqipëria po vuan

Shkruar nga Pamfleti
“Këmbanë alarmi!”, kur Ilir Meta sillet si ati i kombit:

Presidenti Ilir Meta i ftuar në emisionin “Kojshia Show” në RTV21 ka folur sot në mbrëmje edhe për krizën e rëndë politike në Shqipëri, duke përsëritur thirrjen e tij drejtuar të gjithë politikanëve për të vënë interesat e vendit mbi interesat e tyre personale. Sipas Metës, e vetmja zgjidhje për krizën e rëndë janë zgjedhjet.

Gazetari:A do të thotë kjo që do të ishte më i rëndësishëm nëse do të rikthehej Sali Berisha në këto momente të vështira. Cili do të ishte më i mirë për politikën shqiptare, Doktori apo Piktori?

Presidenti Meta: Nuk do të dëshiroja të bazohesha tek individët, te karakteristikat e tyre. Shqipëria ka nevojë për një…

Gazetari:…Cili do të ishte më i nevojshëm për Shqipërinë?

Presidenti Meta: Për Shqipërinë është e nevojshme që të gjithë politikanët të vënë interesat e vendit mbi interesin e axhendave të tyre afatshkurtra. T’i shërbejnë stabilitetit të vendit, dialogut politik, forcimit të institucioneve demokratike, sidomos institucioneve të pavarura.

Shqipëria po vuan një largim serioz të të rinjve, të gjeneratës më krijuese dhe më të domosdoshme për zhvillimin e vendit dhe kjo ndodh për shkak të këtij konflikti që vazhdon në Shqipëri në një mënyrë skizofrenike do të thoja, edhe pas 30 vjetësh. Është një konflikt tërësisht artificial dhe që është një këmbanë alarmi për të reflektuar të gjithë urgjentisht.

Nuk mund të jetë Shqipëria, për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, një shembull frymëzimi dhe pozitiv, në këtë mënyrë siç zhvillimet e fundit kanë ndodhur në vendin tonë për fat të keq.

Gazetari:Meqenëse jemi te zgjedhjet në Shqipëri. Ju keni thënë se “zgjedhjet janë zgjidhja”…

Presidenti Meta: Nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve. Vetëm përmes tyre mund të rivendoset demokracia në shinat e saj. Po kështu mund të funksionojë një drejtësi e pavarur dhe një ekonomi për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për atë që unë e quaj një pakicë që nuk njeh rotacion dhe që përfiton me të gjitha qeveritë, duke bërë ligje të veçanta, për persona të veçantë dhe për interesa të veçanta, në dëm të interesit publik dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës.

Politike