Kronike21 Maj 2018, 16:55

Kërkesa e pazakontë 20 të burgosurve në Burrel: Duam rrogë ose ulje dënimi

Shkruar nga Pamfleti
Kërkesa e pazakontë 20 të burgosurve në Burrel: Duam

Të dënuarit e Burgut të Sigurisë së Lartë në Burrel kanë një kërkesë të veçantë. Ata kërkojnë ose ulje dënimi, ose pagën për punën që bëjnë në mjediset e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit. Këtë “privilegj” ata e kërkojnë pasi në burgjet e tjera të Shqipërisë aplikohet, ndërsa në atë të Burrelit nuk zbatohet. Janë më shumë se 20 të dënuar, të cilët i janë drejtuar ditë më parë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me kërkesën për uljen e dënimit 4.5 ditë në muaj ose përfitimin e pagës minimale që është 24 mijë lekë në muaj.

“Në burgjet e tjera të vendit, çdo i dënuar që punon në mirëmbajtjen e terrenit, lulishte apo punë të tjera brenda rrethimit të jashtëm të burgut përfiton 4.5 ditë ulje dënimi, pra, afro 45 ditë në vit. Shto këtu dhe tre muaj kur sjellja vlerësohet korrekte.

Çuditërisht, kjo gjë nuk zbatohet vetëm në Burgun e Burrelit. Ndërsa në burgjet e tjera të vendit ne kemi dijeni se të dënuarit përfitojnë ulje dënimi për punët që kryejnë”, shprehen të dënuarit e burgut të sigurisë së lartë. Mësohet se është hera e parë pas shumë viteve që ky shqetësim i të burgosurve po merret në konsideratë, madje, sipas burimeve, në projektligjin e ri të burgjeve do të përfshihet edhe pagesa e të dënuarve për punët që bëjnë ose ulja e dënimit. Sakaq, zyrtarë të Burgut të Burrelit theksojnë se çështja është më e ndërlikuar nga ç’mendohet, pasi kjo kërkesë e të dënuarve mund t’i kushtojë shumë financës së Drejtorisë së Përgjithshme.

“Të dënuarit e burgut tonë përfitojnë vetëm pak orë ajrim më shumë se të dënuarit e tjerë, ndërsa ulje dënimi dhe pagesë nuk ka. Ulja e dënimit është penguar nga një vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vendim ky që zbatohet vetëm për Burgun e Burrelit. Nëse ndonjë i dënuar siguron avokat të mirë, ka gjasa që ai të kërkojë pagën për të gjitha vitet që ka punuar dhe nuk është paguar. Kjo do të sillte një faturë financiare për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”, nënvizuan burime pranë Burgut të Burrelit për “Panorama”.

E rëndësishme është se ankesa e 20 të dënuarve të Burgut të Sigurisë së Lartë do të merret në konsideratë dhe mund të hyjë në rrugën e zgjidhjes brenda këtij viti. Tashmë, pritet, që listës së të burgosurve që kërkojnë të paguhen për punën e kryer, t’i shtohen edhe të dënuar të tjerë. Siç mësohet, personat që kryejnë punë brenda rrethimit të jashtëm të burgut, siç është mirëmbajtja e lulishteve dhe punëve të tjera të kësaj natyre, janë kryesisht me dënime jo të rënda.

Çka do të thotë, se për të dënuarit përjetë apo ata të tjerë që kanë kryer vepra të rënda penale dhe kanë marrë dënime maksimale, nuk mund të bëhen pjesë e kësaj kërkese. Kjo pasi për çështje sigurie ata nuk bëhen dot pjesë e punimeve në rrethimin e jashtëm të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, pasi ekziston mundësia e ndonjë tentative për arratisje të mundshme.

Tashmë, pritet që kërkesa e të dënuarve të merret në shqyrtim, por nuk ka asnjë të dhënë nëse kjo kërkesë e tyre do të merret në konsideratë dhe ata të mund të paguhen për punët që kryejnë. Mjaft prej tyre pretendojnë të ndihmojnë familjet me pagën që mund të marrin, pasi kanë lënë jashtë fëmijët pa asnjë mundësi dhe të ardhur tjetër.

Kronike