Kulture27 Shtator 2018, 11:36

Kërkimet arkeologjike në Bulqizë, zbulojnë një fortifikim të periudhës së Skënderbeut

Shkruar nga Pamfleti
Kërkimet arkeologjike në Bulqizë, zbulojnë një

Kërkimet arkeologjike në Bulqizë, zbulojnë një fortifikim të periudhës së Skënderbeut

Ngjitja deri aty është gati e pamundur edhe kur nuk ka ushtri që ta ruajnë. Një kodër rreth 1 mijë metra mbi nivelin e detit, në formën e një koni, në fund të një rrëpire në Valikardh të Bulqizës, të cilën banorët e njohin si “Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut”, ka tërhequr sëfundmi vëmendjen e arkeologëve.

Kodra është përmendur në një buletin arkeologjie në vitet ’50 nga arkeologu i njohur Hasan Ceka, por deri sëfundmi askush nuk ishte interesuar se çfarë gjendej vërtet aty, përveç thesar kërkuesve. Vandalizmi i të cilëve i ra menjëherë në sy arkeologut Adem Bunguri dhe arkitektit Elio Hobdari nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, kur  këtë gusht kryen vëzhgime sipërfaqësore në rrënojat që ndodhen në majë të kodrës.

Vëzhgimet dhe matjet e tyre zbuluan rrënojat e një fortifikimi dhe një cisterne e uji, por arkeologët gjetën që ato kishin qenë pre e kërkimeve të thesar kërkuesëve dhe ishin vandalizuar dhe dëmtuar shumë. “Me atë vëzhgim që bëmë ne, kuptuam se kishim të bënim me përdorimin e një cisterne (vend depozitim uji) nga më modernet që janë përdorur në periudhën mesjetare”, thotë Bunguri.

Rrënojat e një fortifikimi, sipas arkeologut janë në përmasat e një kalaje të vogël besohet se i kanë shërbyer Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në dy betejat e fushës së Vajkalit kundër ushtrive otomane të drejtuara nga Ballaban Pasha. Nga aty është e mundur të kontrollohet hyrja për në fushën e Vajkalit. Sipas historisë Skënderbeu i përdori fortifikimet për të mos lejuar bashkimin e dy ushtrive osmane të dërguara njëkohësisht kundër tij, të cilat më pas i mundi veç e veç në Vajkal dhe Kashar të Tiranës.

“Zbulimi  konfirmon plotësisht dy betejat e Vajkalit mbajtur në këtë zonë. Një kullë fortifikuese, me përmasat le të themi të një kalaje të vogël që kishte për mision kryesor, ruajtjen e rrugës së Arbërit në atë kohë”, thotë profesor Bunguri. Arkeologët besojnë se nga gërmimet e thelluara mund të kuptohet më shumë për stragjitë dhe betejat që u zhvilluan në vitet 1464 dhe 1465.

Mësuesi i historisë në Bulqizë, Gazmir Sejdin i tha BIRN se në zonën e Bulqizës deri më sot thuajse nuk janë zhvilluar gërmime arkeologjike. Ai thotë se zbulimi është një mundësi për kërkime me të thelluara, ndërsa shton se rrënoja të ngjashme si fortifikimi në fjalë janë të rralla “dhe vlerat e tyre kulturore dhe historike duhet të ruhen me fanatizëm”. Sipas tij duhet punë për t’i ruajtur këto zona nga thesar kërkuesit.

Për Sejdin një zbulim i tillë është shumë pak nga ajo se çfarë mban nëntoka e Bulqizës përsa i përket arkeologjisë, sepse në mesjetë ka qenë qendër e një sërë betejash të Skëndërbeut dhe një zonë me rrugë kalime shumë të rëndësishme.

Bunguri, thotë se së bashku me arkitektin Elio Hobdari nga Instituti i Arkeologjisë do punohet që një zbulim i tillë të futet në listën e zonave të mbrojtura dhe që në të ardhmen të ketë një gërmim shumë më të zgjeruar.

Bunguri tregon për BIRN se fortifikime të tilla zgjidheshin nga Skënderbeu për shkak të vështirësive të terrenit dhe pamundësisë së ngjitjes nga ushtritë kundërshtare. Sipas tij zbulimi i rrit vlerat dhe shton potencialin turistik të zonës, por vëren se aty ende mungon sinjalistika dhe nuk ka tabela informuese.

Ndërkohë edhe vëzhgimi sipërfaqësorë arkeologji, ka ngjallur shpresa se kodra megjithëse vështirësisht e aksesueshme është një mundësi për banorët në zhvillimin e turizmit. Lulzim Hupi i cili prej disa vitesh pret turistë të huaj dhe vendas në një kullën afro 200 vjeçare, vetëm 1 orë e gjysëm larg nga “Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut”, beson se një zbulim i tillë arkeologjik është shumë i rëndësishëm.  “Kemi diçka se çfarë mund t’i tregojmë një të huaji kur vjen në Bulqizë, jo vetëm minierën”, thotë ai./BIRN

Arkeologu, prof.dr. Adem Bunguri gjatë vëzhgimit në rrënojat e fortifikimit te “Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut”, në Bulqizë. Foto:Sami Curri.

 

Gjatë vëzhgimit në rrënojat e fortifikimit te “Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut”, në Bulqizë. Foto:Sami Curri.

Histori/Arkeologji kërkimet arkeologjike rrënojat e fortifikimit