Kosova31 Dhjetor 2022, 08:39

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka thënë se ekzistonte realisht mundësia e eskalimit të situatës në veri pas vendosjes së barrikadave.

Ai ka shtuar se autoritetet e Kosovës ishin të gatshme të ndërhynin për t’i larguar ato në momentin e duhur.

“Ekzistonte realisht mundësia e eskalimit të situatës. Por institucionet tona ishin të gatshme të intervenonin në momentin e duhur. Kishte grupe ruse të infiltruara që donin eskalim të situatës. Prandaj ne kishim përkushtim që ato të hiqeshin në mënyrë paqësore”, ka thënë Zulfaj në KTV të premten.

Sipas tij, me barrikada serbët nuk arritën asgjë. Ai përsëriti se heqja e tyre ishte çështje ditësh, nëse barrikadat nuk do të hiqeshin nga serbët.

Për lirimin e Pantiqit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ashtu si Kurti që deklaroi të mërkurën, edhe Zulfaj ka thënë se ka mbetur i habitur.

“Ky nuk ishte vendim i Qeverisë, por i gjyqësorit. Gjyqësori është i pavarur. E kemi shprehur habinë tonë me këtë rast. Gjyqësori është i pavarur, por duhet me dhënë drejtësi. U vërtetua që politika nuk ka ndikim në gjyqësor”, ka deklaruar Zulfaj, duke shtuar se Pantiqi mori trajtimin e duhur nga autoritetet e Kosovës gjatë kohës sa ishte i ndaluar.

Barrikadat në veri u vendosen në mbi 10 lokacione të ndryshime nga 9 dhjetori, si shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulmin ndaj komisioneve komunale zgjedhore. Të mërkurën, Pantiqi u lirua në arrest shtëpiak, ndërsa një ditë më pas, të enjten, barrikadat u hoqën.

Prishtine Albin Kurti Barrikadat në veri të Kosovës Jeton Zulfaj tensionet ne veri te kosoves