Bota 4 Tetor 2018, 19:23

KFOR-i Gjerman heq dorë nga Prizreni, por jo nga Kosova

Shkruar nga Pamfleti

KFOR-i Gjerman heq dorë nga Prizerni, por jo nga Kosova

Pas gati 20 viteve të pranisë së trupave gjermane të KFOR-it në Prizren, baza u dorëzohet autoriteteve kosovare. Objektet e kësaj baze do të shndërrohen në një park inovativ dhe ekonomik për brezin e ri.

Baza e trupave gjermane të KFOR-it në Prizren këtej e tutje do të shndërrohet në një park inovacioni dhe arsimimi profesional. Qeveria gjermane bashkë me qeverinë e Kosovës kanë vendosur, që kjo bazë pas tërheqjes së kontigjentit gjerman të KFOR-it të parashikuar deri në dhjetor të shfrytëzohet për politikën e zhvillimit, deklaroi Ministria gjermane e Zhvillimit të enjten(04.10)duke prezantuar zyrtarisht hapjen e këtij projekti.

“Gjermania bashkë me ekonominë krijon perspektiva më të mira për njerëzit në Kosovë përmes kualifikimit profesional, inovacionit dhe vendeve të kualifikuara të punës”, deklaroi ministri kristiansocial i Zhvillimit Gerd Müller. “Shndërrimi i bazës në Prizren, tregon, se si politika e zhvillimit dhe ajo e sigurisë funksionojnë paralelisht për të kontribuar në stabilizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë.

Teknologjia, bujqësia, ekonomia kreative

Në këtë bazë ndodhen 60 ndërtesa të ngritura nga ushtria gjermane dhe që janë të gatshme për përdorim. Prioritet do të kenë sipërmarrjet nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit (IT), nga bujqësia dhe ekonomia e kreativitetit dhe kulturës.

Sekretarja Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maria Flachsbarth dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn, po qëndrojnë në Kosovë për t’i thënë lamtumirë kontingjentit gjerman të KFOR-it në Prizren. Dy zyrtarët gjermanë, takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kabinetin qeveritar.

Vlerësime për KFOR-in gjerman në Prizren

Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn, tha pas takimit se trupat gjermane për këto vite pas luftës në Kosovë kanë kontribuar në krijimin e paqes dhe stabilitetit dhe kësaj ia kanë arritur. “Vitin e ardhshëm festojmë 20 vjetorin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. KFOR-i gjerman në Prizren në gjithë këto vite është angazhuar për paqe dhe stabilitet, këtë e ka arritur me shumë sukses dhe tash ka ardhur koha që ta përfundojmë këtë përgjegjësi dhe t’ua dorëzojmë në duar autoriteteve kosovare. Për këto 20 vite, 27 ushtarë gjermanë kanë dhënë jetën në Kosovë. Kjo sakrificë sikurse e shumë familjeve kosovare nuk ka shkuar dëm, por ata kanë krijuar paqe dhe stabilitet dhe një perspektivë për gjeneratat e ardhshme”, tha sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn.

Potencial në fushën e IT-së

Maria Flachsbarth, sekretare e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik tha se sot është një ditë historike. “Dita e unifikimit të Gjermanisë bazohet në integrimin e shteteve që na rrethojnë. Kjo është një ditë historike, në të cilën e kalojmë bazën prej shfrytëzimit ushtarak në shfrytëzim civil. Në këtë mënyrë mund të krijohet një bashkëpunim zhvillimor. Dje kam krijuar një pasqyrë të Kosovës dhe është me rëndësi që të rinjve t’iu ofrojmë mundësi. Unë kam parë potencial të madh sidomos në fushën e IT”, tha Maria Flachsbarth.

Mirënjohës për kontributin e ushtarëve gjermanë në Kosovë u shpreh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ushtarët gjerman e kanë kryer me sukses punën. Flamuri gjerman do të mbetet lart përgjithmonë në Kosovë, për shërbimin me nder që e kanë bërë burra e gra gjermane në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj.

44 automjete ushtarake për forcat e Kosovës

Gjermania dhe ushtria gjermane (Bundeswehr-i) do të mbeten edhe më tej aktive në Kosovë. Pas një pranie gati 20-vjeçare në Prizren në jug të Kosovës, Bundeswehr-i e transferon angazhimin e tij në komandën qendrore të KFOR-it në Prishtinë (Camp Film City) me vetëm 70 ushtarë. 10 ditë më parë, trupat gjermane të KFOR-it i dorëzuan Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), 44 automjete ushtarake dhe pajisje tjera për ta forcuar këtë trupë.

Gjeneral Brigade Uwe Becker nga KFOR-i gjerman tha, se ky kontingjent gjerman është afër përfundimit të një kapitulli të hapur në qershor të vitit 1999 kur forca paqeruajtëse e NATO-s hyri në Kosovë pas largimit të forcave të armatosura serbe.

“Është rezultat i angazhimit ndërkombëtar dhe kombëtar për të ndihmuar Kosovën për të mirë. Jam i bindur se jemi në rrugën e duhur, Gjermania kontribuon në misionin e KFOR-it që nga viti 1999′, tha Gjeneral Brigade Becker.

Oficerja për media pranë Kontingjentit gjerman të KFOR-it, në Kampin Fushor-Prizren, Denise Alten, nga ana e saj thotë se “Gjermania në vitin 1999 përbënte pjesëmarrjen e dytë me të madhe me 6.500 ushtarë në Kosovë, numër ky që është zvogëluar gradualisht”. Aktualisht në Kosovë gjenden vetëm 360 ushtarë gjermanë.

“Një ndërhyrje e forcave të KFOR-it nuk ka qenë e nevojshme në vitet e shkuara dhe aktualisht edhe nuk pritet në të ardhmen. Republika Federale e Gjermanisë ka vendosur në harmoni me strategjinë e NATO-s dhe në përputhje me partnerët e saj ndërkombëtarë të NATO-s që ta zvogëlojë edhe më tutje kontributin e Bundeswehr-it në misionin e KFOR-it deri në fund të vitit 2018”, ka thënë togerja Alten.

Gjermania pos pranisë ushtarake, që nga përfundimi i luftës ka investuar në Kosovë mbi 500 milion euro, duke u renditur kështu si donatori më i madh për Kosovën. Përfundimi i misionit ushtarak gjerman në jug të Kosovës, ndodh pikërisht në kohën kur autoritetet kosovare me ligj po duan që ta shndërrojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK)në ushtri të Kosovës, por pa i ndryshuarr emrin, për shkak të kundërshtimit të serbëve të Kosovës. Komisioni parlamentar për siguri procedoi të mërkurën (03.10)në kuvend tri projektligjet që ia mundësojnë FSK-së shndërrimin në ushtri. Këto projektligje mund të miratohen me një shumicë të thjeshtë. / DW

 

Ballkani KFOR-i Gjerman heq dorë nga Prizerni por jo nga Kosova