KLD drejt kaosit vetingu “fundos” Zaganjorin dhe Brocin, Gjin Gjoni dhe Haxhialushi pa mandat

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi i radhës që rrezikon kolapsin. 21 gjykata në vend kanë mbetur pa kryetarë pasi iu ka mbaruar mandati, duke e zhytur kështu gjyqësorin në kaos. Por duket se listës rrezikon t’i shtohet edhe KLD, qoftë për shkak të rezultateve të vetingut, qoftë prej afatit të mandatit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në total ka 13 anëtarë: Ilir Meta, Etilda Gjonaj, Xhezair Zaganjori, Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Gjin Gjoni, Vangjel Kosta, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Gerd Hoxha, Neritan Cena dhe Ridvan Hado. 

Dy prej këtyre emrave kanë patur probleme me procesin e vetingut. Artan Broci u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak të problemeve me pasurinë, ndërsa i njëjti fat mund ta presë edhe Xhezair Zaganjorin. Kryetari i Gjykatës së Lartë arriti të merrte rikonfirmimin në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, mirëpo ai rrezikon shkarkimin nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Dosja e tij u dërgua në Apel nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkak të problemeve të shumta me pasurinë.

 Tanimë mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë KPA, por duhet theksuar se nga gjetjet e KPK, rrezikohet shkarkimi. Deri tani, nga anëtarët e KLD që janë futur në veting, vetëm Brunilda Kadi ka arritur të kalojë me sukses procesin. Problemi tjetër me të cilin po përballet Këshilli i Lartë i Drejtësisë këto kohë është edhe mbarimi i mandatit të anëtarëve të tij. Astrit Haxhialushi dhe Gjin Gjoni duhet të ishin larguar sepse mandati i tyre si anëtarë të KLD ka mbaruar. 

Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e KLD”, përcakton qartë që mandati i një anëtari të KLD është 5-vjeçar. Astrit Haxhialushi është emëruar në KLD në muajin dhjetor të vitit 2012 dhe nisur nga përcaktimet ligjore, ai duhet të ishte larguar në 2017, shkruan “Sot”.Nga ana tjetër, Gjin Gjoni ka nisur mandatin e tij si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në qershor të vitit 2013 që do të thotë se në qershorin e këtij viti duhet të ishte larguar. 

Një tjetër emër të cilit i mbaron mandati vitin e ardhshëm është Vangjel Kosta. Ai është emëruar në tetor të 2014 dhe vitin e ardhshëm, nëse akoma nuk është ngritur Këshilli i Lartë Gjyqësor, i takon të largohet. Pra, nga kjo panoramë e përgjithshme e situatës në KLD mund të themi se ky organ po shkon çdo ditë e më shumë drejt kaosit sepse numri i anëtarëve të tij po pakësohet dita-ditës.

Loading...
error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti