Gjatë intervistës në emisionin “Kjo Javë”, në News24, Presidenti Ilir Meta u pyet edhe për mundësinë e një koalicioni të madh PD-PS në zgjedhjet e 25 prillit. Në përgjigjen e tij, Presidenti theksoi se nuk ndërhyn në raportet e forcave politike, por problem për të është e ardhmja e vendit, e cila, siç thekson ai, është vënë në pikëpyetje.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Shumë kemi dëgjuar të lakohet ndoshta apo për mundësinë e një koalicioni të madh PS-PD, ju do ta përkrahni? Sa është mundësia e një koalicioni të tillë zoti Meta?
Presidenti Meta:Më duket se u shpreha shumë qartë. Unë, nuk ndërhyj në raportet e forcave politike. Për mua si President, është problem tepër serioz e ardhmja e vendit, që është vënë në pikëpyetje. Kjo pikëpyetje e merr zgjidhjen përmes referendumit të 25 prillit, përmes garantimit të një ndryshimi të fortë, të rikthimit të vendit në shinat e Kushtetutës, të shtetit ligjor, të demokracisë dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies, që janë rrëzuar totalisht vitet e fundit, për shkak të një sundimi njëpartiak.
Pyetje: Gjithsesi kjo duket se nuk është aspak e lehtë, sepse për ta arritur në kushtet që jemi edhe me eksperiencën e asaj çfarë po shohim…me politikanët që kemi, partitë që garojnë Zoti Meta..?
Presidenti Meta:Prandaj janë qytetarët, ata të cilët duhet t’i japin prioritet vetes së tyre, dhe nuk duhet të presin nga politikanët. E para, duhet të shkojnë të votojnë sepse aty është forca e tyre. Pa pjesëmarrje nuk ke të drejtë të kërkosh llogari dhe t’i ankohesh askujt nesër. E dyta, është një mënyrë për të ndëshkuar ata, që të kanë gënjyer. Në mënyrë që edhe ai tjetri, që do të zgjidhet nesër, ta kuptojë se e pret ndëshkimi në rast se luan nga premtimet me qytetarin, me besimin, me jetën, me pronën dhe fëmijët e tij. Jam i bindur, që qytetarët e kanë kuptuar se shpëtimi dhe zgjidhja janë vetë ata.
Presidenti Meta:Nuk më duket një pyetje e përshtatshme për mua, se çfarë do të bëjë një parti e opozitës. Në rast se një parti e opozitës do të çedojë nga çfarë?
Pyetje: Do të marrë një anë tjetër, gjithmonë për koalicionet flas.
Presidenti Meta:Në çfarë ane, në anën e ndryshimit apo në anën e greminës?