Kokainë në këmbim të favoreve seksuale, goditet grupi shqiptar

Kokainë në këmbim të favoreve seksuale, goditet grupi shqiptar

Këtë mëngjes, karabinierët e Bracciano-s në Itali kanë ekzekutuar 5 masa arresti të firmosur nga gjykatësi i Tivoli-t për tre shqiptarë dhe dy italianë, të cilët akuzohen për shpërndarje kokaine në bashkëpunim në komunën Campagnano di Roma. Siç raportojnë mediat italiane, ndaj dy shqiptarëve është firmosur nga gjykata masa e sigurimit personal arrestit me burg, ndërsa ndaj italianëve, arrest në shtëpi.

Të tre shqiptarët raportohet se menaxhonin një tregti të lulëzuar të drogës në “Piazza Cesare Leonelli”, me mbi 300 konsumatorë të rregullt. Në disa raste, hetuesit zbuluan se për shitjen e kokainës, nuk merreshin para në këmbim, por favore seksuale.

Si bazë, grupi përdorte një bar, me bashkëpunim e një prej pronarëve të aktivitetit tregtar. Pikërisht ky pronar i barit, përveç vendosjes në dispozicion të lokalit, së bashku me një tjetër shtetas italian, i ndihmonte shpërndarësit duke i siguruar blerës së rinj.

Shitja e drogës me doza të vogla zhvillohej pa ndërprerje gjatë 24 orëve, me një shitje mesatare ditore prej rreth 50 doza kokainë dhe të ardhur ditore prej rreth 1,800 €.

Për blerjen e kokainës, klientët kontaktonin shpërndarësit përmes celularit, ose fizikisht në lokal. Shkëmbimi zakonisht bëhej në ambientet e lokalit, parkingun e komunës, apo një nga rrugicat aty pranë.

Hetimet, të kryera përmes metodave speciale, i lejuan hetuesve të përcaktonin rolin e secilit në grup. Në veçanti, pozita e një prej të dyshuarve është rënduar, pasi nga hetimet, ka rezultuar se, ai i ka shitur drogë një gruaje, në këmbim të favoreve seksuale.

Nga raportimi i mediave lokale, nuk bëhen me dije detaje rreth gjeneraliteteve të personave të vënë në pranga. Detaje të reja priten orët në vijim.

 

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti