Aktualitet10 Korrik 2019, 19:01

Komiteti i Helsinkit ngre alarmin: AMA nuk është e pavarur, paketa “anti-shpifje” ligj drakoniak për mbyllje goje

Shkruar nga Pamfleti
Komiteti i Helsinkit ngre alarmin: AMA nuk është e pavarur, paketa

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj njoftoi të mërkurën e 3 korrikut se ishte miratuar nga Këshilli i Ministrave paketa “Anti-shpifje”. Në fjalën e saj, ministrja theksoi se kjo paketë, synon rregullimin në disa ligje kryesore për shërbimet e medias në tërësi dhe publikimeve elektronike në veçanti, për shmnagur një nga fenomet më shqetësuese të epokës së internetit, atë të “fakeneës”. Fokusi i saj ëshë rregullimi i regjistrimit të platformave ‘online’, ose siç njihen portale, që vijnë pikërisht nga mungesa e transparencës së tyre.

Komiteti I Helsinkit shprehu për herë të parë qëndrimet e tij për të ashtuquajturën “paketa anti-shpifje”, duke theksuar mungesën e pavarësisë politike të Autoritetit të Medias, institucionit që, sipas projektligjeve, do të marrë funksionet e një gjykate për të gjykuar dhe dënuar mediat në rast të asaj që projektligji i referohet si “cënim të nderit dhe dinjitetit të qytetarit”.

Autoriteti i Medias përbëhet aktualisht nga shtatë anëtarë, të cilët zgjidhen nga parlamenti me propozim të partive të ndryshme politike. Projektligji “Rama” për median online parashikon që një këshill me tre anëtarë, i quajtur “Këshilli i Ankesave”, i cili zgjidhet nga bordi i autoritetit, të kryejë rolin e gjykatës, duke vendosur gjoba nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë, për mediat online që gjykohet se kanë kryer shkelje, pa marrë parasysh nëse media në fjalë është një media e madhe apo një blog personal.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm ligjor që kërkon një analizë për të vlerësuar nëse rregullimi i të gjithë sektorit të medias duhet ose jo të kalojë në përgjegjësinë e këtij autoriteti si dhe nëse sanksionimi i medias, përfshi këtu edhe ofruesit e shërbimeve të publikimit elektronik duhet të jetë apo jo përgjegjësi e Këshillit Etik të këtij autoriteti,” theksoi Skëndaj.
Kryeministri Edi Rama propozoi dhjetorin e kaluar një numër masash drakoniake kundër medias online, ndërsa deklaroi se sipas opinionit të tij, ka nevojë për “disiplinim” të kësaj mediaje. Masat e propozuara nga Rama fillimisht përfshinin gjoba të forta dhe të ekzekutueshme pa të drejtë apelimi, si dhe urdhër mbylljeje për median në rastet kur Këshilli i Ankesave çmonte se ajo kishte shkelur kodin e etikës më shumë se tre here.

Propozimet e Ramës u kritikuan ashpër nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si një tentativë për sistem cenzurimi të medias online. Reagime të forta kundër kësaj pakete ligjore ka patur edhe nga ana e Partisë Demokratike që e ka quajtur këtë nismë një përpjekje tjetër të Ramës për t’i mbyllur gojën mediave të cilat nuk janë pro tij dhe të cilat raportojnë me saktësi të gjitha shkeljet ligjore dhe aferat korruptive të kryeministrit.

“Me këtë paketë, Rama kërkon t’i mbyllë gojën çdo mediaje kritike ndaj tij, çdokujt që nuk mendon si ai, çdo gazetari që do të guxojë të publikojë aferat e tij korruptive apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Kjo paketë vendos gjoba të papërballueshme, parashikon mbyllje të portale dhe deningrimin e tyre publik. Kur të vendoset ndëshkimi i portalit, në vend të lajmeve, aty do të shfaqet fletërrufeja e shkruar nga Rama për të damkosur çdo kritik të tij. Këtë mekanizëm censure, Edi Rama do ta drejtojë nëpërmjet Autoritetit të Medias, të cilin tani e ka vendosur nën kontroll, pas hakmarrjeve dhe shkarkimeve politike të dy anëtarëve të tij”, tha Vokshi në një prononcim nga selia blu. /Pamfleti

Aktualitet