Konflikti Kinë-Shqipëri, CIA: Enver Hoxha prishi marrëdhëniet më 1977, Mehmet Shehu akuza të forta krerëve të Pekinit

Konflikti Kinë-Shqipëri, CIA: Enver Hoxha prishi marrëdhëniet më 1977, Mehmet Shehu akuza të forta krerëve të Pekinit

CIA ka treguar detaje nga prishja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës. Në një dokument të gushtit 1977, amerikanët tregojnë se si nisi përplasja Tiranë-Pekin. Sipas dokumentit të siguruar nga gazeta ”SOT”, pas vdekjes së Mao Ce Dun, Kina zgjeroi aleancat me shumë shtete, mes të cilave dhe me Jugosllavinë. Kjo gjë nuk u pëlqye fare nga regjimi i Enver Hoxhës dhe për këtë arsye nisën sulmet ndaj Kinës.

Gusht 1977

Konflikti Kinë-Shqipëri

Përkeqësimi i shpejtë i marrëdhënieve me Pekinit dhe Tiranës, ngre për herë të parë mundësinë e prishjes së lidhjeve mes dy aleateve të ngushta. Provat e deritanishme janë të pamjaftueshme për të shpjeguar motivimin e plotë të Shqipërisë për ndarjen por ka sinjalizime se Tirana po përpiqet të hartojë një strategji të dytë nëse humbet mbështetjen politike dhe materiale të Kinës, të cilën e ka marrë 16 vitet e fundit. Vendndodhja gjeografike e Shqipërisë bën që aleancat e saj të jenë problem për të gjitha vendet e saj fqinje të Mesdheut. Bashkimi Sovjetik ka qenë aleat i Tiranës deri para vitit 1961 dhe tashmë mund të përfitojë për të tentuar rivendosjen e influencës së tij, por me shumë gjasa tentativat e saj do të refuzohen.

Nëse sovjetikët ia dalin në këtë, atëherë mund të kemi prishje të status quo në Ballkan, dhe fqinjët jugosllav, italianë e grekë do ta perceptonin si një kërcënim për sigurinë e tyre. E nxitur nga ksenofobia dhe zjarri ideologjik, udhëheqja shqiptare e ka mbajtur vendin më izolim nga bota e jashtme. Shumë e prapambetur ekonomikisht, Shqipëria është mbështetur te Kina për ndihmë në zhvillimin ekonomik. Përpjekjet e Tiranës për të riorientuar politikën e saj të jashtme janë shoqëruar me zhurma trazirash brenda udhëheqjes. Spastrimet masive të stabilimenteve kulturore, ushtarake e politike që prej viteve 1972 tregojnë për tensionet e brendshme.

Garda e vjetër e komunistëve që drejtohet nga i moshuari Hoxha, mban ende frerët e pushtetit, por funksionarët më të rinj që kanë hyrë në sistem pas spastrimeve herët e vonë do të lenë gjurmët e tyre. Megjithëse marrëdhëniet mes Kinës e Shqipërisë janë në nivelin më të ulët ndonjëherë, Tirana mund t’i shmanget prishjes finale. Në gusht autoritetet sinjalizuan se janë të gatshëm të ulen për të diskutuar diferencat e tyre me kinezët. Nëse ndarja ndodh regjimi ka më shumë shanse të hapet ndaj pjesës tjetër të botës. Shqipëria gradualisht do të mbijetojë duke përmirësuar marrëdhëniet me një numër vendesh, përfshi dhe shtetet e industrializuara perëndimore.

Ka prova se regjimi po heton në këtë drejtim. Por për formimin e marrëdhënieve të reja do të ketë kufizime pasi që prej prishjes me Moskën shqiptarët janë të frikësuar nga BRSS për sigurinë e tyre. Arkitekti i ndarjes Hoxha, dhe pjesa tjetër e udhëheqjes shqiptare do të mbeten hezitues për rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën. Ndërkohë nuk ka shenja se Shqipëria kërkon të vendosë marrëdhënie as me SHBA për momentin, por politikat gradualisht mund të pësojnë ndryshime.

Aludimet e CIA

Ndryshimet ideologjike së bashku me tensionet territoriale, e parandalojnë Tiranën nga normalizimi i marrëdhënieve me Jugosllavinë, që në rrethana të tjera do të ishte partneri ekonomik më natyral i saj. Suksesi i Titos në përmirësimin e lidhjeve me Kinën ka ngjallur dyshime të shqiptarët të cilët tashmë dyshojnë për tradhti të kinezëve dhe për një rrethim politik të vendit, prandaj e ka bërë opozicionin ndaj jugosllavëve edhe më të vendosur.

Megjithë përpjekjet e Tiranës për riparimin e lidhjeve me vendet perëndimore, ashpërsia ideologjike e regjimit parandalon mundësinë e progresit. Nuk ka kushte që Perëndimi të zëvendësojë Kinën si protektor ekonomik apo kundër kërcënimeve ndaj Shqipërisë.

Shqipëria tashmë përballet me punën e ngadaltë dhe të rëndë të nxjerrë veten nga situata e izolimit dhe e marrdhënieve ekskluzive me Kinën, ndërsa alternativat e tjera të asistencës për Shqipërinë janë mjaft të kufizuara. Me largimin e Hoxhës dhe formimin e një udhëheqjeje të re mund të hapen dyert për ndryshime politike por prej njohurive të pakta nuk mund të llogarisim drejtimin që ato mund të marrin.

Aleanca kinezo-shqiptare

Krisjet e para në lidhjen kino-shqiptare nisën të dukeshin në fund të viteve 1960-të. Por deri vitin e fundit mosmarrëveshjet ishin mbuluar nga regjimet respektive të cilat me publikun insistonin për “mirësinë e tyre të pathyeshme”. Vdekja e Mao Ce Dun tetorin e shkuar i hoqi shqiptarëve bamirësin e tyre kryesor, të cilët e kuptuan se ngritja e Hua Kuo-Feng, i cili që një politikan më pak doktrinar, do të sillte një klimë politike më pragmatike në Kinë.

Spastrimet e katër elementëve radikalë nga udhëheqja kineze, të cilët Tirana i konsideronte si aleatët e saj kryesorë ideologjikë në Pekin, e trazoi situatën. Shqiptarët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj Hua dhe ndaj fushatës kineze kundër radiakalëve të vjetër. Në fillim të këtij viti Tirana nisi të përdorte disa palë të tjera marksiste më parë pro-Pekin, ndërsa kinezët në kundërpërgjigje nisën të angazhonin shtete aleate për diferencat e tyre me Shqipërinë, dhe deri në mesin e verës marrëdhëniet mes dy regjimeve pësuan një rënie të paprecedentë.

Shqiptarët nisën sulme të ashpra verbale ndaj parimeve kryesore të politikës së jashtme kineze, që ishin formuluar nga Mao Ce Dun. Tirana thirri në vend personelin ushtarak që po stërvitej në Kinë dhe gradualisht tërhoqi të gjithë studentët e saj. Sipas zhurmave diplomatike, Shqipëria i kishte kërkuar Pekinit të tërhiqte ekspertët teknikë nga Shqipëria. Megjithë mohimet e të dyja palëve ka prova se teknikët po kthehen në shtëpi, zyrtarisht për pushime.

Në retorikën e saj Tirana thotë se parimet e reja të politikës së jashtme kineze janë po aq të dëmshme për revolucionin botëror sa dhe eurokomunizmi. Deri në mesin e gushtit asnjë nga palët nuk kishte bërë akuza publike, madje sipas informacioneve jo e gjithë udhëheqja shqiptare është dakord me prishjen finale me Kinën. Shqipëria ka thënë se është e hapur për bisedime për evitimin e konfrontimit final, ndërsa Pekini ende nuk ka reaguar ndaj lëvizjes.

Origjina e aleancës

Inovacionet teorike të Hrushovit në kongresin e 20-të të partisë sovjetike, u pritën me rezerva si nga Tirana dhe nga Pekini. Të dyja regjimet nuk kishin më besim te rruga paqësore parlamentare e predikuar nga Hrushovi dhe konsideronin revolucionin e dhunshëm si të vetmen mënyrë të arritjes së rendit socialit.

Ata i konsideronin politikat sovjetike të “bashkë-ekzistencës paqësore” me Perëndimin si oportuniste dhe të dyja konsideronin SHBA si armikun kryesor të fitores botërore të komunizmit. Udhëheqja shqiptare duke iu trembur reagimeve të brendshme vendosi të mos heqë dorë nga trashëgimia staliniste. Ndërsa në kohën e afrimit të Moskës me Jugosllavinë në fillim të 1960, Tirana dhe Pekinin kishin një armiqësi të përbashkët për revizionizmin titist.

Teksa debati i tyre ideologjik me Hrushovin përshkallëzohej udhëheqësit shqiptarë e shihnin BRSS gjithnjë e më shumë si kërcënim, dhe prandaj ata nisën spastrimin e elementëve të afërt me Moskën nga partia dhe nga ana tjetër nisën afrimin me Kinën duke mbështetur politikat e tyre. Për kinezët refuzimi i Shqipërisë ndaj Moskës ishte mundësia e parë dhe e vetme për të krijuar njëfarë grupi të politikave të tyre. Megjithëse aleanca me Tiranën ishte një barrë ekonomike, Pekini ishte i bindur se çmimi ishte i justifikuar me fitimin e një aleati në rajonin që konsiderohej si sfera sovjetike e influencës.

Por në fund të viteve 1960 u shfaqën krisjet e para mes Tiranës e Pekinit për politikën e jashtme. Përpjekjet e Kinës për të kërkuar lidhje ndërkombëtare me një numër shtetesh, duke përfshirë dhe aleatë në NATO, e shqetësonin Shqipërinë, të cilat nisën të dallonin neglizhon të parimeve komuniste revolucionare dhe një tendencë drejt oportunizmit. Ndryshimet në qasjet praktike të marrëdhënieve të jashtme u reflektuan shpejt në formulimet e brendshme të politikës së jashtme të dy vendeve.

Mao Ce Dun deklaroi se me gjithë konfliktet në Azinë Juglindore, SHBA ishte një rrezik më i vogël sesa Bashkimi Sovjetik. Kjo tentativë afrimi e Pekinit me Uashingtonin u dënua nga udhëheqja shqiptare e cila tha se nuk është e mundur të “anosh nga një anë e imperializmit për të kundërshtuar tjetrën”. Tirana ruante si të barabartë rrezikun nga dy superfuqitë dhe tha se kishte dakordësi mes Moskës e Uashingtonit kundër lëvizjes komuniste. Ndërsa kinezët thoshin se mosmarrëveshjet mes dy superfuqive nuk lejonin bashkëpunimin mes tyre.

Ekonomia

Në vitet 1960-të Shqipëria ishte shumë e varur nga ndihma ekonomike kineze, e cila prej vitit 1961 ka arritur në 600 deri në 900 milionë dollarë. Në fillim të viteve 1970 u nënshkrua një traktat për reduktimin e ndihmës ekonomike dhe ushtarake kineze për Shqipërinë, por nuk ka prova se kjo ishte një tentativë e Pekinit për t’i bërë shantazh qeverisë shqiptare. Ndoshta kjo e fundit mund ta ketë marrë lëvizjen si një konfirmim të dyshimeve të saj për oportunizmin e Pekinit.

Megjithë dallimet ideologjike mes të dyjave. Në sipërfaqe marrëdhëniet mbetën të sjellshme deri në vdekjen e Mao Ce Dun. Një muaj pas vdekjes Enver Hoxha në fjalimin e tij në kongres dha një analizë të detajuar të qëndrimit opozitar të Shqipërisë ndaj politikës së jashtme kineze dhe qëndrimit të Pekinit ndaj partive të vogla marksiste-leniniste. Raporti nuk sulmoi drejtpërdrejt Kinën por përsëriti kundërshtimin e Shqipërisë ndaj afrimit të Kinës me Perëndimin, duke projektuar pozitën shqiptare si më revolucionare sesa ajo kineze.

Në raport nuk përmendej fare borxhi moral dhe material i Tiranës ndaj Pekinit apo urimet për udhëheqjen e re. Masa e prishjes së lidhjeve u bë publike vetëm korrikun e shkuar, ku imediat shqiptare publikuan një sulm të ashpër kundër teorisë së “tre botëve” që kishte qenë shtylla kryesore e politikës së jashtme e Kinës prej fillimi të viteve 1960. Tirana e denoncoi teorinë si anti-marksiste dhe akuzoi se minonte entuziazmin marksist të proletariatit botëror.

Meqenëse kjo teori ishte formuluar nën drejtimin e Mao Ce Dun ishte e qartë se Tirana po hiqte dorë dhe nga njohja e Maos si figurë kryesore e marksizëm-leninizmit, e barabartë me Marksin, Engelsin, Leninin e Stalinin. Një muaj pas sulmit të parë të hapur, mediat shqiptare nisën të godasin bashkëpunimin kinez me eurokomunizmin, duke akuzuar se teoria e “tre botëve” ishte e ngjashme me konceptin eurokomunist që thotë se shërben për të ngatërruar proletariatin dhe penguar luftën e klasave, të cilat janë në kundërshtim me praktikën e revolucionit dhe mësimet e marksizëm-leninizmit.

Por edhe para vdekjes së Maos, lidhjet kinezo-shqiptare ishin penguar nga qëndrimet mbi partitë e vogla komuniste, që ishin simbol i suksesit të Pekinit për të përcarë bllokun komunist sovjetik. Pas revolucionit kulturor në Kinë, rënia e nxitjes ideologjike dhe përpjekjet për zgjerimin e lidhjeve perëndimore, zbutën disi rëndësinë e marksizëm-leninizmit për Pekinin. Kontaktet me vendet marksiste-leniniste gjatë kësaj periudhe ishin lënë në dorë të anëtarëve dytësorë të partisë, kryesisht të elementëve radikalë.

Lëvizja marksiste-leniniste

Ndërsa shqiptarët vazhdonin t’i konsideronin partitë e vogla marksiste si anëtare të denja të lëvizjes komuniste dhe nisën të kryenin një rol drejtues për parti të tilla në Amerikën Latine dhe në Evropë. Tirana kërkonte të bëhej udhëheqëse shpirtërore e lëvizjes marksiste-leniniste, një rol që më herët ishte mbajtur nga Pekini. Përfshirja e Tiranës me këto parti u intensifikua këtë vit, teksa shqiptarët i përdorën ato për të publikuar kundërshtimin e tyre ndaj politikave kineze dhe arritën të bënin për vete disa prej tyre. Në fillim të vitit udhëheqësit kinezë po bëheshin gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për sfidën e shqiptarëve.

Kinezët u munduan të shpjegonin politikat e tyre te disa parti të vogla, dhe gabimet e linjës politike shqiptare. Tashmë Kina po financon grupe të reja politike për të kundërshtuar aktivitetin e Tiranës. Nuk mund të përcaktohen arsyet e sakta të motivimit të sfidës së partisë shqiptare ndaj Kinës, por pjesë e lëvizjes mund të jenë zhvillimet e mëposhtme: Sensi i ashpër i pavarësisë së Shqipërisë e detyron të refuzojë nënshtrimin apo ndërhyrjet e fuqive të huaja, qoftë kjo dhe një aleat i ngushtë si Kina, ose më parë BRSS.

Prej fillimit të viteve 1970 Kina nisi ndërhyrje përcaktuese në politikat e brendshme të vendit, ndërsa në fillim të këtij viti Tirana përmendi mbështetjen kineze për elementë shqiptarë anti-parti që janë spastruar vitet e fundit. Shqipëria gjithashtu mund të jetë zhgënjyer prej të kuptuarit se rëndësia e saj si aleate e Kinës është reduktuar kohët e fundit. Përmirësimi i lidhjeve të Kinës me Jugosllavinë sigurisht që ka përkeqësuar zhgënjimin e Tiranës. Shqiptarët ruajnë me krenari ndjekjen e politikës së jashtme “parimore” përballë asaj që quajti politikë oportuniste e Kinës në lidhje me afrimin me Perëndimin dhe SHBA.

Shqipëria është gjithashtu duke u përballur me vështirësitë e vonesave në ndihmën ekonomike kineze të cilën ato e lidhin me politikat e reja oportuniste të Pekinit. Ndërsa shpjegimet për motivimin e Kinës për tolerimin e sfidës së shqiptarëve janë po ashtu të paqarta, por kanë lidhje me humbjen e interesit të partneritetit dhe aleancës politike me ta. Pas shtypjes së opozicionit të brendshëm, udhëheqja e re kineze nuk ndjen më rrezik se politika radikale shqiptare do të gjejë audiencë në vend dhe politika e re pragmatike ka më shumë avantazhe se aleanca shqiptare.

Dhjetor 1977

Shqipëria sulmon ashpër Kinën

Udhëheqja shqiptare ka nisur sulmin e saj më të ashpër deri tani ndaj Kinës, i nxitur kryesisht nga rivendosja e lidhjeve partiake mes Pekinit dhe Jugosllavisë. Në një fjalim madhor politik nga kryeministri Mehmet Shehu të martën, theksi vihej mbi sulmin personal ndaj udhëheqësit jugosllav Josif Tito. Fjalimi erdhi një ditë pas publikimit nga Pekini të një telegrami drejtuar partisë dhe qeverisë jugosllave. Kryeministri shqiptar i përshkroi të gjithë ata që afroheshin me Jugosllavinë si “revizionistë”, gjë të cilën shqiptarët nuk e kishin përmendur kurrë në lidhje me Kinën.

Shehu sulmoi gjithashtu teorinë kineze të marrëdhënieve të jashtme të “Tre Botëve”, duke e quajtur kundër-revolucionare dhe si e shpikur nga Trotski, Bukarin dhe kundra-revolucionarë të tjerë të botës komuniste. Shehu është zyrtari më i lartë shqiptar që sulmon haptazi linjën politike kineze, me komente të ngjashme me ato të përmendura në plenumin e fundit të partisë komuniste në nëntor. Fjalimet e këtij plenumi përfshinin dhe një raport nga lideri Hoxha mbi gjendjen e marksizëm-leninizmit në botë, që ende nuk është publikuar nga mediat shqiptare.

Disa nga fjalët më të ashpra të Shehut i drejtoheshin udhëheqjes kineze në lidhje me mbështetjen e Kinës ndaj interesave amerikane dhe Perëndimore. Në të njëjtën kohë ai kreu goditje të tjera kundër asaj që quajti “social-imperializimi sovjetik”, në një ton që konfirmonte opozicionin e vazhdueshëm të Shqipërisë në vendosjen e lidhjeve me BRSS ose SHBA, megjithë përkeqësimin e marrëdhënieve me Kinën.

Ndërkohë zyrtarët kinezë, megjithëse pranojnë ndryshimet ideologjike me Shqipërinë, kanë thënë se nuk do të lejojnë që probleme të tilla të influencojnë marrëdhëniet ndër-shtetërore. Në përvjetorin e 33 të Partisë Komuniste shqiptare në nëntor, Pekini u përpoq të ruante aparencat përballë përkeqësimit të lidhjeve.

Zyrtarë të lartë kinezë morën pjesë në një pritje në ambasadën shqiptare në Pekin, ndërsa urimi zyrtar i kreut të partisë Hua Kong Fend ishte i ftohtë. Në tekstin e urimit nuk përmendej lideri Hoxha por theksohej dëshira e Pekinit për të ruajtur marrëdhëniet e mira mes dy popujve, që në fakt është shenjë e dukshme e tensioneve ndërshtetërore.

Gjithashtu, publikimi nga Pekini i një editoriali të gjatë në mbrojtje të teorisë së Tre-Botëve në fillim të nëntorit, ishte një shenjë se kritikat shqiptare po ndjehen në Kinë, e cila vazhdon ndërkohë me asistencën ekonomike e ushtarake ndaj Shqipërisë.

Loading...

Loading...
WhatsApp Denonco tek Pamfleti