Aktualitet20 Tetor 2022, 14:57

Kontradikta e SHBA-së për paktin Kosovë-Serbi/ Si mund të zgjidhet brenda javësh kur kërkohet 10 muaj shtyrje për targat?

Shkruar nga Pamfleti
Kontradikta e SHBA-së për paktin Kosovë-Serbi/ Si mund të

I dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, është çështje javësh.

Në një intervistë televizive të realizuar të mërkurën në Kosovë, ai ka thënë se është në dorë të të dyja palëve që të vendosin se kur mbyllet marrëveshja.

Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, ka deklaruar Escobar.

Në po të njëjtën intervistë që zgjati jo më shumë se 18 minuta, ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrjen e afatit edhe për 10 muaj për konvertimin e targave ilegale në RKS, por ndaj kësaj kërkese është shprehur i rezervuar kryeministri Albin Kurti.

Deklaratat që brenda javësh të zgjidhet çështja e dialogut, ndërsa kërkohen 10 muaj shtyrje për çështjen e targave, paraqesin kontradiktë në këto qëndrime të emisarit të ShBA-së.

Nëse haset në vështirësi te çështja e targave për çka kërkohet 10 muaj kohë për zgjidhje të problemit tashmë mbi njëvjeçar, si do të arrihet brenda javësh marrëveshja e madhe për të cilën palët dialogojnë për më shumë se një dekadë?

Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar të enjten se e kuptojnë shqetësimin e Escobarit, mirëpo “ekzekutivi ka obligim për sundim të ligjit dhe se asnjëra nga këto nuk bën ta përjashtojë tjetrën”.

Afati i fundit për kthimin e targave ilegale të dala nga Serbia, në ato RKS, mbetet 31 tetori.

Kryesore Albin Kurti dialogu Kosovë-Serbi Gabriel Escobar qeveria e Kosovës Targat ilegale