Në një takim me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se qeveria e Ramës nuk e mori parasysh planin me 5 pika të propozuar prej PD-së me qëllim përballimin e krizës së pandemisë së Covid.
“Kryeministri s’mund të bredhë me cirkun shëtitës duke ndarë një grusht vaksinash, duke harxhuar kështu më shumë paratë e taksapaguesve shqiptarë, para që duhet të kishin shkuar për të mbështetur mjekët, për të rimbursuar pacientët që po kurohen në shtëpitë e tyre. Jemi në një gjendje ku vdekjet janë në numra rekord, të marra këto nga statistikat e tyre. Cili prej jush nuk është në dijeni të kësaj situate? Demagogji ka, ndihmë për njerëzit nuk ka. Ne kërkuam spitalet covid rajonale. Para dy ditësh u gjenda me një mjek kirurg vaskular që kishte marrë rrugën nga Gjermania kishte ardhur drejt babait të tij të konstatuar me Covid në Vlorë. E kishin mbajtur 2 ditë në Vlorë dhe i kishin thënë s’kemi c’të bëjmë këtu, nuk kemi aparatura. E kishin nisur në Tiranë dhe kishte përfunduar në një qendër që deri para një viti ishte përdorur për kirurgji plastike. Pse? Se nuk u morën masa. Çfarë masash merr? Si kujdesesh për mjekë e infermierë, si kujdesesh për të sëmurët? Si i rimburson të sëmurët? Një kryeministër normal i përgjigjet këtyre pyetjeve. Një kryeministër normal për t’i ikur këtyre pyetjeve ikën çdo ditë me cirkun shëtitës. Kjo është një çështje për jetë a vdekje, kjo situatë po rrënon financat personale të shqiptarëve dhe ekonominë. Pas 2 muajsh shqiptarët do vendosin. Dy muaj është një kohë e gjatë për mua si prind, si bir prindërish, si qytetar dhe pastaj si kryetar i PD, e më pas kandidat për kryeministër.
Ndaj ju kam thirrur sot që të përsërisim qëndrimet botërisht të njohura për trajtimin e kësaj krize. E para mbeten: Testimet. Se ato do na tregonin ku është infeksioni nëse do bëheshin të paktën si në vendet kufirate. Nëse Berati, ku ka shkuar për cirkun e radhës rezulton problematik do merrja masa Nëse një x industri rrezikon, do ta mbyllja dhe rimbursoja. Jo e gjithë Shqipëria të kthehej në një spital gjigand. Mjafton të kesh pak zemër për vendin tënd e njerëzit e tu. Jo të vraposh ta bësh vaksinën i pari, por të rrish në këmbë dhe ta bësh i fundit. Pas 25 prillit nivelin më të lartë të testimeve në rajon. Qeveria e ka mendjen tek njerëzit, jo tek shëndeti i vetë e xhepat e saj. Testim, gjurmim, izolim. Armatosja e personelit shëndetësor të braktisur. Ai del e bën cirk kurse mjekët e qytetarët kacafytën për shkak se i ka lënë në mëshirë të fatit”,- tha Basha.