Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkoi të hënën gjashtë institucioneve të ndryshme të Kosovës që të bëjnë verifikimin e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
“Janë dërguar në gjashtë institucione shkresa të veçanta për të kërkuar përshtatshmërinë e kandidatëve me nenin 29 të ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Këtyre shkresave u janë bashkangjitur edhe listat e kandidatëve për deputet që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29 flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit tregon se kush do të mund të certifikohet si kandidat për deputet”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, ministria e Jashtme dhe ministria e Mbrojtjes që të bëjnë verifikimin e kandidatëve nëse janë siç thuhet në përputhje me nenin 29 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Verifikimi i listave të deputetëve pritet të bëhet mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në fillim të muajit janar tha se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, sikurse parashihet me kushtetutë apo ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse ka një vendim dënues që është në fuqi në Kosovë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nxiti debate nëse kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të kandidojë pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se do të veprohet në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.
“Kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgoj emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës, nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës për të cilën i është hequr e drejta për të qenë kandidatë dhe nëse janë shpallur fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtarë të gjykatës në tri vitet e fundit”, tha ai.
28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt. Procesi i verifikimit të kandidatëve të subjekteve politike pritet të përmbyllet deri më 20 janar./VOA