Arben Kraja konfirmon se ka nisur hetimi i dosjeve të rënda të krimit. “Gërdeci”, “21 janari”, afera CEZ-DIA, ryshfeti 700 mijë euro, krime këto të Berishës e Metës, koncesionet e Ramës në shëndetësi, mashtrimi me tenderat nga Bashkim Ulaj me “DH Albania, janë në “top-listën” e çështjeve për hetim prioritar. Pritet mbërritja në SPAK e lobimit rus të Bashës dhe Metës pas kopsitjes së dosjeve nga FBI, si dhe ankimimet për koncesionet e rrugëve të dhëna me PPP nga Rama dhe ministrat e tij
Institucioni më i lartë i drejtësisë së re, i ngritur për të hetuar dhe dërguar në burg “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare, paralajmëron zyrtarët e lartë se ditë të vështira i presin.
Pasi ka seleksionuar dosjet e rënda që do të merren në shqyrtim në mënyrë prioritare, SPAK i gjendur dhe nën presionin e publikut dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë pritshmëri të lartë nga ky institucion, ka nisur shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme.
Këtë e ka bërë të ditur vetë kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili pohon se tashmë ka nisur hetimi për dosjet të rënda të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve.
I ftuar në konferencën rajonale “Hetimi financiar i korrupsionit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, Kraja renditi vështirësitë që ka hetimi i zyrtarëve të lartë, duke bërë thirrje që në këtë betejë për “jetë a vdekje” duhet të jenë të gjithë bashkë.
“Kemi nisur hetimin për çështje të rëndësishme. Hetimi i zyrtarëve të lartë kërkon vendosmëri. Duhet të heqim barrierat mes institucioneve. Për rezultate na duhet ende kohë.
Të hetosh dhe ushtrosh ndjekje penale ndaj zyrtarëve të lartë padyshim që ka vështirësi. Janë njerëz të fuqishëm me pushtet, që ndodhen direkt me situata penale nga më të ndryshmet. Kërkon vendosmëri, profesionalizëm dhe objektivitet. Në kuadër të kësaj sigurisht do të kesh dhe suksesin”, nënvizon kreu i SPAK.
Mes të tjerave Kraja shprehet se, pavarësisht vështirësive, trupa e SPAK që kryeson nuk do të tërhiqet derisa t’i shkojë deri në fund hetimit të këtyre dosjeve, një pjesë të cilave i ka marrë në dorëzim nga Krimet e Rënda, ndërsa pjesa tjetër pritet që të rihapet ditë pas dite.
Bëhet fjalë për dosje të tilla të rënda si ajo e shpërthimit shtetëror të “Gërdecit” ku kanë humbur jetën 26 persona dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë. Indicie për hapjen e hetimit për këtë dosje në ngarkim të Sali Berishës, Fatmir Mediut dhe personave të tjerë të involvuar në këtë krim shtetëror, ka shërbyer kërkesa e familjes Durda që humbi djalin 7 vjeçar.
Një dosje tjetër e cila do t’i kalojë SPAK është vrasja e katër demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011, dosje e cila është dërguar në Strasburg nga ana e familjes së Aleks Nikës dhe që pritet që kjo gjykatë, me shumë mundësi, ta rikthejë në SPAK për hetim të thelluar.
Eshtë e vetmja vrasje pa autor, dhe që do të rikthejë dhe njëherë për hetim të gjitha provat për vrasjen e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt, ekspertizës së FBI-së dhe provave të tjera që nuk janë marrë nën administrim gjatë hetimit më parë.
Dosje tjetër që do të hetohet me prioritet pritet të jetë afera e CEZ-DIA, ku me involvimin direkt të Sali Berishës dhe sekserit të familjes Nuel Kalaj si dhe të Ilir Metës, shteti shqiptar humbi afër 500 milionë euro. Do administrohet dhe rezultati i hetimit parlamentar.
Njëherësh në “pritje” por me prioritet maksimal, është dhe dosja e përgjimit të Dritan Priftit, ku Ilir Meta shfaqet me zë, figurë dhe me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro. Dhe për këtë dosje do të kërkohet rimarrja në konsideratë e ekspertizës së FBI-së amerikane.
Ndërsa ka nisur shqyrtimi i dosjes së koncesioneve në shëndetësi, duke filluar nga ajo e sterilizimit, pas ankimimit në SPAK të nismës qytetare antikorrupsion. Të akuzuar janë ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe vetë kryeministri Edi Rama, për favorizim në shuma të mëdha të oligarkëve klientë të qeverisë, përmes dhënies pa garë të këtyre koncesioneve.
Pritet që të fillojë hetimi dhe për dosjen e mashtrimit përmes falsifikimit të kompanisë së Bashkim Ulajt, “DH Albania”, e cila fitoi lotin e parë të Unazës së Re dhe interkoneksionin Burrel-Peshkopi, me një shumë 30 milionë euro, ku të akuzuar janë dhe Rama e Gjiknuri.
Ndërkohë që hetimi nga FBI amerikane i lobimit rus të Bashës në SHBA, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Tiranës që hoqi akuzën e pastrimit të parave, pritet të sjellë në SPAK dosjen e rëndë të financimit nga vendet armike të kreut të PD.
Bashkë me këtë dosje pritet të startojë dhe hetimi i lobimit po me para ruse të Ilir Metës, ku dokumentet e hetimit të bashkëpunëtorit të tij Nikola Gruevski kanë nisur të “evadohen” në drejtim të organeve ligjzbatuese shqiptare.
Burimet brenda SPAK bëjnë me dije se pritet që të vijnë në SPAK ankimimet dhe për koncesionet e rrugëve të dhëna nga Rama me PPP për oligarkët, duke filluar nga rruga Milot-Balldren dhe vijuar me punët publike të marra nga Fusha, Gjoka e Ulaj.
Duke parë këtë numër shumë të madh dosjesh të rënda, për të cilat janë akuzuar zyrtarët më të lartë të shtetit gjatë gjithë këtyre viteve, kreu i SPAK Arben Kraja paralajmëron se pavarësisht pushtetit të fuqishëm që disponojnë këta zyrtarë, ky institucion nuk do tërhiqet nga hetimi./Pamfleti