Shqipëria dhe Greqia kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin dhe funksionimin e një qendre të përbashkët të bashkëpunimit policor dhe doganor greko-shqiptar në pikën kufitare në Kakavijë.
Marrëveshja u nënshkrua nga zv.ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Julian Hodaj dhe zv.ministri i Mbrojtjes Civile në Greqi, Eleftherios Oikonomou.
“Kjo qendër do të ketë mundësinë për të parë nga afër situatën në kufirin Greko-Shqiptar dhe për t’u informuar në lidhje me problemet që lidhen me pandeminë”, tha Hodaj.
“Marrëveshja kontribuon nga njëra anë në konfirmimin e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve dhe nga ana tjetër në forcimin e bashkëpunimit tonë tashmë ekzistues, duke synuar së bashku gjetjen e mënyrave për të përballuar dhe luftuar sfidat moderne dhe kërcënimet e sigurisë të vendeve tona”, tha Oikonomou.
Qendra e Kontaktit është vendosur në një ndërtesë në tokën greke, në zonën e pikës së kalimit kufitar në Kakavijë dhe do të administrohet nga policia dhe personeli doganor i të dy vendeve, të cilët do të punojnë në një hapësirë të vetme.