Aktualitet15 Shtator 2019, 20:40

“Krisen” marrëdhëniet Berisha-Meta, dhëndërri Malltezi sulmon LSI-në për pakt me krimin

Shkruar nga Pamfleti
“Krisen” marrëdhëniet Berisha-Meta, dhëndërri

“Krisen” marrëdhëniet Berisha-Meta, dhëndërri Malltezi sulmon LSI-në për pakt me krimin

Ka një distancim të dukshëm të “malësorit tropojan” Sali Berisha dhe atij “skraparli” Ilir Meta, i cili s’ka të bëjë me marrjen e kreut të opozitës nga Presidenti, por me sinjalet e “dashurisë” mes Ramës e Metës. Ish kryeministri ka nxjerrë për të sulmuar Presidentin, dhëndërrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili akuzon LSI-në dhe lidershipin e saj. Goditja ka ardhur, pas mesazhit të Metës për demokracinë, si për t’i kujtuar rrezikun e një pazari të dytë me Edi Ramën

Ilir Meta po tregon gjithnjë dhe më shumë dëshirën e tij për të marrë timonin e drejtimit të opozitës, duke zhvendosur në këtë mënyrë dyshen zyrtare Lulzim Basha-Monika Kryemadhi.

Është shkruar shpesh se ish kryeministri dhe ish kreu i PD Sali Berisha ka qënë gjithnjë në mbështetje të këtij opsioni, duke qënë se e ka humbur besimin te “biri” i tij politik Lulzim Basha.

Por këto ditë është vënë re një distancim i dukshëm i “malësorit tropojan” Sali Berisha dhe atij “skraparli” Ilir Meta, distancim që nuk ka të bëjë me marrjen e kreut të opozitës nga Presidenti aktual, por me sinjalet e “dashurisë” mes Ramës dhe Metës.

Ndonëse bëjnë sikur sulmojnë njëri tjetrin në media apo përmes “zarave” të tyre në PS dhe LSI, kryeministri Rama e presidenti Meta lëshojnë mesazhe të koduara për njëri tjetrin, të certifikuara këto me vonesat e mungesën e dëshirës për të shkarkuar Presidentin apo “premtimet” për dekorata nga ana e Metës për Ramën, nëse hapen negociatat në tetor.

Pikërisht këto sinjale afrimi mes Ramës dhe Metës kanë shqetësuar fort “skilen” e vjetër Sali Berisha, i cili nuk ka dalë vetë në deklaratë për mediat, por ia ka lënë këtë “nder” dhëndërrit të tij Jamarbër Malltezi, njeriut më të besueshëm tashmë në PD, për të sulmuar Metën dhe LSI.

Kështu, pas debateve të forta në distancë mes Kryemadhit e Bashës në lidhje me strategjinë që duhet të ndjekë opozita, tashmë akuzat e forta në drejtim të LSI kreut real të saj vijnë direkt edhe nga familja “Berisha”, e cila ka një ndikim absolut në vijën politike që ndjek PD.

Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi ka akuzuar direkt LSI për blerje të ish-kryetares së KQZ Lefterie Lleshi-Luzi dhe ndikim në vendimmarrjet e këtij institucioni, duke i hapur rrugë sipas tij një maskarade.

Malltezi akuzon edhe ish-ministrat e LSI-së për kohën kur ishin pjesë e kabinetit “Rama 1”, duke kaluar një hark të tërë kohor për të fajsuar partinë e Metës dhe për t’ju kujtuar shqiptarëve indirekt se po përvijohet një aleancë e re mes PS dhe LSI, me një rrezikshmëri të lartë.

Më 2016 Departamenti Mjedisit në PD kërkoi në KQZ të drejtën kushtetuese për Referendume  vendore. Për fat të keq, përfaqësuesit e PS-LSI si edhe blerja e kryetares së kohës nga PS-LSI vendosën të shkelin Kushtetutën dhe mos lejojnë Referendum vendor!

Turpi me shkeljen e të drejtës kushtetuese së qytetarëve u bë haptaz dhe e shitën si vendim të shtetit ligjor! Dhe ishin po ato fytyra që veç 2 vite më parë kishin miratuar të drejtën për Referendum për çështjen e importit të mbetjeve të riciklueshme! Kohe për reflektim.

Jo nga palaçot që kanë mbetur në KQZ se ata kanë treguar që e shkelin ligjin me telekomandën e hajdutit psiqik, por minimumi nga LSI që mbështeti atë maskaradë dhe tani gjithë qytetarët po paguajnë faturën e shkatërrimit të parqeve për interesa të oligarkëve”, shkruan Malltezi.

Një përgjigjie e drejtëpërdrejtë ndaj mesazhit të Metës sot në ditën ndërkombëtare të demokracisë, i cili deklaroi se “koha nuk pret”, “o sot o kurrë”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë acarimin e marrëdhënieve me LSI, por dhe me Ilir Metën.

Për herë të parë që nga momenti kur Ilir Meta ka qënë në qeverisje me Ramën dhe drejtonte Parlamentin, është sulmuar sot nga njerëzit e Berishës. Pikërisht ka qënë dhëndërri Jamarbër Malltezi ai që ka “siluruar” ditën e sotme Metën, si një kujtesë për bashkëpunimin e kohëve të shkuara dhe rrezikun e një aleance apo pazari të dytë me Edi Ramën./Pamfleti/

Kryesore “Krisen” marrëdhëniet Berisha-Meta dhëndërri Malltezi sulmon LSI-në për pakt me krimin