Kronike22 Maj 2024, 13:53

50 urdhërarrestet nga SPAK për 'kokat' e krimit, kapet në Itali, Ilia Ndoka

Shkruar nga Pamfleti

50 urdhërarrestet nga SPAK për 'kokat' e krimit, kapet

Policia e Shtetit në bashkëpunim me atë italiane kanë arrestuar Ilia Ndokën, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK në sajë të operacionit “Metamorfoza 2”.

 Ilia, pjesë e grupit të ish-deputetit Arben Ndoka, akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

SPAK javën që lamë pas lëshoi 50 urdhër arreste për kapjen e disa personave, emrat e të cilëve janë të përfshirë në botën e krimit pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC.

Me urdhër të SPAK, Forcat RENEA dhe FNSH  zhvilloi një nga operecionet më të mëdha në disa qytete dhe zona, të cilat konsiderohen si baza e grupeve kriminale.

Si pasojë e hetimeve të SPAK u goditën 7 grupe kriminale. Gjithsej nga ky operacion u arrestuan 20 vetë. Në Shqipëri janë vënë në pranga 14 persona, ndërsa 6 të tjerë u arrestuan jashtë vendit. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 30 persona të tjerë.

Urdhër-arrestet u nxorrën për personazhe të njohur të botës së krimit dhe në to përfshihej edhe ish-deputeti Arben Ndoka dhe 4 zyrtarë policorë.

Autoritetet sekuestruan shuma të mëdha parash cash, flori, bizhuteri e makina të blinduara, vlera e të cilave shkon në rreth 3 milionë euro. Falë këtij hetimi, SPAK ka zbardhur gjithashtu një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasje të bujshme që kanë ndodhur disa vite më parë.

Hetimet e thelluara të SPAK kanë zbuluar aleancat e nëndheshme të botës së krimit dhe në dosje janë faktuar lidhjet e grupeve kriminale, interesat financiare dhe bashkimi i forcave për ekzekutimin e kundërshtarëve. Në dosjen e cila njihet si “Metamorfoza 2” dokumentohet aleancë e krijuar mes ish-bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj dhe ish-deputetit Arben Ndoka.

SPAK bën me dije se Martinaj dhe Ndoka kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit për ekzekutimin e Fatmir Hysenit, të njohur me pseudonimin “Doqja”. Kjo hakmarrje kërkohej pasi ai dyshohet se vrau mbrëmjen e 27 Gushtit të 2019 Santiango Malkon në Tiranë, një nga njerëzit më të besuar të Martinajt.