Kronike21 Maj 2024, 13:07

Akuzohen se vranë 25-vjeçarin shqiptar në Athinë 16 vite më parë, arrestohen dy autorët; zbardhen emrat

Shkruar nga Pamfleti

Akuzohen se vranë 25-vjeçarin shqiptar në Athinë 16 vite

Kanë rënë në prangat e policisë 16 vite pas krimit dy autorët e dyshuar të vrasjes së një 25-vjeçari shqiptar në Athinë.

Krimi i rëndë ku mbeti i vrarë Arjan Xhambazi, nga Pogradeci, ka ndodhur në vitin 2008 dhe pas hetimeve janë identifikuar si edhe ndaluar vrasësit e dyshuar.

Në prangat e Policisë Korçë kanë rënë 41-vjeçari Gëzim Latja, banues në Elbasan dhe 52 vjeçari Armando Tarushllari (ose alias Jetnor Cinellari), banues në Tiranë, për të cilët Prokuroria kishte nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Sipas uniformave blu, ngjarja ndodhi gjatë një konflikti për motive të dobëta ku mbeti i vrarë Arjan Xhambazi dhe u plagos një tjetër.

Për këtë ngjarje autoritetet greke mundën të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes. Por pas hetimeve, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e dy autorëve të tjerë.

"Bashkëpunimi dhe hetimet e përbashkëta mes Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë me homologët e Athinës, si dhe mes prokurorive respektive çoi në identifikimin dhe ndalimin e dy shtetasve të dyshuar si bashkëautorë të vrasjes së një 25-vjeçari shqiptar në Athinë, ngjarje e ndodhur në vitin 2008.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në zbatim të letër porosisë të dërguar nga Athina me qëllim identifikimin e dy autorëve të tjerë të ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2008, në bashkëpunim me Prokurorinë rihapën hetimet për identifikimin e dy bashkautorëve të tjerë të vrasjes së 25-vjeçarit.

Në vitin 2008 gjatë një konflikti për motive të dobëta, mbeti i vrarë shtetasi A. Xh. dhe u plagos një tjetër dhe për këtë ngjarje autoritetet greke mundën të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Si rezultat i hetimeve Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, bëri të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasve: G. L., 41 vjeç, banues në Elbasan dhe A. T., 52 vjeç, banues në Tiranë, për të cilët Prokuroria kishte nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Vijojnë hetimet e përbashkëta në lidhje me dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe ekstradimin e tyre drejt shtetit grek. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë", njofton policia.

shqiptar vrasje athine dy autore