Kronike26 Shkurt 2024, 10:37

Frikë nga hakmarrja, familjarët e Arben Lleshit pretendojnë se viktima nuk është i afërm i tyre

Shkruar nga Pamfleti

Frikë nga hakmarrja, familjarët e Arben Lleshit pretendojnë se

Familjarët e Arben Lleshit, i cili u vra në burgun e Peqinit pretendojnë se viktima nuk është i afërmi i tyre.

Në këto kushte, Prokuroria ka vendosur të bëjë krahasim ADN-je me motrën e tij. Pas krahasimit të ADN-së Bashkisë do t’i jepet për të kryer varrimin.

Familja prej kohësh refuzon të kryeje ceremoninë e varrimit, nga frika e hakmarrjes ndërsa tani kanë ngritur pretendimet se nuk është i afërmi i tyre.

Ai u ekzekutua në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë Peqin mesditën e 15 dhjetorit 2023, nga Sokol Mjacaj.

Arben Lleshi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe më pas djegien e trupit të pajetë të Agim Hoxhës në 2012 në Britaninë e Madhe.

Ekzekutimi i Arben Lleshit dyshohet të jetë kryer për motive gjakmarrje. Më herët, persona të paidentifikuar kanë vrarë dy xhaxhallarët e tij ndërsa i kanë rrëmbyer e zhdukur pa gjurmë dy kushërinjtë e parë.

Pavarësisht se familja Lleshi deri më tani ka humbur 5 pjesëtarë, sërish ata i frikësohen hakmarrjes, edhe pse rezulton se të afërmit e kishin braktisur 37 vjeçarin dhe asnjë prej tyre se kishte takuar në burg vitet e fundit.

Mjacaj, i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çek në 2015 në Prekal të Malësisë së Madhe, dorëzoi armën dhe u arrestua një orë pas ngjarjes, në prani të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve. Vrasja dyshohet se u krye me pagesë, për hakmarrje dhe shkaktoi arrestimin e drejtorit të burgut, shefit të policisë dhe 10 punonjësve të sigurisë.

Gjykata e Elbasanit i komunikoi Mjacajt një masë të re arresti, kurse Prokuroria e Elbasanit ngriti akuzë për të dënuarin e dytë Indrit Shaqja, me dyshimet se është përfshirë në vrasjen e Arben Lleshit pas Sokol Mjacajt. Ka dyshime që Indrit Shaqja që mbeti i plagosur edhe vetë nga të shtënat me armë zjarri të ketë qenë i përfshirë në planin e Mjacajt.