Kronike13 Mars 2023, 14:08

Sulmi në “Don Bosko”, reagon policia: Makina e përdorur nga atentatorët e vjedhur në Durrës, 20 mijë euro për këdo që jep informacione

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi në “Don Bosko”, reagon policia: Makina e përdorur

Policia ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë dje në “Don Bosko”, ku u vra një grua dhe u plagosën 5 të tjerë.

Sipas policisë, automjeti i përdorur nga autorët dhe u gjet i djegur, rezulton i vjedhur në Durrës. Ndërkohë po ashtu policia ka vënë shpërblim për këdo që jep informacione mbi autorët e ngjarjes së rëndë.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Don Bosko, ju informojmë se:

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën "Anastas Shundi", në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit F. M., është qëlluar me armë zjarri automatike dhe për pasojë ka mbetur e vrarë shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjekësorë.

Grupi i posaçëm hetimor, ka vazhduar kryerjen e veprimeve në vendin e ngjarjes, gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve okularë dhe sekuestrimin e pamjeve filmike. Më datë 13.03.2023, është rikqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Po më datë 13.03.2023, në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor ka kqyrur automjetin e djegur dhe ka sekuestruar disa prova të vlefshme për hetimin. Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit  rezulton se ky mjet tip BMW, seria 5, (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen nr 13  Durrës", shprehet policia.

Sipas policisë, të gjitha provat materiale të sekuestruara në vendngjarje në rrugën “Anastas Shundi” dhe në fshatin Likmetaj, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore ku po u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme. Ndërkohë policia bën me dije se ofron 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione për atentatorët.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 069 41 11 546”, njofton policia.

vrasja don bosko