Kronike22 Maj 2024, 13:59

Iu prezantuan si punonjës policie dhe i morën me forcë paratë, arrestohen dy persona në Bulqizë

Shkruar nga Pamfleti

Iu prezantuan si punonjës policie dhe i morën me forcë

Dy persona janë arrestuar nga policia në Bulqizë, pasi i kishin marrë me forcë një shumë parash një personi.

Sipas informacioneve 26-vjeçari dhe 36-vjeçari, ishin prezantuar si punonjës policie, duke i marrë kështu paratë denoncuesit. Mësohet se 26-vjeçari i arrestuar ka qenë disa herë i dënuar.

“Menjëherë pas kallëzimit të një 36-vjeçari, se rreth orës 22:00 të datës 21.05.2024, 2 shtetas që i ishin prezantuar si punonjës policie, i kishin marrë me forcë, në rrugë, një shumë të vogël parash, Komisariati i Policisë Bulqizë ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera në kuadër të operacionit “Prezantimi”, u vunë në pranga shtetasit D. T., 26 vjeç (i dënuar disa herë, për vepra penale kundër personit dhe pronës) dhe V. B., 36 vjeç, të dy banues në Bulqizë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprat “Vjedhja me dhunë” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, njofton policia.