Kronike22 Qershor 2024, 14:55

Masakra e Fushë Krujës/ Prokuroria i dërgon sërish letër porosi Sllovenisë, kërkon informacione për vrasjen e Brilant Martinajt

Shkruar nga Pamfleti

Masakra e Fushë Krujës/ Prokuroria i dërgon sërish

Prokuroria e Tiranës i ka dërguar sërish letër porosi Sllovenisë për të marrë informacion lidhur me pronarët e një automjeti që u përdor për të vëzhguar Brilant Martinajn dhe dy miqtë e tij Dikler Vata dhe Besmir Hoxha, para se të ekzekutoheshin te mbikalimi i Fushë Krujës më 17 korrik 2022.

Pas marrjes së përgjigjes së letërporosisë së mëparshme të dërguar në këtë shtet, por edhe të një tjetre në Kosovë, është parë e nevojshme, që të kërkohen të dhëna shtesë në Slloveni, të cilat kanë të bëjnë pikërisht me automjetin tip Volkswagen Polo, e cila është fiksuar nga kamerat e sigurisë dhe personat brenda këtij automjeti të cilët dyshohet se ndihmuan me informacion grupin e vrasësve, për lëvizjet e shënjestrave.

Automjeti është gjetur i djegur më pas dhe janë gjetur disa të dhëna që e lidhin me Slloveninë. Në Kosovë për të njëjtin automjet është tentuar marrja e dëshmisë së një personi që e ka pasur përkohësisht në pronësi, por ai nuk ka qenë bashkëpunues me autoritetet. Identifikimi i pronarëve dhe mënyrës sesi makina ka hyrë në Shqipëri, mund të hapë një pistë të mirë për hetuesit, për të rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar të masakrës.

Brilant Martinaj u qëllua për vdekje bashkë me dy miqtë tek mbikalimi i Fushës Krujës. Pas masakrës, u zhduk pa gjurmë kushëriri i tij Ervis Martinaj, i njohur si mbreti i kumarit. Të dyja ngjarjet por edhe atentate të tjera ku viktima kanë qenë njerëzit e Ervis Martinajn, janë pa autorë. Motivi i ngjarjeve është larja e hesapeve mes grupeve kriminale që u përplasën për lojërat e fatit./Në Shënjestër