Kronike19 Prill 2024, 13:50

Nuk jep informacione për vendndodhjen e nipit, del para gjykatës gjyshi i 3-vjeçarit të zhdukur në Durrës

Shkruar nga Pamfleti

Nuk jep informacione për vendndodhjen e nipit, del para gjykatës

Jepet sot masa e sigurisë për Rexhep Gjunin, gjyshin e 3-vjeçarit që rezulton i zhdukur prej shtatë ditësh. Për masë sigurie ka dalë gjyshi i 3-vjeçarit, Rexhep Gjuni dhe vëllai i gjyshes, Arben Selaj.

Ndërkohë kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit që humbi gjurmët në Durrës vijojnë prej 7 ditësh.

Që prej 16 prillit kur nëna Ile Gjuni denoncoi zhdukjen e të birit, fotot e 3-vjeçarit janë dërguar në të gjitha pikat e kalimit kufitar, bëjnë me dije burime në policinë e Durrësit.

Policia i ka sinjalizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, ajror dhe detar, duke u dhënë të dhënat e fëmijës, familjarëve, si edhe veshjet e detaje të tjera që mund të çojnë në identifikimin e të miturit.

Dyshimet janë që gjyshja e tij Bahrije Gjuni është me djalin brenda Shqipërisë, duke jetuar në ndonjë shtëpi me qira. Gjithsesi largimi nga Shqipëria mbetet ende një pistë hetimi.

Kërkimet për gjetjen e të miturit janë përqendruar në Has, aty ku ka origjinën familja Gjuni. Mësohet se janë kontrolluar 15 banesa në zonën e Krumës ku mendohej se mund të strehohej Bahrija me nipin.

Dramën e rëndë familjare e ka rrëfyer 23-vjecarja Ile Gjuni, e cila deklaroi se problemet me ish-vjehrrit kanë lindur pasi i vdiq bashkëshorti në aksident. Ajo ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj po në zonën e ish-kënetës, ndërsa ish-vjehrrit vazhdimisht kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit, gjë që nuk iu takon me ligj. Për të ulur tensionet ajo e çonte djalin tek gjyshërit gjatë fundjavave, por të shtunën ata kanë refuzuar ta kthejnë fëmijën e mitur, me pretendimin se do ta rrisin vetë.

 

durres 3 vjecari