Kronike21 Maj 2024, 12:47

Trafikoi nusen e djalit në Itali për prostitucion, dënohet me 17 vite burg vjehrra nga Berati

Shkruar nga Pamfleti

Trafikoi nusen e djalit në Itali për prostitucion, dënohet me 17

Prokuroria e Beratit ka mbyllur hetimin për vjehrren nga Berati që trafikoi nusen e djalit në Itali për prostitucion. Vjehrra kërcënonte nusen se do i vriste mamanë. 

Prokuroria arriti në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se e pandehura D.Sh, në bashkëpunim me shtetasit E.M. dhe F.D. ka kryer veprën penale për të cilën u akuzua. Ajo me veprime aktive ka rekrutuar, transportuar në shtetin Italian, viktimën M.S., me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

"E pandehura D.Sh e ka rekrutuar, transportuar dhe trafikuar nga Berati në Vlorë e më pas në shtetin Italian, nëpërmjet fshehjes dhe formës së ngjashme me skllavërimin duke e ndaluar të takohet dhe komunikojë me persona të tjerë dhe familjarët, duke e detyruar që t’i bindej çdo urdhri të saj. Ajo e ka trafikuar viktimën M.S., fakt ky i provuar edhe nga deklarimet e viktimës, se e pandehura i ka thënë- ti do të vish në Itali dhe po hape gojën të shkosh në polici ne do të vrasim mamanë.

Viktima, shtetasja M.S. ka deklaruar se rreth muajit Shkurt të vitit 2018 ka qenë e papunë dhe e asistuar nga shërbimet sociale të qytetit të Beratit është njohur me të pandehurin E.M., njohje e cila pas pak kohësh është zyrtarizuar dhe në familjet e tyre. Pas përfundimit të ceremonive përkatëse ajo ka shkuar të jetojë tek banesa e të fejuarit i cili përgjithësisht e trajtonte mirë por shumë shpejt nisën dyshimet për sinqeritetin e të pandehurit kur gjatë një bisede në rrjetin social facebook, ajo e prezantuar në komunikim me të ëmën e tij, shtetasen D.S. dhe ka zbuluar planin për dërgimin e saj në Itali.

Në përfundim të hetimeve dhe konkluzioneve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të Përgjithshëm Berat, gjykata e shpalli të pandehurën D.Sh. fajtore dhe e dënoi me 17 vite burgim."-njofton prokuroria.