Kronike25 Shkurt 2024, 18:40

Vrau dhe varrosi babanë në oborr, djali i madh i Pëllumb Metës rrezikon burgim të përjetshëm

Shkruar nga Pamfleti

Vrau dhe varrosi babanë në oborr, djali i madh i Pëllumb

3 fëmijët e viktimës Pëllumb Meta pritet të përballen me akuza të rënda në gjykatë.

Në dosjen e policisë që iu dërgua prokurorisë, 25-vjeçari Hysen Meta dyshohet për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu ndaj tij pritet të ngrihen dhe akuzat “Armëmbajtje pa leje dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Sipas policisë ai ka qëlluar babanë e tij me 4 plumba dhe nëse shpallet fajtor rrezikon deri në burgim të përjetshëm sipas nenit 79 pika c të Kodit Penal.

Dhe për Hygerta Metën, studenten 19-vjeçare, janë ngritur dy akuza: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Duke qenë se Kodi Penal nuk parashikon burgim të përjetshëm për gratë, Hygerta rrezikon dënimin nga 20 deri në 35 vite burg.

Për vëllanë e vogël, 21-vjeçarin Amarildo Meta dyshohet se ka kryer veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomes”. Ai rrezikon dënim nga gjobë deri në 5 vite burg nëse shpallet fajtor.

Për bashkëshorten e viktimës hetimet vazhdojnë në gjendje të lirë. Policia thotë se ajo dyshohet se ka kryer veprën “Veprime qe pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Në Kodin Penal kjo vepër parashikon gjobë deri në 3 vite burg.

Tre fëmijët e familjes Meta që dyshohen se kanë vrarë të atin Pëllumb Meta në Shënavlash të Durrësit, në datë 10 shkurt dhe e varrosën në kasollen e bagëtive, priten të dalin këtë të hënë për masë sigurie. Prokuroria pritet të kërkojë për ta masën e “arrestit në burg”.

Nga dosja hetimore, kanë dalë detaje të reja në lidhje me motivin e ngjarjes. Versioni që vrasja ka ndodhur për shkak të një fejese të padëshiruar nga vajza, Hygerta Meta është rrëzuar prej familjes ku mendohej se do të fejohej vajza 19-vjeçare.

Të pyetur nga policia ata kanë pohuar se pavarësisht dëshirës së tyre për të lidhur krushqi me familjen Meta, i ati vajzës Pëllumb Meta ua kishte bërë të qartë se krushqia nuk mund të bëhej pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk kishte plane për ta fejuar.

Ndërkohë, nëna e tre fëmijëve të arrestuar, ndodhet nën hetim në gjendje të lirë e dyshuar se kreu veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Blerina Meta vazhdon ta mohojë që ishte në dijeni të ngjarjes, pavarësisht se në një nga dëshmitë më të fundit të së bijës që prokuroria e ka në dosje, thuhet se e ëma, kur ka ardhur në shtëpi ishte tronditur nga ajo që kishin bërë fëmijët.

“Kur mami u kthye në shtëpi u trondit nga ajo që kishim bërë. Të dyja qëndruam në shtëpi dhe pastruam vendin dhe divanin nga gjaku, aty ku vëllai qëlloi babanë. Ne e ngjitëm divanin në kat të dyte, ndërsa dy vëllezërit u morën me groposjen e trupit”, mësohet të ketë deklaruar Hygerta Meta.

 

vrasje varrosje baba oborr pellumb meta djali i madh burgim te perjetshem