Kryeministri Rama, mik i korporatave apo i biznesit të vogël?

Pas uljes së pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për bizneset e vogla me xhiro vjetore deri në 2 milion lek, ka shpërthyer një debat i ashpër me argumente pro dhe kundër kësaj politike të kryeministrit Rama, të cilin disa e akuzojnë se ai po kërkon të shkatërrojë biznesin e vogël në Shqipëri për të stimuluar ngritjen apo rritjen e korporatave që zotërojnë rrjetet e supermarketeve, të restoranteve, farmacive, shërbimeve të ndryshme, etj.

Shkruan Enea Janko



Ndërkohë vetë kryeministri dhe opinionistët pro-qeveritarë mbrojnë argumentin se biznesi i vogël dhe konsumatorët nuk do të rëndohen nga vendosja e TVSH, por përkundrazi kjo politikë synon formalizimin e biznesit dhe luftën kundër evazionit fiskal që bëjnë korporatat apo kompanitë e mëdha në Shqipëri, duke krijuar një dëm të madh për buxhetin e shtetit, por edhe ndaj konkurrencës së ndershme midis kompanive në treg.

Opinioni im i pandryshuar që prej gati 20 vjetësh është që tatimi mbi vlerën e shtuar si taksë konsumatore duhet të shtrihet deri në nivelin e fundit të biznesit, përjashtuar këtu vetëm bizneset e vogla ambulante, por mënyra sesi po implementohet ai në vendin tonë është jo e drejtë, jo profesionale dhe padiskutim që do të ketë pasoja negative për biznesin, për buxhetin e shtetit, si edhe për të gjithë ekonominë e Shqipërisë.

Rruga që po ndiqet për implementimin e TVSH për biznesin e vogël me xhiro vjetore mbi 2 milion lek, është në kundërshtim të plotë me politikat dhe direktivat e BE-së dhe që zbatohen nga të gjitha vendet anëtare.

Së pari, për këtë ndryshim të madh të politikës fiskale, sic është vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël, nuk ka një studim professional të plotë dhe të detajuar që të ketë bërë vlerësimin e impaktit social, ekonomik dhe politik që ky ndryshim do të sjellë për konsumatorët, për biznesin, për buxhetin apo për të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Së dyti, qeveria nuk ka bërë një konsultim të gjërë publik me të gjitha grupet e interest, që duhet të zgjaste të paktën rreth 1 vit, procedurë kjo që zbatohet nga të gjitha vendet e BE-së, por edhe në vendet e tjera të zhvilluara si SHBA, etj.

Së treti, në përputhje me politikat e BE-së, periudha e hyrjes në fuqi të këtij ndryshimi të rëndësishëm ligjor, duhet të ishte jo më pak se 1 vit, me qëllim që jo vetëm bizneseve, por edhe administratës tatimore t’i lihej koha e nevojshme për njohjen e procedurave të reja dhe përgatitjen e strukturave për zbatimin profesional të këtij tatimi të ri.

Meqenëse qeveria shqiptare tashmë e ka future në fuqi këtë ndryshim të rëndësishëm ligjor pa respektuar asnjë nga këto politika dhe procedura të BE-së, ku Shqipëria po lufton që të aderojë si anëtare, atëherë është e domosdoshme që të gjendet një zgjidhje për të zbutur impaktet negative që ajo mund të shkaktojë, sic janë mbyllja e mijëra bizneseve të vogla, rritja e papunësisë, rritja e emigrimit të popullsisë, etj.

Duke menduar që edhe qëllimi i vendosjes së këtij tatimi sipas kryeministrit është reduktimi i evazionit fiskal nga ana e kompanive të mëdha dhe jo mbledhja e të ardhurave nga biznesi i vogël, do të propozoja që vlera e TVSH -së për kategorinë e biznesit të vogël të vendosej zero dhe jo 20 %.

Kjo gjë do të bënte të gjitha bizneset e vogla të interesuara për të blerë te bizneset e mëdha importuese apo prodhuese duke i kërkuar të gjitha faturat tatimore me TVSH, nëse kjo TVSH në blerje do tu rimbursohej nga ana e qeverisë.

Nëse Qeveria pretendon që impakti i këtij ndryshimi tatimor do të jetë vetëm rreth 15 milion Euro, atëherë kjo është një kosto minimale që mund të përballohet nga qeveria për të bërë njëherë e mirë formalizimin e biznesit dhe të ekonomisë.

Ndërkohë nëpërmjet këtij rimbursimi të TVSH debitore, biznesi I vogël do të kishte mundësi që paguante edhe konsulencën e nevojshme për ndjekjen e procedurave të nevojshme ligjore për deklarimin e TVSH, por edhe për të kryer investime për rritjen e biznesit dhe njëkohësisht të punësimit.

Ndryshimet e mëdha patjetër kërkojnë kurajo të madhe, por kur qëllimet janë të drejta dhe kur nuk mungon profesionalizmi, cdo gjë mund të realizohet.

more recommended stories