Aktualitet 9 Nëntor 2018, 12:47

Ku e priti Nexhmije Hoxha 8 nëntorin

Shkruar nga Pamfleti
Ku e priti Nexhmije Hoxha 8 nëntorin

Ku e priti Nexhmije Hoxha 8 nëntorin

Në 5 vitet e pushtetit të saj të tashëm, që më shumë se kohë e socialistëve është kohë e “ rilindësve”, është shfaqur më shumë një fenomen që pak kush mund ta mendonte: shfaqja e të djathtëve të së majtës.

Shkruan Bedri Islami

Dje ishte 8 nëntori. Dita e themelimit të Partisë Komuniste në vitin 1941. Pak kush është kujtuar për të, bile as Sali Berisha që kishte dje 50 vjetorin e pranimit në partinë e themeluar në 8 nëntor. Ndoshta më mirë kështu, megjithëse me të lidhen shumë ngjarje që janë gjurmë në historinë e një kombi. Disa janë gjurmë të rëndësishme dhe të vlefshme, të tjerat janë një rëndesë e pashoqe në ndërgjegjen e kombit, që nuk mund të zhbëhen nga kalimi i viteve.

Nexhmije Hoxha nuk ishte njëra nga themelueset e Partisë, por ishte njëra nga 200 komunistet e para e, dy javë më pas, me 23 nëntor, ndër themelueset e Rinisë Komuniste. “Delikatja”, vajza që i kishte shkruar dikur shkrimtarit të dënuar nga Zogu me vdekje, Haki Stërmillit, për fatin e vajzave shqiptare, do të kishte një nisje të veçantë atë 23 nëntor, që pak kush mund ta ketë në jetë. Ajo do të bëhej gruaja e njeriut dorë hekurt, Enver Hoxhës, dhe herë nën hijen e tij dhe, herë të tjerët nën hijen e saj, do të sundonin vendin. Tani, mendoj , ajo është e fundmja nga ata që ishin pjesë e 200 komunistëve të parë.

Me siguri asaj i është kujtuar dje 8 nëntori i shkuar, nëse nuk e kanë lënë hallet që e zunë tani së fundi, braktisjen e shtëpisë ku janë strehuar në 28 vitet e fundit, pasi bashkia do të zgjerojë një rrugë. Nuk e di, po ashtu, nëse kjo datë ka shkuar në mendje edhe të tjerëve që banojnë sëbashku me të, Rustem Peçit, për shembull, që është edhe kryetari i veteranëve të luftës.

Por, unë nuk e kam fjalën thjeshtë tek një njeri apo një grup njerëzish, të cilët, pas vitit 1990, janë vendosur në atë banesë dhe, të cilët, edhe pse sunduan shtetin, nuk bënë për vete në 40 vite sa bënë në pak të tillë pushtetarët e rinj. Blloku i tyre i dikurshëm është sot një lagje e varfër krahasuar me resortët modernë ku jetojnë pashallarët e rinj. “Kafetë”, që ju zunë në gojë kur i dënuan, janë sot përtallja e pushtetarëve të rinj, të cilëve , një udhëtim jashtë shtetit apo një “ dhuratë” modeste u kushton sa gjithë kafetë e pira në 40 vite nga pushtetarët e pas nëntorit të vitit 1944.

Megjithatë, asgjë nuk e lehtëson dëmin që solli koha e tyre. Një kohë e ashpër, e zymtë, mistershëm e përgjakur dhe, po ashtu, habitshëm ndërtuese.

Fjalën e kisha diku tjetër që nuk është kujtuar rastësisht: Në 5 vitet e pushtetit të saj të tashëm, që më shumë se kohë e socialistëve është kohë e “ rilindësve”, është shfaqur më shumë një fenomen që pak kush mund ta mendonte: shfaqja e të djathtëve të së majtës.

Në më shumë se pesë vite pushtet, me përjashtim të ditëve kur u duhen votat, askush, ose pak kush, kujtohet se në këtë vend jeton një shtresë popullsie, e cila është e lidhur historikisht, me rrënjë gjaku ose përkushtimi, me kohën e shkuar dhe që, në momente të caktuara sakrifikuan shumë dhe nuk u takonte asgjë.

Këtyre njerëzve, të cilët e shohin veten majtas dhe janë të devotshmit e urtë, që , edhe kur u prekin jetesën rrahin përsëri në krahun e së majtës, u është afruar harresa, një përtallje e fshehtë ndaj asaj që kanë bërë dhe të cilës i janë përkushtuar.

Ndarja nga komunizmi nuk ka qenë akt i vështirë…ka qenë rrugë e gjatë me një ndarje që, më shumë ishte komike se sa tragjike. Tragjikja ishte rënduar në 40 vite mbi një brez që kishte ëndërruar të ishte i lirë dhe si gjithë të tjerët, që kishte bërë luftën, duke e renditur vendin në anën e fitimtarëve, çka ndodhte për herë të par në historinë e tij. Një brez, i cili, edhe pse po hekakeqaj si gjithë të tjerët, për një kohë kishte pasur guximin të ndërronte për më shumë bukë e më shumë kulturë.

Në pak vite, pushteti i sotëm, ku fare rrallë gjen brezni të atyre që shkuan, me përjashtime të rralla, më shumë se sa majtas, në nderimin e vlerave të një lufte çlirimtare, rendi bujshëm djathtas, si të donte të çlironte veten nga një kompleks që nuk ekziston më, të hiqte nga barra e tij atë pjesë që mendonte se kishte qenë e gabuar, duke hedhur, bashkë me ujët e pistë, çka kishte qenë i shumtë, edhe të ndershmen, dinjitozen, të qëndrueshmen.

Ndërsa ngriheshin, dhe mirë që janë ngritur, njëri pas tjetrit, “Muzeu i Shtëpisë me gjethe”, Bunkart Një” dhe “Bunkart Dy”, ndërsa sponsorizoheshin veprimtari të shoqatave antikomuniste dhe është e drejtë të bëhet, ndërsa ngrihet një Kompleks muzeal në Tepelenë, duke dashur të krijojnë nga e pakta një Aushvic shqiptar; ndërsa merren vendime kryeministrore për sjelljen e eshtrave të liderit të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, mirë që sillen, por edhe të vendosen pranë korifejve të Rilindjes dhe Patriotizmit shqiptar, vëllezërve të mëdhenj Frashëri, duke i njësuar me to; e gjithë ajo plejadë e luftës së ndershme, e punës së ndershme, e shkencës solide, është harruar, lënë mënjanë, sikur të ishin ato fajtorë që u ngrit një sistem i çmendur dhe u dëbuan nga shtëpitë dhjetëra e dhjetra familje, nga të cilat, jo të gjitha, ishin familje kolaboracioniste.

Nexhmije Hoxha, ta zëmë, ashtu si edhe 317 familje të tjera, mund të jetë objekt i prishjes së banesa, ashtu si mund të jetë pasojë e një neofashizmi. Nëndhesat e politikës vonojnë të dalin në sipërfaqe.

Por, harresa që e majta u bën atyre që e mbajnë në pushtet, pikërisht familjet e lidhura me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, familjet që ndërtuan vendin, është një harresë jo e rastësishme dhe jo afat shkurtër.

Nëse,  ta zëmë, një Heroinë e Punës Socialiste, si Tereza Marubi, do të shkruante jetën e saj, ajo do të ishte shumë më e mundimshme dhe krahasimisht e pakrahasuar me rrugëtimin e pjesës më të madhe të njerëzve të politikës së sotme. Në të gjithë brezat e jetës së tyre, Marubët, edhe kur ishin me mbiemrin e parë, Kodhelët, janë ndër ata margaritarë të vyer që nuk përsëriten. Ashtu si është vetë ajo, stoike, e papërsëritshme, gruaja që përballoi gjithë trazimet e ngritjes së një bote të civilizuar ddhe që, në një moment përcaktues, realizoi atë që shumë burra në Shkodër u strukën: normalizimin e situatës pas 2 prillit në Shkodër, kur ajo kishte mbetur e vetmja drejtuese në detyrë dhe që kishte autoritet të pakrahasueshëm me të tjerët. Fototeka Marubi është e familjes së saj dhe njëra ndër mrekullitë shqiptare, por vetëm deri këtu shkon interesimi i së majtzës në pushet për vlerat e saj dhe të shumë të tjerëve.

Jo të gjithë ata që bënë luftën ishin njerëzit e pushtetit të hidhur dhe të krimit. Prej tyre dolën mësuesit që në Mirditë hapën 60 shkolla në dy vite, kur deri asaj dite shkollat ishin me gishtat e njërës dorë; dolën ata që bënë hidrocentralet e mëdhenj, ngritën një piramidë të jashtëzakonshme arsimi, piramidë të cilën desh e hodhën në erë pasuesit e kolaboracionistëve të çartur.

Këto njerëz nuk e kanë 8 nëntorin ditën e tyre. Por e ndjejnë braktisjen. Venë në muzetë e ngritura së fundmi, ku është mohuar çdo gjë e tyre, edhe lufta antifashiste, për hir të sjelljes “evropiane” të politikës sonë. Askush në këtë kontinent e përtej tij nuk i ka harruar heronjtë e luftës antifashiste. Ne, mund të bëhemi të parët me harresën tonë.

Rrugën tek këto njerëz pushteti e ka harruar. Ndërsa ka gjetur rrugën drejt një lidhje të habitshme me pjesë të kolaboracionizmit të djeshëm. Ministria e Kulturës e mallkon komunizmin ditë e natë, delegon miliona për të ngritur kampe e sajesa të tjera, ndërsa njerëzit e harruar janë të shumtë. I harruar ishte poeti i madh, Fatos Arapi, i lënë në vetminë e tij, pa e patur askush në mendje; drejt harresës po shkojnë shumë mite të së shkuarës, për të ngritur antimitet.

Si e kam thënë shpesh herë, çdo kush ka të drejtën e tij të e besojë, nuk kam asnjë ditë e as moment t jetës sime, nostalgji për një kohë që shkoi.

Por, kur kaloi pranë Komanit më kujtohen njerëzit e Brigadës së Shaban Gjokës, ku punova një verë, ato minatorë që futeshin dhjetra e qindra metra nëpër galeritë e ngushta, për të vendosur dinatimin që hidhte në erë malin.

Tani, punën e tyre, mjerisht, ata që mendoheshin më të afërtit, po e hedhin në erë.

Nuk është e rëndësishme se ku e priti Nexhmije Hoxha 8 Nëntorin. Më të rëndësishëm janë këto, të heshturit dinjitozë.

Forum Bedri Islami Nexhmije Hoxha