Ku janë politikanët që i çuan 4 viktimat tek gryka e pushkës e pastaj u hodhën lule; ku janë qeveritarët që urdhëruan për të qëlluar mbi “kokëpalarët” dhe gardistët që u çuan para drejtësisë sa për show?
Ja katër lëvizjet e kupolës së partisë në pushtet, 24 orë para 10 vjetorit të ngjarjes së 21 janarit:
– Më 20 janar 2021, Taulant Balla kërkoi nga SPAK, të rihapet dhe rihetohet dosja e 21 janarit dhe grupi Berisha-Basha të çohen para drejtësisë (harroi Ilir Metën).
– Zv/kryeministri Erjon Braçe, edhe këtë vit, u betua në “FB”, se ai dhe PS, nuk do ta harrojnë gjakun e 4 protesutesve të vrarë dhe nuk do të jenë të qetë deri sa drejtësia të ndëshkojë Berishën e Bashën (harroi Ilir Metën).
– Policia e Tiranës, me drejtor militantët partiakë Rebani Jaupi e Dhimo Ziu; i kërkoi prokurorisë të rihetojë veprimet e Gardës dhe Policisë më 21 janar 2011.
– Sipas një mesazhi të publikuar, kryebashkiaku Erjon Veliaj, urdhëroi punonjësit e bashkisë, që më 21 janar 2021, të nxjerrin familjarët e tyre me lule në duar para kryeministrisë.
Kjo skemë lëvizjesh përsëritet prej 10 vitesh, vetëm 24 orë para datës 21 janar, kur skenaristi Rama, bën show progandistik, për gjoja nderim ndaj 4 viktimave dhe për drejtësi të munguar.
Kur ishte në opozitë, Edi Rama deklaroi se vendimi i parë i qeverisë së tij, do ishte kallëzimi penal, për hetimin e plotë të krimit; por nuk e bëri e prej afro 8 vitesh në pushtet, akuzon se drejtësia është e “vegël” e Berishës.
Pyetje: – Ku janë sot, ata politikanë të opozitës, që i çuan 4 personat tek gryka e pushkës; dhe ata politikanë të pushtetit, që urdhëruan për të qëlluar mbi “kokë-palarët”?
Janë në pushtet dhe opozitë, të pa hetuar, të pa prekur, të pa pyetur fare nga drejtësia; madje më 2013, pas 2 vjetorit të 21 janarit, akuzuesit Rama, Ruçi, Balla dhe i akuzuari prej tyre Ilir Meta, krijuan qeverinë e “1 prillit”; ndërsa më 17 maj 2017, Rama, Ruçi, Balla, Berisha, Meta, Basha u bashkuan në qeverinë e përbashkët “Çadra”, ndërsa Metën “bekuan” në postin President.
Madje, shefat e partive, kanë marrë pranë vetes me poste, gardistët që qëlluan dhe shefat e IT, shefat e SHISH dhe kryepolicët që zhdukën urdhërat, armët e kamerat tek kryeministria.
Edhe një pyetje retorike: Ku janë gjyqtarët që zhdukën dhe nuk ndëshkuan krimin e 21 janarit?
– Kryesuesi i seancës në Gjykatën e Tiranës, që nxorën gardistët dhe grupin e zjarrit të pafajshëm; janë akoma në detyrë po në këtë gjykatë, ku vazhdojnë pazare me gjyqet, ndërsa KPK-Veting nuk po i kalon akoma në proces.
– Trupa e Gjykatës së Apelit, Agim Bendo, Ervin Metalla e Evjeni Sinojmeri, që u tallën me krimin e 21 janarit, duke ulur në 1 e 3 vite burg, pretencën e dhënë për 23 e 25 vite burg ndaj Llupos e Prendit, janë përzënë me “Veting”.
– Edhe trupa e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, Artan Broci, Artan Zeneli, Tom Ndreca, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj e Shkëlzen Selimi janë përzenë me “Veting”.
Veçse, ish-banda e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë, nuk janë larguar për dosjen e 21 janarit; por për pasuri të siguruara me korrupsion; mes tyre dhe nga pazari me dosjen e 21 janarit.
Por qeveria, KLGJ e ILD, nuk po kërkojnë hetime për krimin që këta gjyqtarë kanë me dosjen e 21 janarit; dhe as për pasuritë e shumta; përkundrazi i kanë lejuar të certifikohen “Avokatë” apo të hapin biznese, me miliardat e zeza që kanë siguruar nga lidhjet me krimin gjatë detyrës si gjyqtarë./Pamfleti