Kulture31 Janar 2024, 11:20

Beteja për ishullin e Sazanit. Si i mposhtëm grekët në vitin 1946

Shkruar nga Ferdinand Dervishi
Beteja për ishullin e Sazanit. Si i mposhtëm grekët në vitin
Delegacioni Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris /

 

Prapaskenat e Konferencës së Paqes në Paris dhe roli i kryeministrit grek Kostandin Caldaris

Në vitin 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, shqiptarët nuk kanë pasur të lehtë asnjë betejë. Qëllimi i parë i tyre ishte të rreshtonin Shqipërinë në krah të fituesve të luftës, qëllimi dytë të përfitonin sa të mundnin nga reparacionet që duhet të paguanin vendet agresore, si Italia apo Gjermania.

Porse, faktikisht një pjesë të mirë të impenjimit në këtë Konferencë, e kanë marrë problemet territoriale me fqinjin jugor – Greqinë. Përfaqësuar nga Kryeministri Kostandin Caldaris dhe me mbështetjen e dukshme të britanikëve, grekët fillimisht synojnë që Konferenca të jepte një zgjidhje për çështjen e Vorio Epirit.

Por Konferenca deklarohet se nuk kishte kompetenca. Më tej grekët tentojnë që të shkëpusnin të paktën ishullin e Sazanit, duke paraqitur edhe një sërë argumentesh historike, apo gjeografike.

Në gjithë këtë përballje, pak të njohur, për ishullin e Sazanit, shqiptarët janë ndihmuar së shumti nga sovjetikët, me shumë autoritet në Konferencë si përfaqësuesit e një shteti që mbajti peshë të madhe gjatë luftës, por edhe nga jugosllavët dhe përfaqësues të vendeve të tjera të Lindjes Komuniste. Përfundimisht, grekët, edhe pse i përdorin të gjitha kartat, dorëzohen.

Pjesa e mëposhtme është marrë nga studimi me titull “Faktori sovjetik në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek në Epirin e Veriut 1945—1949”, të autorit bjellorus Anatoli Petrovich Salkov, Profesor i Asociuar, Shef i Departamentit të Historisë së Sllavëve të Jugut dhe Perëndimit në Universitetin Shtetëror të Bjellorisisë.

Megjithatë, për sa i përket Vorio Epirit, Konferenca e Paqes në Paris, nën presionin e delegacionit sovjetik dhe ndryshe nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm, vendosi që Konferenca nuk ishte kompetente për ta shqyrtuar këtë çështje.

Pas kësaj, delegacioni grek paraqiti një ndryshim në draft artikullin 22 të Traktatit të Paqes me Italinë, duke kërkuar që ishulli i Sazanit, që bllokon hyrjen në Gjirin e Vlorës, ti kthehet Greqisë. U paraqitën argumente se, në shekujt 18-19, Sazani, nga pikëpamja gjeografike, konsiderohej si pjesë e Ishujve të Jonit.

Beteja për ishullin e Sazanit. Si i mposhtëm grekët në vitin

Për më tepër, një sërë traktatesh (nga ai Kampoformidos i vitit 1797, deri te ai i Londrës, i vitit 1864, sipas të cilëve Anglia ja dorëzoi Ishujt e Jonit Greqisë) bazoheshin jo vetëm në unitetin gjeografik të Sazanit me këtë arkipelag, por edhe në atë politik.

Në fillim të vitit 1914 (pas Protokollit të Firences), Greqia u tërhoq nga Sazani, por në fund të vitit Italia e pushtoi ishullin. Në fund të diskutimit ky pretendim grek për ishullin shqiptar të Sazanit u refuzua.

Më 21 shtator, delegacioni grek u përpoq, në thelb, ta shantazhonte Konferencën e Paqes duke shfaqur rezerva për integritetin territorial të Shqipërisë përderisa nuk merrte zgjidhje çështja e Vorio Epirit. Megjithatë, çështja e këtij rajoni, e cila ishte përfshirë edhe në rendin e ditës, nuk u mor asnjëherë për shqyrtim.

Kjo e lejoi Jugosllavinë, më 26 shtator, të propozonte që kjo çështje të konsiderohej e hequr. Greqia u detyrua të binte dakord.

Beteja për ishullin e Sazanit. Si i mposhtëm grekët në vitin

I kthyer nga Parisi, Enver Hoxha u impresionua aq shumë nga ndihma sovjetike, saqë lidershipit shqiptar iu krijua përshtypja se “Caldaris nuk do e ngrinte më problemin e kufirit shqiptaro-grek”.

Megjithatë, Caldaris, me shumë sukses, nisi të zbulonte kundërshti në vendimet e ekipit të Komisionit Politik dhe Territorial për Italinë, që po merrej me përpunimin nen për nen të projekt-traktatit të paqes.

Më 7 tetor, ai tregoi se ky komision kishte miratuar një ndryshim në Art. 21 të traktatit me Italinë, sipas të cilit, integriteti territorial i Shqipërisë u njoh me shumicë votash.

Por, nëse Konferenca e Paqes miraton këtë ndryshim, ai bie ndesh me një vendim të mëparshëm të saj, pasi aleatit të Etiopisë iu mohua njohja e integritetit territorial.

Në mbledhjen plenare të 9 tetorit, me votat e vendeve perëndimore, amendamenti u refuzua, për ta lënë të hapur çështjen e kufirit shqiptaro-grek, për zgjidhje të mëvonshme, në Këshillin Ministror. Sipas Art. 22 (për kalimin e ishullit Sazan Shqipërisë) çështja territoriale u zgjidh, megjithëse në lidhje me Vorio-Epirin u pranua se Konferenca e Paqes nuk ishte kompetente për të zgjidhur çështje të tilla.

Përfundimisht vendimi, për transferimin e ishullit të Sazanit Shqipërisë, u miratua. Përfaqësuesit e Bashkimit Sovjetik morën pjesë aktive në diskutimin e atyre dispozitave, të projekt-traktatit të paqes me Italinë, që kishin lidhje me Shqipërinë. Delegatët bjellorusë këmbëngulën që Italia të njihte dhe respektonte sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë si dhe pronësinë e kësaj të fundit mbi ishullin e Sazanit.

Më 9 tetor, gjatë diskutimit për çështjen e reparacioneve italiane në favor të Shqipërisë, u votuan, një pas një, të gjitha propozimet për një shumë të caktuar (25, 10 dhe 5 milionë dollarë), gjithashtu dhe propozimi britanik për t'i hequr Shqipërisë të drejtën e reparacioneve.

Shuma u miratua më vonë, duke u reduktuar në minimumin - 5 milionë dollarë (Greqisë, për shembull, Italia duhej ti paguante 105 milionë USD)./Pamfleti

Beteja për ishullin e Sazanit. Si i mposhtëm grekët në vitin

Beteja për ishullin e Sazanit. Si i mposhtëm grekët në vitin

Beteja për ishullin e Sazanit. Si i mposhtëm grekët në vitin

ishulli i sazanit beteja si u mposhtën grekët