Kulture 5 Shkurt 2024, 21:21

“Do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve”, politika shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Lili Cingut

Shkruar nga Pamfleti

“Do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve”,

Valltarja Liljana Cingu, është ndarë nga jeta sot, në moshën 73-vjeçare.

Krerë të shtetit e zyrtarë kanë reaguar me trishtim për këtë humbje të artit shqiptar.

President Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Cingut.

Begaj shkruan se artistja shqiptare do të mbetet në kujtesë si ikona e valles shqipe.

“Artistja Liljana Cingu “Nderi i Kombit” do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe”, shkruan Begaj.

Kryeministri Edi Rama gjithashtu ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale duke shprehur ngushëllimet.

"LAMTUMIRË. Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe", shkruan Rama.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka vlerësuar bukurinë e hijeshinë e valltares që u nda nga jeta.

"Lamtumirë, Lili Cingu, princesha e valleve shqiptare! Vallet e Jugut, Çamërisë, Korçës, Kolonjës, Shqipërisë së Mesme, vallet epike të Veriut, vallet e Dropullit dhe krahinave të tjera të Shqipërisë i bëre më të lehta dhe u dhe plot bukuri e hijeshi me kërcimin tënd!", shkruan Nikolla.

Ngushëllimet i ka shprehur edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke e quajtur një lajm të trishtë.

“Falë mjeshtërisë së rrallë në interpretimin e valleve shqiptare, kontributi i saj i vyer për promovimin e denjë të vlerave të trashëgimisë tonë të pasur kulturore dhe përçimi i tyre tek brezat e artistëve të rinj do të mbetet gjithmonë i respektuar, frymëzues dhe i paharruar.

Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve”, ka shkruar Ilir Meta.

lili cingu bajram begaj edi rama