Kulture12 Nëntor 2023, 16:45

“Komploti” i suksesshëm i Ben Blushit në Prishtinë, kureshtje dhe interes për veprën që parashikoi ardhjen e refugjatëve

Shkruar nga Pamfleti

“Komploti” i suksesshëm i Ben Blushit në Prishtinë,

Zakonisht promovimet e librave janë një formalitet i nevojshëm për të prezantuar titullin e fundit të autorit, por kryesisht as nuk përbëjnë lajm me interes për shtresën e gjerë, e as nuk tejkalojnë audiencën e ngushtë të atyre që përcjellin eventet kulturore, të pakta edhe ashtu.

Por, ky s’ishte rasti në prezantimin e librit të fundit të Ben Blushit, autorit nga Shqipëria, që erdhi në Kosovë për të shpalosur “Komplotin” e tij.

Mund të ketë qenë për vetë Blushin, meqë është personalitet i njohur dhe i dashur në Kosovë, për intrigën që zgjon titulli i librit, për faktin që po organizohej nga shtëpia më e madhe botuese “Dukagjini”, apo për të gjitha bashkë, por promovimi u kthye në ndërveprim dinamik mes autorit e te pranishmëve, në një debat pasionant për temat e librit dhe më tej dhe në një event që njerëzit refuzonin të largoheshin edhe pse kaluan më shumë se dy orë.

Kureshtjen për çfarë thotë Blushi në “Komplot” mund ta kenë shtuar edhe dy recensione fantastike për librin të prezantuara nga sociologu Shkodran Ramadani dhe pedagogia Lindita Aliu Tahiri.

Salla e mbushur plot, me politikanë, akademikë, gazetarë, studiues dhe të interesuar nga fusha të ndryshme, me pjesëmarrjen e madhe të mediave dhe diskutimet e gjalla mund ta kenë befasuar edhe vetë Blushin, i cili shpjegoi në pika të shkurtra se çka thotë “Komploti” i tij.

Duke u ankuar fillimisht se më mirë e shkruan se sa e flet, Blushi sqaroi se “Komploti bëhet për Kosovën”.

Kosova është në qendër të një komploti që ndodh në të ardhmen kur shqiptarët dhe të huajt që jetojnë në Shqipëri mobilizohen për të rimarrë Kosovën dhe për t’ia bashkuar Shqipërisë.

Romani është i zhanrit fiksion, i vendosur në të ardhmen, me personazhe që nuk ekzistojnë. Megjithatë, njëjtë si personazhet që kanë njëfarë ndërlidhje reale me të kaluarën e tyre familjare në roman, ashtu edhe zhvillimet mund të jenë fiksionale, por lehtësisht të imagjinueshme dhe të konkretizueshme, prandaj edhe gjatë prezantimit të librit u bë më shumë se njëherë pyetja “A e imagjinoni dot çfarë vendi do ishte Shqipëria nëse Kosova do ishte pjesë e saj?”.

E çuditshme ishte se e ardhmja imagjinare e Blushit në roman, në një pjesë të saj, kapi konkretizim pak pasi u shkrua romani, kur Shqipëria vendosi që të mbajë kampe refugjatësh për Italinë dhe ato të pozicionohen në Shëngjin.

Besojeni ose jo, romani ka për personash një afgan që zgjidhet kryetar komune pikërisht në Shëngjin, sepse në vitet 2 mijë e 40-ta, kur zhvillohet ngjarja e romanit, Shëngjini popullohet nga afaganistanezë më shumë sesa nga shqiptarë dhe në përgjithësi Shqipëria banohet nga më shumë se 200 mijë afganë, derisa numri i shqiptarëve ka rënë shumë për shkak të largimeve të vazhdueshme e të rrebeshme drejt shteteve të perëndimit.

Personazhi i Blushit më vonë bëhet edhe ministër dhe është pikërisht ai që dëshiron të bëjë “atë që shqiptarët nuk e bëjnë dot vetë, të bashkojë Kosovën me Shqipërinë”.

Provokuese?

Njëjtë si gjithçka në romanin “Komploti” që në gjithë faqet e tij përcjellët me një ironi të hollë e nganjëherë cinizëm të skajshëm, sikur fjalia se “shqiptarët i duan gjithmonë pushtuesit”.

Romani

Pa dashur për të zbuluar më shumë seç duhet për ata që ende nuk e kanë lexuar librin dhe nuk duan të prishin magjinë e befasisë, ngjarjet e “Komplotit” zhvillohen në vjeshtën e vitit 2043 dhe në pranverën e vitit 2044, pra 20 vjet më vonë, kur për shkak të ndryshimeve demografike popullsia e Shqipërisë është zvogëluar, ndërkohë që shumë refugjatë kanë ardhur të jetojnë me ne.

Ata janë kryesisht afganë, por dhe sirianë e iranianë, të vendosur në qytetin e Shëngjinit.

Meqë popullsia e tyre shtohet me ritme të larta, ndërkohë që shqiptarët lindin më pak dhe emigrojnë më shumë, në vitet 2040, të huajt bëhen shumicë dhe fitojnë Komunën/Bashkinë e Shëngjinit duke zgjedhur Kryetar Bashkie një afgan.

Për shkak të rrethanave dhe ndryshimit të shpeshtë të Qeverive, ky afgan që martohet me një shqiptare, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

Këtu fillon Komploti, kur afgani, pra Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, vendos të çlirojë Kosovën e cila për shkak të ndryshimit të konjukturave është pjesërisht e pushtuar nga serbët që janë inkurajuar nga avancimi i Rusisë në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.

Për të penguar çlirimin e Kosovës nga afganët, tre çifutë që bëhen bashkë për arsye të ndryshme, thurin një Komplot. Ata të tre kanë pikëpamjet e tyre sa i takon Amerikës, Rusisë, Shqipërisë dhe sidomos Izraelit dhe konfliktit të tij me Palestinën.

Njëri prej tre çifutëve është sionist, tjetri është komunist dhe i treti është një aventurier shqiptar që shpesh krijon kaos.

Libri ka kaq shumë tema dhe i hapë ato në kaq shumë rrafshe – shqiptarët, shqiptarët më raport me vetën, shqiptarët në raport me tjetrin, anti-semetizmi, islami dhe islamofobia, komunizmi dhe të gjithë variantet e tija, të kombinuara në personazhe e ngjarje të ndryshme.

Siç e tha edhe sociologu Shkodran Ramadani në prezantimin e tij, “në përgjithësi, libri arrin në mënyrë shumë finoke të analizojë, dekonstruktojë dhe zbërthejë (edhe) imagjinatën perëndimore dhe rolin e “Tjetrit” me T të madhe në ndërtimin dhe formimin e identitetit”.

“Komploti, mes tjerash është edhe një ‘teratologji e Hebraizmit dhe Islamit’, ose studim i përbindëshave hebre dhe myslimanë. Siç e shpalos Blushi me zgjuarsi procesin, krijimi i monstrave është një akt politik dhe përbindëshat janë krijesa politike. Përbindëshat dalin nga një mjedis i veçantë shoqëror në të cilin ata portretizohen si të frikshëm, të gërditshëm dhe, në disa raste ekstreme, si sub-krijesa që duhet të shfarosen – si në aspektin imagjinativ ashtu edhe në botën reale”.

Pjesë e rëndësishme e librit është edhe figura e Leonid Trockit, ku Blushi përmes përqasjes deluzive të personazhit arrin të shpjegojë dinamikën e rigjenerimit të komunizmit.

Pjesë kjo që e kishte trajtuar gjatë në recensionin e tij edhe studiuesi Ramadani.

Si mundet një ide që ka dështuar kaq shumë herë, në kaq shumë variante të ndryshme dhe në kaq shumë mjedise rrënjësisht të ndryshme, të jetë ende kaq popullore?

“Kjo për shkak që me kalimin e kohës, me ardhjen e brezave të rinj, tmerret dhe horroret e komunizmit, i mbulon pluhuri i harresës. Në vrullin e blertë rinor, ngjyra e kuqe e komunizmit shkëlqen me gjithë fuqinë e saj dhe në një shoqëri të çmagjepsur me premtimet e kapitalizmit, kjo dritë mund të bëhet gjithnjë e më shumë flakadan i të pakënaqurve. Në këtë kuptim, Blushi portretizon Shqipërinë, si një ekzemplar konkret i asaj që Kristian Niemietz, thotë në librin e tij: ‘Socializmi: Ideja e dështuar që nuk vdes kurrë”’.

Blushi elaboron mungesën e afeksioneve të projekteve totalitare në raport me jetët e njerëzve. Në faqe 95 të librit, Blushi shkruan: “Në atë qytet, ai nuk kishte dashur asnjeri dhe asnjeri nuk e kishte dashur atë. Prandaj, Pogradeci ishte qyteti ideal për të eksperimentuar një grusht-shteti…”

Ramadani vëren se Blushi “me precizitet dhe finesë arrin që në mënyrë bindëse të portretizojë ‘bodrumin’ e imagjinatës së bujshme të shoqërisë shqiptare. Ky ‘bodrum’ është i mbipopulluar me përbindësha të të gjitha llojeve. Përbindësha të cilët mezi presin të nxjerrin kokën, veçanërisht në kohë krizash, atëherë kur një shoqëri kalon në një proces të ripërkufizimit të vetes, atëherë kur ripërcaktimi i identitetit është në fluksin e tij më të madh, aq sa e tërbon rehatinë”.

Një vërejtje tjetër e Ramadanit ishte se autori Blushi, kujdesshëm, në librin e tij nuk rrëshqet në qëndrimet që derivojnë nga frustrime e mllefe irracionale, e që do ta stërkeqnin këtë libër të shkruar bukur e me stil.

“Kështu, libri i Blushit nuk bëhet as doracak i së majtës ekstreme kur kritikon të djathtën ekstreme, e as fletushkë e së djathtës ekstreme kur dekonstrukton komunizmin”.

Ndryshe nga Ramadani që jep një perspektive sociologjike të temave të ngritura në roman, pedagogia Aliu-Tahiri merret me aspekte stilistike të shkrimit unik të Blushit.

Ai tashmë e ka gjetur zërin e vetë në letërsi dhe një nga dallueshmëritë në raport me autorët e tjerë shqiptarë, Blushi shkruan me precizitet dhe pa e paragjykuar lexuesin e librit të tij.

Ai i shtjellon shumë temat, por nuk e tejdetaizon tekstin për t’ia pamundësuar imagjinatës së lexuesit paramendimin e autorit kur konstrukton ngjarjet apo personazhet.

“Komploti” është romani i 10 i Blushit. Ai do të prezantohet edhe ne panairin e librit në Tiranë. /AlbanianPost

komploti ben blushi prishtine