Kulture 5 Dhjetor 2023, 11:43

‘Maniak në punë, magjistar në skenë’/ Aktorët flasin të prekur për ndarjen nga jeta të ‘Sokratit’ shqiptar, Mirush Kabashi

Shkruar nga Pamfleti

‘Maniak në punë, magjistar në skenë’/

Ndarja nga jeta e ‘Sokratit’ shqiptar, Mirush Kabashi ka prekur shumë artistët e tjerë, të cilët kanë reaguar duke treguar tronditjen e tyre për humbjen e Nderit të Kombit’.

Aktorja Zamira Kita u ndal te raporti dhe njohja e saj me Kabashin, ku tha se është njohur që në rininë e saj dhe kanë pasur një miqësi të fortë. Ndër të tjera ajo tha se Kabashi ishte një artist i madh i skenës shqiptare.

Bujar Kapexhiu, ka treguar njohjen e tij me Mirush Kabashin. Në një lidhje telefonike për News24, Kapexhiu vlerësoi figurën e Kabashit, ndërsa theksoi se ai ishte tepër i veçantë për nga talenti.

“Një humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe artin shqiptar. Themi shpesh për aktorët dhe regjisorët që janë të rrallë, por për Mirushin fjala e sinqertë është: një aktor dhe artist i rrallë. Ai ka qenë një aktor i talentuar, virtuoz. Atë e dallonte nga të tjerët, serioziteti, këmbëngulja dhe puna që bënte me rolin, madje ne thonim: e tepron më këtë seriozitet. Mbi këtë material më pas kishte një punë të jashtëzakonshme. Ai kishte korrektesë për gjithçka.”, tha ai.

Aktori Bujar Asqeriu tregoi periudhën kur është njohur me Mirush Kabashin, ku tha papritur ai kthehej në një ‘magjistar’. Ndër të tjera, ai tha se Mirush Kabashi tregoi se Shqipëria paska aktorë të kalibrit botëror.

“Mirush Kabashi ishte nja aktorët e rrallë tragjik-komik të artist shqiptar. Së pari më lejoi të shpreh ngushëllimet. Pas dhjetëra roleve në kinematografi dhe skenike krijoi një figurë të artit shqiptar. Në rolin e ‘Sokrati’ krijoi një rol të madh.”, tha ndër të tjera Asqeriu.

Aktorja e njohur Aishe Stari ka kujtuar takimin e saj të fundit me Mirush Kabashin, i cili u ndan sot nga jeta.

Ajo tha se për herë të fundit ishin takuar në ditëlindjen e saj, ndërsa takoheshin çdo javë në Durrës.

“Erdhi te ditëlindja ime pastaj takohesha shpesh, sepse 1 herë në javë vinte në Durrës. Edhe na dukej sikur e kishin ende në Durrës, sikur nuk ishte larguar kurrë.

Me Mirushin kemi qenë shokë dhe na lidhnin interesa të përbashkëta, kemi qenë shumë të afërt jo si në të njëjtin teatër, po si në të njëjtën shtëpi.”, tha ajo me lot në sy.

Ndërsa artisti Ndriçim Xhepa u kthye pas në kohë, kur luajti për herë të parë me Kabashin në filmin ‘Kohë e largët’, teksa theksoi se ky i fundit ishte ‘maniak i përpikërisë’.

“Lajm i trishtë në këtë mëngjes dhjetori. E pashë mirë nga ana psiko-fizike, pasi kishte disa kohë që vuante nga kjo sëmundje e rëndë. Ishte natyrë vitale, sikur nuk e ndjeje fare që ai kalonte një situate të tillë. Biseduam dhe menduam se do t’ia kalonte. Por ja që s’paska qenë e thënë. Pasi ai ishte notar, sportist, nuk përdorte alkool dhe as cigare, por nuk qenka e shkruar. Ishte një aktor punëtor, maniak dhe me ekzigjenca të mëdha. Ne jemi bashkuar në javët e fundit të filmit ‘Kohë e largët’, ishim në ishullin e Prespës dhe punuam vetëm bashkë dhe vura re një maniakëri.”, tha Xhepa.

reagimet e aktoreve mirush kabashi