Kulture 3 Janar 2024, 15:39

Rajmonda Bulku: Pengu im është që humba rolin e Irenës te “Pallati 176”

Shkruar nga Pamfleti

Rajmonda Bulku: Pengu im është që humba rolin e Irenës te

Komedia e famshme “Pallati 176” është padiskutim një ndër më të preferuarat e publikut shqiptar. Pavarësisht viteve që kanë kaluar ‘lumë’ që nga premiera e saj, ka shumë të fshehta që publiku i gjerë nuk i dinte.

Në emisionin e Ardit Roshit “Kur po xhirohej një film” u trajtua pikërisht komedia e famshme dhe një ndër personazhët që morën pjesë ishte dhe aktorja Rajmonda Bulku. Artistja deklaroi se roli i Irenës, e dashura e Sandër ‘mafishes’ i ishte besuar asaj fillimisht, por fatkeqësisht Bulku e kishte refuzuar duke mos i dhënë rëndësinë e duhur.

Pas kaq vitesh, aktorja deklaron se e ka peng që e ka bërë një gjë të tillë, pasi do kishte qenë një kujtim shumë i bukur, aq më tepër për famën që mori komedia:

“Më ofruan rolin e Irenës tek ‘Pallati 176’, por ishte puna ime e parë në komedi dhe mendova se mos është më mirë të mos e bëj unë, por kolegia ime. Regjisorët thanë ‘si të duash’. Këtë e merr vesh Ilir Bezhani, me të cilin kisha luajtur dhe kur po dilja nga oborri i Teatrit Kombëtar ai më thotë: Monda ndalo pak. Bëre një gabim, sepse duhet të më thoje mua. Ne kemi luajtur bashkë dhe për të bërë këtë ndryshim, duhet të më thoje mua. Ai kishte të drejtë dhe vërtet u ndjeva keq. Edhe për veten u ndjeva keq. Aktori rolin e ka të shenjtë, por ja që ndodhi dhe unë shumë vonë, kur shoh tani që do kisha një kujtim shumë të bukur me këta aktorë që mungojnë, them se ishte një lapsus. Mbase nga frika që kisha nga komedia në teatër.”

rajmonda bulku pallati 176 roli i irenes