Kulture 5 Dhjetor 2023, 19:24

Regjisori Budina flet për artistin Mirush Kabashi: Shembull, punoi me modesti deri në fund

Shkruar nga Pamfleti

Regjisori Budina flet për artistin Mirush Kabashi: Shembull, punoi me

Aktori i mirënjohur e shumë i dashur për publikun Mirush Kabashi humbi jetën ditën e sotme në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një vepër të pasur artistike. Por përveçse një artist i madh, në sytë e kolegëve të tij, ai ishte dhe një njeri po aq i madh, i cili kurrë nuk diti të pushojë, por me modesti punoi deri në fund të jetës së tij.

Regjisori Robert Budina tha për “Euronews Albania” se Mirush Kabashi nuk zgjodhi kurrë të bëjë rolin e artistit të madh, por ai punoi deri në ditën e fundit duke iu dhënë me mish e me shpirt gjërave që ai besonte.

“Mirushi kishte një mosbesim për mënyrën se si ishte bërë politika në Shqipëri dhe ai kishte shumë kujdes sepse nuk donte që modeli i tij i njeriut të përdorej në kuptimin politik e të krijonte imazhin e një njeriu që përdoret nga politika. Ai donte t’i jepej me mish e me shpirt një gjëje që ai besonte, nuk kursehej. Mirushi nuk ka bërë artistin e madh, ai ishte një njeri i cili punonte, kërkonte dhe ndihmonte.

Është një shembull pak ndryshe i artistëve që me patjetër duan ta vënë veten në piedestal. Natyrisht ata i vë në piedestal puna. Mirushi ishte nga këta njerëz që donte që realisht të ofronte një ndihmë për t’i bërë gjërat më mirë. Kishte një zhgënjim nga politika, por kjo nuk e pengoi që ai deri në fund artin e tij të angazhuar ta vinte në funksion të qytetarëve. Vepra e tij “Apologjia e vërtetë e Sokratit” është një nga veprat më unike në artin e demokracisë”, tha Robert Budina.

mirush kabashi budina