Kulture 7 Shkurt 2024, 17:36

Shkodra është më e varfër pa Albrin!

Shkruar nga Pamfleti
Shkodra është më e varfër pa Albrin!
Albër Brahusha /

Albri, një qytetar model, që nuk u nda asnjë minutë nga brengat e Shkodrës së tij. Pa u influencuar nga tallazet e egra që sjell kjo jetë frenetike...

Dakord! Shkodra e Migjenit, At Gjergj Fishtës, Dom Ndre Mjedës, Gurakuqit, Rreshpjes, Drinit, Krajës dhe e emrave të tjerë pa fund në historinë e saj. Shumica prej të cilëve nuk kanë lindur në Shkodër, si Arshi Pipa, por edhe shumë të tjerë.

Por Shkodra e rrëzimit të komunizmit, ishte një Shkodër gri. Një qytet  në agoni, që në ditët e para të lirisë së saj u shfaqën ca të fortë, të ashpër, që vinin nga politika.  

Me kalimin e kohës, u shfaqën disa njerëz të lexuar që hapën gazeta, shkruanin esse, poezi, dhe thonin atë që mendonin.

E në këtë grup, u mbrujt një brez i ri poetësh, shkrimtarësh e gazetarësh, ku renditen Shpëtim Këlmendi, Gazmend Grasniqi, Ridvan Dibra, Blendi Kraja, Irhan Jubica, Sokol Pepushaj, por në mes tyre ishte një tjetër djal Shkodre që kërkoi të sillte në vëmendje të shkuarën e këtij qyteti, që e konsideronin dhe konsiderojnë ende si një pasuri të madhe kombëtare. Ai ishte Albër Brahusha, një shkrimtar, veprimtar e dramaturg që u nda nga jeta në kulmin e moshës së tij.

Shoqëria e këtij grupi intelektualësh, i ngjante shumë narrativave të Evropës së ndarë që nga impresionistët, brezi i humbur, ekspresionistët, utopikët apo edhe revolucionarët.

E nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe që lëvizjet e tilla intelektuale të nisin nga Shkodra, që i kishte dhënë shumë Shqipërisë që nga Pashallaku i Bushatllinjve, deri te kolegjet saveriane e jezuite; që nga Komiteti i Mbrojtjes së Kosovës, e deri te idetë komuniste.

Albri Brahusha ishte njëri nga veprimtarët e viteve 90 që erdhi në publik si një zë i qetë, i pa zhurmë, pa shqetësuar askënd për të sjellë një mendim që brezi i tij e bluante prej kohësh.

E së bashku me shokët e tij, Albri ka qenë ndër të parët e shoqërisë që sollën në qytet zëra, ide dhe projekte. Më pas erdhi krijimtaria, dramat, por pa u ndarë nga qytetaria e tij si vlerë që jo vetëm Shkodra, por mbi të gjitha Shkodra, ishte tek ai si një log, si një agora e një të thëne të lirë.

Jeta e një njeriu, një qytetari natyrisht që është e njëjtë, e barabartë, por shoqëria ndalet e reflekton mbi vlerat që ai ka dhënë për qytetin. E Albri, ishte një qytetar model i qytetit, që nuk u nda asnjë minutë nga brengat e tij. Pa u influencuar nga tallazet e egra që sjell kjo jetë frenetike. Ai ishte një shkrimtar, që shkroi dhe tha atë që donte, që mendonte për të promovuar vlerat e qytetit të tij, edhe jashtë logjikës së përgjithshme shtetërore. Nuk është rastësi që Albri ishte më popullor në Kosovë, sesa në pjesën tjetër të Shqipërisë, pasi siç ka qenë edhe në të shkuarën, Shkodra e ka pasur Kosovën jastekun e vet të mendimit. Një mbështetje të butë e të ngrohtë aleance të një afërsie kulturore.

Edhe sot, mediat e Kosovës i kanë dhënë më shumë zë humbjes së Albri Brahushës, sesa ato të Tiranës. Pasi Albri ishte më i botuar në Kosovë sesa në Shqipëri, edhe pse kishte mjaft mbështetës e admirues.

Me Albrin, Shkodra humbi realisht një zë, i cili nuk duhet shpërndarë dhe kufizuar. Por duhet të fuqizohet, sepse këto janë zëra të asaj fisnikërie intelektuale, për të cilat ka nevojë brezi i ri e veçanërisht Shkodra. E cila duhet të gjallojë nga zërat e mendimtarëve të vet, duke i botuar e promovuar. Sepse sillnin jetë, qytetari, e mbi të gjitha humanitet. Albri Brahusha ishte një human i pastër që dontë t’i jepte Shkodrës mendjen e vet të pakontaminuar për të ecur përpara, pa prekur njerëzillëkun e qytetarinë. Vlera që sot rrezikohen nga zhurma e rrezikshme e injorancës dhe komercializmit./Pamfleti

albër brahusha shkodra