Kumari vetëm sa ndërron duar, “bastet” i merr “BastArena” e Olsit, bixhozin e merr kazinoja e Besos së “Taivanit”

Kumari vetëm sa ndërron duar, “bastet” i merr “BastArena” e Olsit, bixhozin e merr kazinoja e Besos së “Taivanit”

 E njejta skemë si me “Lazaratin” dhe me universitetet private

Kreu i qeverisë paralajmëron shpërndarjen e kazinove në të gjithë zonën turistike, përmes klientelës së tij. Përfiton dhe Beso i “Taivanit” që fuqizon ekzistuesen dhe bashkë me oligarkët e tjerë ndërton hotele-kazino me 5 yje në bregdet apo në mal. Pikat e kumarit rrezikojnë të shërbejnë dhe si “Lavatriçe” e sigurtë për pastrimin e parave të drogës, krimit të organizuar dhe abuzimit me pushtetin. “Lavatriçja” e madhe “lan” më mirë, bën më pak ‘zhurmë’, është më nën kontroll, në situatën monopol

Asnjë njeri i ndershëm në Shqipëri nuk është kundër mbylljes së kazinove, basteve elektronike dhe të gjithë lojrave të fatit, pasi është një ves ulëritës që shkatërron shoqërinë.

Njëherësh asnjë shqiptar i ndershëm nuk është kundër sikterisjes sa më larg qendrave të banuara të kumarit dhe gjithë lojrave të tjera të fatit që kanë në bazë vesin e shpërdorimit të parave dhe të integritetit të shoqërisë sonë, që në themel është e varfër dhe pret të mirën ti vijë nga “qielli”.

Dhe për më tepër, pavarësisht se emrin e kanë “lojra”, kumari vetëm luan me fatin e njerëzve, sepse makineria ku luhet është ndërtuar për të marrë dhe jo për të dhënë.

Por ama është kriminale që dëshira e shqiptarëve për të parë të mbyllura apo sa më larg banesave të tyre, fëmijëve e kryefamiljarëve të tyre lojrat e fatit, të shfrytëzohet nga qeveria e kryeministri për të miratuar një ligj, ku kumari vetëm sa kalon në duar të tjera.

Kjo po ndodh në Shqipëri me mbylljen e kazinove e basteve sportive dhe marrjen e monopolit të kazinove e basteve sportive online nga vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, përmes “Bastarenës”.

Një kompani me mbështetje qeveritare që për 30 vite e ka këtë monopol.

Goditen këto lojra fati dhe baste sportive në Tiranë, por krijohet monopol po në Tiranë dhe më pas marrin rrugët e shpërndahen në tërë Shqipërinë, përmes klientelës së kryeministrit Edi Rama.

Një skenar i ngjashëm me goditjen e kultivimit dhe trafikut të kanabisit në Lazarat, dhe mirë iu bë që u godit aty, por kjo me sa duket u realizua për të stimuluar kultivimin dhe trafikun e drogës në të gjithë Shqipërinë. Ky ishte rrënimi që iu bë vendit për disa vite.

Kultivimi dhe trafiku i drogës nuk u eliminua me aksionin në Lazarat, thjeshtë droga ndërroi duar dhe kaloi në duar të tjera, tashmë klientë të kryeministrit të radhës Edi Rama.

Apo aksioni për mbylljen e universiteteve “kioska” që solli më pas lulëzimin e disa të tjerëve po kioska, duke fuqizuar miqtë e kreut të qeverisë. Pavarësisht se kanë tarifë më të lartë tashmë për diplomimin, sërisht dija që po merret nga këto “sallone” akademike, është në nivelin  “kioskë”.

Mund të flasim për të gjitha aksionet e ndërmarra nga Rama në këto 5 vite, aksione që nuk kanë minimizuar fenomenin, por thjeshtë dhe vetëm e kanë kaluar në duar të tjera dhe për pasojë ka pasur një rritje progresive vit pas viti të së keqes.

Kështu dhe për kumarin, Rama jo vetëm që po e monopolizon në dorën e vëllait të tij Olsi, por do të mbushë dhe tërë vijën bregdetare apo zonat e tjera të shpallura “turistike”.

Pasi kumari tashmë do të lulëzojë në mal dhe në fushë dhe ngado të lëvizin shqiptarët, paratë e tyre do ti lënë në duart e vëllait dhe të klientelës së Ramës.

Sikurse kanabisi, që pas Lazaratit “zaptoi” tërë Shqipërinë, duke zënë “vendin e nderit” në hartën eurpiane të kultivimit dhe të trafikut të tij.

Rama tha me zë dhe me figurë para qytetarëve shqiptarë se “përsa i përket online-it, që është një drejtim shumë kompleks, do të arrijmë në një konkluzion të studiuar dhe do të mund të kemi një diskutim të mëvonshëm.

Ka propozime të ndryshme edhe sa i përket idesë së një monopoli shtetëror të lojërave të fatit. Por, që sot po ja u them unë personalisht, jam kundër.

Megjithatë të gjitha diskutimet janë të hapura. Kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet me 5 yje në zonat e definuara me vendim të qeverisë si zona turistike. Asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër. Të gjithë përfitojnë nga mbyllja e kazinove”.

Duke treguar qartë se klientela e tij e oligarkëve që ka apo mund të ndërtojë hotele me 5 yje do të shpërndajnë kazinotë dhe bastet sportive në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke decentralizuar të keqen në të gjithë vendin. Sidomos në zonat turistike, në det apo në mal.

Megjithatë Rama mendjen e ka te sistemimi i “Bastarenës” të Olsit në fillim, pastaj për oligarkët e klientelës së tij, të cilët do të kenë “copën” e tyre në këtë treg që qarkullon miliona.

Përfiton dhe Besnik Sulaj, apo siç quhet ndryshe Beso i “Taivanit”, i cili jo vetëm që nuk e mbyll kazinonë e tij në qendër të Tiranës, por  me zhdukjen e “rivalëve” e fuqizon në maksimum, duke i dhënë dhe “luksin” ta shpërndajë në zonat turistike.

Në të njejtën gjatësi vale fuqizohen dhe oligarkët e tjerë të klientelës së Ramës, bosët e mëdhenj që përfitojnë nga paratë publike, por rrezikojnë të shërbejnë dhe si “Lavatriçe” e sigurtë për pastrimin e parave të drogës, krimit të organizuar dhe abuzimit me pushtetin.

“Lavatriçja” e madhe “lan” më mirë, bën më pak ‘zhurmë’ dhe mbulon të keqen, e cila tashmë është e përqëndruar vetëm në pak duar. Gjithnjë e kontrolluar nga pushteti dhe kryeministri Edi Rama, që kanë në dorë fijet e gjithçkaje në Shqipëri.

Ndaj themi që mbyllja e kazinove dhe e basteve sportive, pavarësisht pozitivitetit që përcjell, përmban dhe kërcënimin e masivimit në të gjithë territorin e vendit. Ku duke shtuar faktin se është në pak duar, përbën dhe një rrezik potencial për shoqërinë shqiptare./Pamfleti

 

Loading...
error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti