Kur Berisha jepte koncensione me para, si Argita i kërkoi 3 milionë euro biznesmenit pakistanez që të ndërmjetësonte me të atin kryeministër

Kur Berisha jepte koncensione me para, si Argita i kërkoi 3 milionë euro biznesmenit pakistanez që të ndërmjetësonte me të atin kryeministër

Vajza e ish kryeministrit garantoi  biznesmenin Zafar Ansar se do të merrte firmën e babait të saj për miratimin e lejes dhe projektit të investimit 100 milionë euro për ndërtimin e një TEC-i . Argita i vuri si kusht blerjen shtrenjtë të tokës së saj dhe Fazlliç në Porto Romano, si dhe një përqindje ndërmjetësimi 3 milionë euro. Ansar refuzoi pazaret e familjes së Berishës, e cila në shenjë hakmarrjeje i heq titullin “Konsull i Nderit të Shqipërisë në Pakistan” dhe e shpall “non grata”. U shkarkua dhe ambasadori sekser Banaj, i cili luajti keq rolin

 



Familja
Familja

Sali Berisha në kohën kur ka qënë Kryeministër ka qënë i fiksuar pas “Shqipërisë, superfuqi energjetike”, mbjelljes së ullirit dhe arroreve në të gjithë vendin dhe sigurisht ndaj parave.

I kishte mbetur pishman nga qeverisja e parë e PD, ku me sa duket nuk kishte marrë sasinë e mjaftueshme të parave, pasi kur u bë “nuse” për herë të dytë në ardhjen e PD në pushtet më 2005, i hyri me themel pasurimit të shpejtë. Duke mos dashur ndoshta të përsërisë “gabimin” e shkuar.

Dhe rikthimi i demokratëve në pushtet sjell dhe ngjitjen e Berishës në postin e kryeministrit të vendit, ndërkohë që fëmijët ishin rritur dhe bërë madhorë për të luajtur rolin e sekserit.

Që në ditët e para familja kryeministrore mori në dorë ekonominë e vendit, me qëllimin e vetëm përfitimin prej saj në të gjitha mënyrat, për të garantuar një pasurim sa më të shpejtë.

Fëmijët e ish kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi Berisha hapi kompani avokatore, e cila më shumë se sa zyrë konsulence dhe avokatie, shërbeu si zyrë ndërmjetësimi mes biznesit dhe babait të saj kryetar qeverie.

Ndërkohë që djali Shkelzen bëri sekserin për gjithçka.

Por që të kthehemi tek Argita Berisha Malltezi, ajo që mund të themi është se, nga zyra e saj avokatore kalonin të gjitha kërkesat për koncesione, tendera dhe investime të mëdha, të biznesmenëve vendas dhe të huaj.

Dhe njerëzit e biznesit, pasi linin “kaparin” te Argita, u mundësohej kalimi tek Kryeministri i asaj kohe Berisha, duke e pasur të garantuar përfitimin e punës e milionave nga paratë e shtetit.

Zafar Ansar, biznesmeni pakistanez që denoncoi pazaret e vajzës së kryeministrit Sali Berisha
Zafar Ansar, biznesmeni pakistanez që denoncoi pazaret e vajzës së kryeministrit Sali Berisha

Dhe një nga shembujt më kuptimplotë që tregon realisht pazarin që garantonte vajza e ish kryeministrit përmes rrjepjes së biznesmenëve shqiptarë dhe të huaj, është rasti i biznesmenit pakistanez, Zafar Ansar.

Ai ka rrëfyer se kërkonte garanci për të investuar 100 milionë euro në Shqipëri, përmes ngritjes së një TEC-i, duke parë se vendi kishte nevoja urgjente për energji elektrike. Bëhej fjalë për vitin 2007, dy vite pas ardhjes në pushtet të PD dhe kryeministrit Sali Berisha.

Por biznesmeni pakistanez Ansar, i cili ishte dhe “Konsull Nderi i Shqipërisë në Pakistan”, hasi në pengesa të shumta për implementimin e biznesit të tij në Shqipëri, pasi vajza e kryeministrit për të ndërmjetësuar tek i ati kryeministër kërkoi 3 milionë euro si seksere për firmën e babait.

Ansar thotë se kishte qënë ish ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite Admir Banaj ai që e kishte ndërmjetësuar me Argita Berishën, duke ia bërë të sigurtë investimin në sektorin e energjisë, nëse ajo e merrte përsipër ta çonte te babai i saj Kryeministër Sali Berisha.

Sipas biznesmenit pakistanez, në takim me Argita Berisha Malltezin kishte marrë garancinë për inkurajim të biznesit të tij, por më parë duhej përgatitur një projekt për t’ia dërguar KESH.

Ansar thotë se vajza e kryeministrit të atëhershëm Berisha, në fillim i ofroi blerjen e një toke, për të cilën mësoi më pas se Argita kishte interes që të shitej.

Ajo tokë ishte në Porto Romano, të cilën e kishin blerë lirë fare Argita me Fazlliç dhe kërkonin më pas ta shisnin me çmim shumë të lartë tek biznesmeni pakistanez Ansar, që të zhvillonte biznesin e tij të ndërtimit të TEC-it në këtë zonë.

Pavarësisht kundërshtimeve të biznesmenit pakistanez, Argita Berisha Malltezi prapa të cilit qëndronte biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç, këmbënguli se toka është gati dhe se duhej të vepronte shumë shpejt për ta blerë, pasi më vonë nuk do të kishte mundësi.

Ansar e refuzoi blerjen e tokës, me argumentin se nuk mund të investonte që tani për të blerë tokë, pa marrë ende lejen nga kryeministri për ndërtimin e TEC-it me koncesion dhe aprovimin e projektit të ndërtimit nga qeveria shqiptare.

Biznesmeni pakistanez sqaron për publikun më vonë se toka në të vërtetë ishte e papërshtatshme, pa infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e investimit, njëherësh dhe shumë e shtrenjtë.

Përmes komunikimit me e-mail, të cilat më vonë biznesmeni pakistanez i vuri dhe në dizpozicion të mediave, vajza e kryeministrit Argita e garantoi se projekti do të miratohej pa problem, por toka duhej blerë.

Me sa duket vajza e kryeministrit të atëhershëm dhe njerëzit që qëndronin pas saj, sipas biznesmenit pakistanez, kishin më shumë interes për shitjen e tokës, pasi sillte para më të shpejtë. Ndaj bëhej presion për ta blerë atë me çdo kusht dhe me atë çmim të kripur.

Refuzimi nga ana e pakistanezit Ansar për të blerë tokën e Argitës dhe Fazlliç në Porto Romano solli dhe refuzimin e projektit për ndërtimin e një TEC-i 120 megavat, një investim ky prej mbi 100 milionë eurosh.

Ky refuzim në heshtje, duke i thënë se ka probleme për projektin, u shoqërua me ndërprerjen e komunikimit me KESH-in, dhe më pas lënien jashtë loje të biznesmenit pakistanez.

Përpara se t’i jepej vendimi përfundimtar për refuzimin e projektit për ndërtimin e këtij burimi energjie në Shqipëri, Argita Berisha Malltezi bëri përpjekjen e fundit për të marrë para nga biznesmeni pakistanez.

Duke qënë se vlera e projektit ishte mbi 100 milionë euro, studioja ligjore e Argitës kërkoi të paguhej krahas punës në aspektin juridik dhe me një pakesë ekstra për suksesin e investimit, pavarësisht sigurisë 100% në realizimin e qëllimit nga investitori.

Praktika e përgjithshme në Europë për kompanitë avokatore konsiston në pagimin nga klienti, vetëm të orëve të punës të avokatëve. Ata nuk kërkojnë të paguhen për atë që njihet si “pagesë për suksesin”: Në këtë rast duket qartësisht se meqenëse ajo është vajza e kryeministrit gjen mënyrën dhe e bën. Dhe sipas biznesmenit pakistanez kjo pagesë ishte 3% e vlerës së investuar, që korrespondonte me vlerën e 3 milionë eurove pagesë ekstra për Argitën, vajzën e Berishës. Pikërisht refuzimi dhe i kësaj pagese, pasi nuk pranoi blerjen e tokës në Porto Romano sollën dhe refuzimin e lejës për ndërtimin e TEC-it nga babai kryeministër Sali Berisha. Gjë që solli dhe mosinvestimin e 100 milionë eurove në Shqipëri.

Reagimi i biznesmenit pakistanez Zafar Ansar ishte me të vërtetë i ashpër, teksa bëri publik të gjitha e-mailet që kishte shkëmbyer me vajzën e kryeministrit Berisha, e cila e garantonte se do të nxirrje lejen tek i ati kryetar qeverie për ndërtimin e TEC-it.

Ansar thotë se pati shumë presion nga ana e ambasadorit Banaj që të hidhte në gjyq gazetarin që publikoi e-mailet në gjyq. Madje i prezantoi dhe me një avokat të njohur shqiptar për ta bërë këtë, por biznesmeni pakistanez kishte refuzuar. Për më tepër ai dha dhe dy intervista që shkaktuan tërmet në atë kohë, por që nuk ndodhi asgjë në qeverisjen e Berishës.

Ish kryeministri mori masa drastike ndaj biznesmenit pakistanez Zafar Ansar, duke urdhëruar Ministrinë e Jashtme shqiptare që t’i hiqte titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Pakistan, gjë që u realizua në një kohë rekord.

Pasi ishte e natyrshme në atë kohë që kush refuzonte dhe denonconte pazaret, presionet dhe gjobat e familjes kryeministrore, denigrohej, baltosej, shpallej “non grata”, persekutohej dhe zhvishej nga çdo titull.

Kjo ka qënë një praktikë e kthyer në kulturë nga PD në pushtet dhe e ish kryeministrit Berisha, i cili nëpërmjet presioneve dhe joshjeve ekonomike, kishte krijuar raporte varësie me çdo qelizë të shtetit shqiptar.

Por zemërimi i familjes Berisha në atë kohë në pushtet për refuzimin dhe nxjerrjen në publik të maskarallëqeve në kurriz të biznesit nga ana e manjatit pakistanez të energjisë Ansar, nuk mund të kalonte pa u shkarkuar mbi ish ambasadorin Banaj.

Pas publikimit të korrespondencës midis Argita Berisha Malltezit dhe biznesmenit pakistanez, erdhi edhe ndëshkimi për ambasadorin e Shqipërisë në Arabinë Saudite. Admir Banaj u shkarkua nga detyra e ambasadorit të Shqipërisë në Arabinë Saudite, duke qenë se ishte ura lidhëse midis biznesmenit pakistanez dhe së bijës së kryeministrit, se e kishte kryer detyrën e sekserit keq.

Data e kërkesës për shkarkim, drejtuar ish presidentit Nishani përkonte me momentin, kur për herë të parë opozita e akuzoi ambasadorin Banaj se kishte shpërdoruar detyrën duke u kthyer në një sekser mes biznesmenit Zafar Ansar dhe zyrës avokatore të Argita Malltezit.

Nga këto fakte që përmendëm mund të kuptohet lehtë se si është qeverisur Shqipëria nga Berisha kur ishte në pushtet dhe si përdorej gjithë familja në shërbim të përfitimit nga pushteti./Pamfleti

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.