Kosova 8 Dhjetor 2022, 12:41

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një proces të përshpejtuar sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij në Samitin e socialdemokratëve për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë, Kurti ka përgëzuar BE-në që në Samitin e Tiranës rikonfirmoi angazhimin e saj për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi nevojë për proces të përshpejtuar për anëtarësim në BE, nuk mjafton ‘perspektiva në BE’. Është e vështirë të mobilizohen njerëzit nëse nuk ka afate të qarta kohore drejt anëtarësimit”, ka thënë ai.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, duhet të ketë më shumë ambicie për anëtarësim në Bllok.

“Tani është koha për të përshpejtuar procesin e zgjerimit, me më shumë iniciativa dhe investime në rajon që përfitojnë njerëzit”, shtoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë samit, po shoqërohet nga kryetari i Gjilanit njëherësh bashkëpartiak në Lëvizjen Vetëvendosje, Alban Hyseni.

Prishtine Albin Kurti Ballkani Perëndimor bashkimi evropian

Kosova