Kosova 3 Nëntor 2022, 13:20

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para se të fillojë Samiti i Ballkanit Perëndimor është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se temat qendrore të takimit ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje tjera aktuale.

Lidhur me zbatimin e vendimit për targat ilegale, Kurti në këto takime ka thënë se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

Ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë.

“Sa i përket çështjes së energjisë, kryeministri foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord”, thuhet në njoftim.

Prishtine Albin Kurti Joseph Borrell Miroslav Lajčák Targat ilegale